Besnikëria shoqërore
Janë të shpeshta vëzhgimet nga vendës e të huajt që kanë vizituar Shqipërinë. Duke vizituar mjedise të brendshme, të rregulluar e mobiluar bukur e me shije, ata habiten me kontrastin jashtë të pluhurit, gropave e plehrave nëpër rruge. “Janë gjëra të vogla” do të thonë disa. Por në fakt këto gjëra janë problemet kryesore. Ato nuk mund të rregullohen lehtë, zgjidhja e tyre është e lidhur me të padukshmen; besnikërinë shoqërore. Trajtimi i lehtë i problemeve të tilla të vogla do t’i ngjante atij njeriu që përpiqet të pijë ujë duke thithur rubinetin e çezmës pa menduar se uji nuk vjen pasi burimi ka shteruar.
Atdhetarizmi është besimi i njeriut tek vendi. Vetëdija është besim i njeriut tek vetja. Kur besimi ndaj vendit ndërthuret me besimin ndaj vetes kjo krijon besnikërinë e ndërsjellë të çdo njeriu ndaj tjetrit, që bëhet qenësore për besnikërinë shoqërore, e cila zbulon anët më të mira të karakterit të secilit.
Besnikëria është besim, besë, dhe si e tillë, një virtyt me rrënjë veçanërisht të thella në instinktin e çdo shqiptari. Atdheu është mishërimi i besimit të banorëve tek vendi. Por a është ky besim i ndërthurur, ashtu siç duhet, me besimin në vetvete, për krijimin e ndjenjës së besnikërisë shoqërore; thelbësore për zhvillim, qytetërim e mirëqenie?
Një dru i vetëm në vatër ndizet me vështirësi, por edhe shuhet shpejt, ndërsa shumë drurë të vendosur pranë, por duke respektuar hapësirën e nevojshme për qarkullimin e ajrit mes tyre, jo vetëm që ndizen lehtë, por edhe nuk shuhen derisa çdo dru të ketë çliruar të gjitha energjitë e veta.
Shumë të huaj thonë se shqiptarët janë inteligjentë dhe si individë janë njerëz shumë të aftë. Dhe ky nuk është as miklim e as ekzagjerim. Por çuditërisht ndikimi i të aftëve në shoqëri vihet re shumë pak. Përgjithësisht, mendohet se kur individë të aftë nuk bashkëpunojnë, ata veprojnë kështu pasi mendojnë se të njëjtën punë mund ta bëjnë vetë më mirë.
Por mund të ketë edhe arsye të tjera. Për shembull, ata ndoshta mendojnë se grupi nuk është në nivelin që duhet të jetë, ose ata nuk kanë besim tek shoqëria a udhëheqësit e saj dhe nuk duan që aftësitë e tyre vetjake të përdoren nga grupi për punë të këqija. Kjo i bën këta individë me të vërtetë cinikë, dhe të mendojnë se janë më të mirë se të tjerët. Duke e ndjerë se janë të aftë, por nuk duan të bashkëpunojnë, këta individë në fakt i ngjajnë drurit të vetëm, që ndizet e shpejt shuhet si për të treguar se mund të bëjë zjarr, por nuk ka pranë një dru të ngjashëm për t’i treguar aftësitë a për të çliruar plotësisht energjitë e veta.
*Autori është gazetar Zërit të Amerikës (VOA) në SHBA