Orkestër veprash
Historianëve të letërsisë shqipe iu bie barra e pazakonshme që të përligjin objektin e dijes, ose të gjejnë të përbashkëtën midis autorëve dhe veprave aq të ndryshme e të largëta mes tyre sa Marin Barleti, Hasan Zyko Kamberi, Jul Varibova dhe Martin Camaj. Në të vërtetë, letërsia shqipe e rrokur në përmasën kohore është objekt artificial dhe i rindërtuar prej studiuesve, prandaj këto veti do t’ia përcjellë edhe asaj fushe të dijes që synon t’ia shkruajë historinë.
Një zgjidhje praktike e gjëzës do të ishte që historianët të merreshin jo aq me historinë e autorëve, ose me hartimin e listave për tribunat, presidiumet dhe panteonet; por me historinë e komunikimit të veprave mes tyre. Për shembull, pakkush do të kundërshtonte se ka një fill të përbashkët që lidh formalisht bejtexhinjtë me Naim Frashërin, Naimin me Lasgushin dhe Lasgushin me Kadarenë e hershëm – jo në përmbajtje, as në ideologji, por në mënyrën e të shkruarit.
Brenda kësaj familjeje, nëse mund ta quaj kështu, risitë që ka sjellë secili autor janë ndoshta më domethënëse se pikëtakimet mes veprave; meqë Naimi vërtet rimori njëfarëlloj rrymën e bejtexhinjve, por vetëm duke e zhveshur nga fryma dhe etosi, dhe duke ia riformuluar estetikën dhe retorikën poezisë shqipe; ndërsa Lasgushi e përsosi vargun naimian, duke sjellë atje ndjeshmëri të poezisë simboliste franceze dhe sidomos rumune; më në fund, Kadareja i fillimeve të veta trashëgoi diçka thelbësore jo vetëm nga Lasgushi, por edhe nga krejt tradita e vargut me ndjeshmëri lindore, për ta drejtuar pastaj krijimtarinë e vet në shtigje ndonjëherë të kundërta.
Lidhjet dhe birëritë, nga ana e tyre, s’është e thënë të jenë doemos gjenetike; leximi i Lasgushit gjithnjë na ndihmon të gjejmë tek Naimi gjëra të reja, sikurse Fishta i “Lahutës” është i domosdoshëm për të interpretuar në thellësinë e duhur folklorin madje krejt filozofinë e Shqipërisë së Veriut. Prozat e Migjenit sot priremi t’i trajtojmë së bashku me ato të Koliqit, edhe pse historikisht u detyrohen prurjeve cilësisht të ndryshme. Në thelb shkrimtarët e mëdhenj, të cilët historia e letërsisë duhet t’i shohë para së gjithash si vatra rrezatuese vlerash letrare, kanë mënyrat e tyre të komunikimit mes tyre, në mendjet e lexuesve, të cilat nuk mund të disiplinohen sipas kronologjive dhe kalendarit.
Ndarë në grupe të mirënjohura, veprat letrare që i studion historia e letërsisë shqipe kanë komunikuar mes tyre, duke krijuar herë pas here edhe ishuj rregullsie ose anti-entropie, në mes të kaosit; ose shkolla dhe rryma letrare të cilat sot i njohim më tepër si kapituj të historisë: shkrimtarët katolikë të Veriut, bejtexhinjtë, letërsia arbëreshe etj. Më e vështirë është të ftillohet nëse këta ishuj kanë komunikuar apo jo mes tyre, çka do të përligjte studimin e tyre të përbashkët, brenda së njëjtës histori.
Në të vërtetë, çfarë do të na detyronte të studionim së bashku Frang Bardhin dhe Nezimin, ose Pjetër Budin dhe Nikollë Ketën? Të thuash se veprojmë kështu ngaqë të gjithë këta kanë shkruar shqip, është argument i dobët, ndoshta i pamjaftueshëm; meqë historia e letërsisë shqipe nuk mund të reduktohet në një histori të shqipes së shkruar. Nga ana tjetër, është pothuajse e pamundur të mbrosh tezën se veprat e autorëve të tillë kanë komunikuar mes tyre – në kuptimin që autorët kanë lexuar veprat e njëri-tjetrit dhe janë ndikuar ndërsjellas, ose që i njëjti lexues historik është ushqyer me vepra edhe të njërës rrymë edhe të tjetrës.
Fryma autarkike në studimet akademike shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX ka bërë edhe që, kur flasim për histori të dijes kombëtare ta përfytyrojmë objektin e kësaj historie si të shkëputur nga marrëdhëniet horizontale dhe vertikale me dije të tjera kombëtare. Edhe pse njëfarë abstraksioni është i nevojshëm për arsye metodologjike, nuk do shumë mend për të kuptuar, bie fjala, se Marin Barleti i përkiste letërsisë humaniste të Rilindjes Europiane më shumë sesa një letërsie shqiptare e cila atëbotë nuk ekzistonte fare; ndërsa bejtexhinjtë e gjejnë vendin e tyre logjik brenda një historie të letërsisë së popujve të Perandorisë Osmane, dhe jo thjesht për hir të alfabetit arab që përdornin. Letërsia arbëreshe nuk mund të kuptohet dot vetëm duke ia analizuar lidhjet me folklorin arbëresh dhe jashtë kontekstit të letërsisë italiane, prej së cilës ushqehej. Deri edhe poetë relativisht të vonë, si Lasgush Poradeci dhe Migjeni, janë analizuar në hollësi duke shpërfillur marrëdhëniet ndonjëherë të ngushta të krijimtarisë së tyre me letërsitë ballkanike, rumune e serbo-kroate.
Kjo nuk duhet kuptuar sikur historia e letërsisë shqipe, të paktën pjesa deri në mesin e shekullit të XIX-të, është e detyruar ta përfytyrojë objektin e vet më tepër si një rrethprerje letërsish në thelb të përftuara e të lëvruara brenda lëvizjesh kulturore joshqiptare. Edhe pse Nezim Frakulla mund të mos kishte dëgjuar kurrë për Budin ose për Bogdanin; edhe pse Pjetër Zarishi mund të mos kishte dëgjuar kurrë për Jul Varibovën; madje edhe sikur Naim Frashëri vetë të mos kishte lexuar kurrgjë nga De Rada ose Dara, përsëri veprat e këtyre autorëve nuk kanë mbetur pa komunikuar krejt, meqë komunikimi mes tyre ka ndodhur a posteriori, në kulturën shqiptare moderne, të shekullit XX-të.
Çfarë e përligj objektin e historisë së letërsisë shqipe si objekt unitar është konvergjenca, ose rithemelimi i kulturës shqiptare si kulturë kombëtare gjatë Rilindjes. Shkollat, rrymat, grupet letrare dhe përpjekjet e shkëputura të autorëve të shpërndarë në hapësirë dhe në kohë duhen përfytyruar kështu si përrenj të cilët i kanë burimet të ndryshme, por që derdhen në të njëjtin lumë. Natyrisht, Rilindja Kombëtare e shqiptarëve ishte një akt i vullnetshëm i një elite kulturore, që kishte për qëllim zgjimin e ndjenjës kombëtare në shoqërinë shqiptare; ose një kombinim i domosdoshmërisë dhe i rastësisë historike.
Nga kjo pikëpamje, objekti i historisë së letërsisë shqipe nuk mund të jetë veçse dinamik, sadoqë ky detyrim metodologjik bie ndesh me intuitën e publikut, i cili veprat letrare priret t’i perceptojë më tepër si platonike, të pandryshuara dhe të pandryshueshme.
Për shembull, letërsia arbëreshe për një kohë të gjatë u shtjellua larg trungut “mëmë” të shqiptarëve në Ballkan, e varur pezull midis folklorit arbëresh, traditës së vetëkrijuar, skënderbejadës dhe kulturës e sidomos ndjeshmërisë religjioze të krishterë gjysmë bizantine e gjysmë katolike dhe letërsisë italiane, e cila kishte vetë probleme të identitetit. Kur u zbulua prej shqiptarëve të këtejmë, gjatë shekullit XX, u zbulua më tepër si një kuriozitet filologjik, meqë lexuesi i edukuar në shkollë me shqipen e Rilindjes do ta kishte të pamundur ta kuptonte “Milosaon”, ose “Këngën e Sprasme të Balës” në origjinal; le më t’i shijonte si vepra letrare. Në të vërtetë, De Radën gjithnjë e kanë pasur të vështirë ta kuptojnë edhe vetë arbëreshët... Që këtej, veprat e letërsisë arbëreshe iu dhanë kulturës shqiptare “të përkthyera”, ose të përshtatura në gjuhën e sotme. Paradoksi është se pikërisht në këto trajta të jetërsuara, letërsia arbëreshe arriti më në fund të integrohej tërësisht në qarkullimin letrar kombëtar, dhe të ndikonte ndonjëherë në mënyrë vendimtare mbi formimin artistik të poetëve shqiptarë të viteve 1970 e më pas.
Diçka e ngjashme ndodhi edhe me bejtexhinjtë, një rrymë e letërsisë shqipe që ndonjëherë është nëpërkëmbur për arsye më shumë ideologjike. Veprat e bejtexhinjve mund të studiohen e të analizohen në kontekstin kulturor ku edhe u krijuan dhe u konsumuan, i cili u përkiste modeleve orientale të qarkullimit kulturor; por përpunimi i gjuhës dhe i formave retorike të shqipes, sado i ndikuar nga ato modele, la gjurmët e veta në lëvrimin e poezisë shqipe. Këtu nuk është fjala vetëm për Naimin, i cili pati ndikime orientale edhe drejtpërdrejt nga poezia perse; por edhe për një dukuri të tillë si përshtatja e “Ervehesë” së Muhamet Kyçykut-Çamit nga Jani Vretoja, nëpërmjet zëvendësimit ballor të orientalizmave me fjalë shqipe; meqë “Erveheja” e përshtatur prej Vretos u kthye në një farë best seller-i të kohës, madje u përfshi edhe në programet e shkollave shqipe. Nga ana tjetër, orientalizmat që në shqipen e Rilindjes ulërijnë me mungesën e tyre aq artificiale, u rikthyen në poezi prej Nolit, i cili e vijoi traditën poetike të Naim Frashërit në një drejtim të ndryshëm nga ai i parapëlqyer prej Lasgushit dhe deri diku Asdrenit.
Për të mbetur koherente me vetveten, historia e letërsisë shqipe nuk mund të niset veçse nga gjendja e sotme e qarkullimit letrar, ose nga sinkronia; duke u shtyrë pastaj së prapthi në kohë, hap pas hapi, deri në fillimet. Kjo nuk do të thotë që t’u jepet përparësi autorëve të sotëm, siç dëgjon ndonjëherë në polemikat shpesh të ndezura për këto çështje; por vetëm që pikënisja e studimeve, ose përcaktimi i objektit të dijes, nuk mund të jetë veçse statusi i veprës në kontekstin e kulturës së sotme shqiptare. Vetë kultura shqiptare, e këqyrur në përmasën e vet kohore, varet në masë të madhe nga fjala shqipe – e shkruar dhe e folur; dhe fjala ekziston dhe riprodhohet në mënyrë dinamike, jo e gdhendur në fjalorët, por duke u shkëmbyer nëpërmjet komunikimit dhe duke u përcjellë nëpërmjet transmetimit sipas boshtit kohor, ose nga brezi në brez.
Kjo e bën disi problematik statusin e të gjitha atyre veprave të cilat, për arsye jashtëletrare, nuk kanë mundur dot të futen në qarkullimin normal të vlerave letrare dhe ende nuk janë bërë dot pjesë e trashëgimisë kulturore të shqiptarit të sotëm. E kam fjalën për autorë të kalibrit të Martin Camajt, i cili gjithnjë e rregullisht vlerësohet lart nga kritika dhe nga kolegët e vet shkrimtarë, por që ka mbetur pa ekspozimin e merituar ndaj publikut letrar. Mund të pyetet nëse është apo jo detyrë e historisë së letërsisë shqipe që të ndreqë gabime, madje faje të tilla të kulturës dhe të promovojë autorë të meritueshëm, por relativisht të panjohur – meqë një orientim i tillë do të binte ndesh me vetë objektin e kësaj dege të dijes, ose hulumtimin e komunikimit të vlerave letrare dhe kulturore në kohë. Gabimi duhet ndrequr dhe është duke u ndrequr, por jo nga historia e letërsisë; sepse gabimi nuk i përkiste asaj as në krye; në një kohë që historia e letërsisë ka boll gabime të vetat për të shlyer.
Në një shkrim të paradokohshëm, Edmond Tupja mbronte idenë se ka ardhur koha për të pasur jo një, por disa histori të letërsisë shqipe; ide që më duket e propozuar në momentin e duhur. Deri më sot, letërsinë jo vetëm e kemi lexuar, por edhe e kemi studiuar në rrethana të nginjura me ideologji, madje edhe historinë e saj e kemi interpretuar si të ishte veç parathënia ose preludi i të sotmes. Për fat të keq, pamfleti rrezikon të mbetet edhe për shumë kohë formë parësore e komunikimit midis kokave të nxehta të kombit; por të tjerët, ndërkohë, mund e duhet të përfitojnë nga perspektiva studimi më pjellore, të cilat të kenë për synim të kuptuarit dhe ndriçimin e mendjes, jo mposhtjen madje poshtërimin e kundërshtarëve çfarëdo.