E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunizmi vdiq, nuk është mirë të mbajmë peng brezin e ri

Për mendimin tim, në rastin e Shqipërisë do të ishte më mirë që këto çështjet e dosjeve mos të hapeshin më. Një trajtim i tipit të Gjermanisë do të ishte më i përshtatshëm. Regjimi komunist ishte një regjim represiv i brendshëm, njëlloj si në Gjermaninë apo Italinë e Luftës II Botërore, apo njëlloj me Afrikën e Jugut të epokës së Aparteidit.

Vendet e tjera që kanë zgjedhur të lajnë hesapet më të kaluarën, tipikisht kanë të bëjnë me regjime që kanë bashkëpunuar më dominatorët e huaj (Çekosllovakia, Hungaria, Polonia, apo Franca e pas Luftës). Linja e demarkacionit tërhiqet më kollaj në këto vende.

Personalisht kam qenë fëmijë gjatë komunizmit, por nuk mendoj se vetëm bashkëpunëtorët zyrtarë të Sigurimit mbajnë përgjegjësinë për atë që ndodhi. Shumica e popullit shqiptar ka përgjegjësi që varion nga rasti në rast. Sigurimsat mund të pretendojnë se kanë zbatuar vetëm ligjin (e vërtetë), Kryetari i Gjykatës së Lartë thotë po kështu e nuk gënjen fare.

Nga ana tjetër, mijëra e mijëra vetë që për mendimin tim kanë bashkëpunuar me sistemin, por që për arsye të numrit të madh të tyre i shpëtojnë përgjegjësisë, nuk janë aspak të pafajshëm. Çfare mund të themi për ata që radikalizonin atmosferën sociale duke kritikuar gjer edhe antenat e TV-s-? Çfarë mund të themi për mësuesit e M-L që jetuan një jete të tërë duke propaganduar një ideologji kriminale? Shkrimtaret që na mbushën mendjen në superioritetin komunist, gazetarët që manipuluan realitetin, juristët që shkruan ligjet kriminale?

Ndaj mendoj se është hipokrizi e madhe që të na serviret herë pas here, ende në vitin 2008, çështja e komunizmit, komunistëve, busteve që hiqen e vihen etj, etj. Më duket se kjo bëhet për të mbuluar paaftësinë për të përmirësuar situatën ekonomike të vendit dhe në vend të mirëqenies materiale i japin popullit ushqim-helm shpirtëror.

Komunizmi vdiq, nuk do të kthehet më. Ndërkohë që protagonistët e viktimat e tij po shkojnë drejt plakjes dhe po fitojnë gjithnjë e më shume urtësi që vjen prej moshës, është koha më e papërshtatshme të mbajmë peng një brez, i cili prej komunizmit ka vetëm kujtime të një të djeshmeje të largët pa pikë rëndësie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›