E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncert e etnomusical në kalanë e Bashtovës

22/07/2011  Intervista/ Flet drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Zhani Ciko. Sezoni artistik në TKOB, buxheti i institucionit dhe vlerësimi i artistëve

Nën muret veneciane të kalasë shekullore në një mjedis tërheqës në Vil-Bashtovë, ata prezantojnë traditat shqiptare qindravjeçare.

“Shqipëria e traditave artistike nga lashtësia në ditët tona” është koncerti e etnomusicali që do të vijë mbrëmjen e së shtunës përmes tingujve, efekteve ndriçuese dhe projeksioneve me artistët më të mirë të baletit dhe të valleve, këngëtarëve më të njohur popullorë dhe artistëve të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, si dhe Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura.

Ky koncert i organizuar nga TKOB, Ansambli Popullor, Qendra e Kulturës, Medies dhe Botimeve të Mbrojtjes në bashkëpunim me RadioTelevizionin Shqiptar, komunën Gosë dhe Shoqatën Shqiptare të Turizmit është aktiviteti përmbyllës i një sezoni që mbyll një sërë aktivitetesh të TKOB të organizuara gjatë verës, prej të cilëve mund të përmendim Festivalin Operistik të Dubrovnikut (Homazh për Tino Patiera), Etnomusicalin “Rituali i jetës” (në kuadër të turizmit kulturor 2011), koncertin e Ansamblit Popullor “Tinguj verorë” të mbajtur në Durrës dhe në Berat, një paraditeje muzikore për 85-vjetorin e lindjes së kompozitorit Tonin Harapi, pjesëmarrjen e Orkestrës Simfonike dhe solistëve të TKOB nën dirigjimin e Zhani Cikos në Festivalin teatror në Tivar të Malit të Zi dhe koncertin e ansamblit “Këngë Jeho” në Festivalin e Strugës.

Drejtori i TKOB, Zhani Ciko, rrëfen diçka më shumë për këtë aktivitet dhe shfaqjet përgjatë këtij sezoni dhe këtij viti të institucionit që ai drejton.

Aktiviteti që do të organizoni këtë fundjavë e cilësuat si përmbyllës të një sezoni. Në këtë kuadër çfarë mund të thoni për këtë aktivitet dhe aktivitetet e sezonit të lënë pas?

Nën devizën “Shqipëria e traditave artistike nga lashtësia në ditët tona” do të organizohet për herë të parë në pikën turistike të veçantë siç është kalaja e Bashtovës, një mbrëmje artistike muzikore nën tingujt e Fanfarës së Orkestrës së Ushtrisë Frymore dhe etnomuzikalit “Rituali i jetës”. Do të bëhet një shfaqje, e cila në ato mure veneciane të lashta do të sjellë autenticitetin e një kulture që vjen prej qindra vjetësh dhe është akoma e gjallë tek ne. Është një bashkëpunim ndërinstitucional mundësuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe ministri Arben Imami, i cili gëzon patronazhin e Kryeministrit Sali Berisha. Një bashkëpunim i Qendrës së Medias, Kulturës së Ministrisë së Mbrojtjes me TKOB dhe Ansamblit Popullor, RTSH-së që do të bëjë transmetimin direkt të gjithë koncertit nga kalaja e Bashtovës në valët satelitore me komunën Gosë, e cila ka treguar gatishmërinë për gjithë problemet e infrastrukturës atje dhe me agjencinë shqiptare të turizmit për të shpërndarë sa më shumë ftesa për njerëz që ndodhen në Shqipëri dhe që do të marrin pjesë në eveniment. Ky aktivitet mbyll kalendarin e kësaj periudhe të korrikut. Megjithatë, ftesa të tjera do ta pasurojnë. Kalendari mbetet i hapur edhe për aktivitete të tjera.

Atëherë ç’mund të thoni për shfaqjet e këtij sezoni që kaloi në TKOB?

Mund të them që ka qenë një nga sezonet më të shkëlqyera të Teatrit të Operës dhe Baletit për sa i përket gjithçkaje që është realizuar, madhështisë së veprave, komplicitetit, kompozimin e tij mbi bazën e një intensiteti të paimagjinueshëm premierash që kalojnë shifrën një premierë në muaj. Është një ritëm i lartë evropian i vlerësuar edhe nga mediat e huaja dhe njerëzit që kanë ardhur. Sigurisht mbi bazën e kërkesës sonë për të rritur akoma më shumë cilësinë, pasi në art nuk arrihet kurrë përsosmëria. Nëse jemi të kënaqur me një vit intensiv krijimesh kjo nuk do të thotë se kemi mbërritur kulmin.

Megjithatë, disa herë cilësia e produksioneve artistike të vëna në TKOB është vënë në diskutim dhe është folur edhe me nota jopozitive…

Cilësia në tërësinë e vet ka qenë e lartë. Ndër interpretët e ndryshëm ka raste që ka nivele më të mira ose më pak të mira. Por ajo që ka çuar përpara në të gjithë institucionin është më se evidente. Në rast se ju do të keni rast të lexoni për shembull një artikull të kohëve të fundit lidhur me operën “Kaspar Hauser”, shkruar nga një prej kritikëve më të mëdhenj italianë do të gjeni disa krahasime që do t’ju bëjnë edhe ju të mburreni me teatrin tonë.

Ne jemi një teatër, i cili synon të ketë një repertor të gjerë dhe t’u ngjajë teatrove më të mira të qyteteve të tjera që janë përfaqësues të shteteve të ndryshme. Çdo vend ka shfaqje, të cilat nuk vijnë gjithmonë tërësisht të realizuara.

Atëherë mund të përmendni disa shfaqje “jo tërësisht të realizuara” dhe sipas jush pse nuk janë “realizuar” në maksimum? Ka nga ata që suksesin apo mossuksesin e tyre e lidhin me politikën e ndjekur në opera…

Puna e një institucioni është gjithmonë e diskutueshme për arsye se çdo njeri ka ambiciet e tij; dikush i mbërrin, dikush jo. Skena është e hapur. Gjithçka bëhet me audicione. Opera funksionon. Funksionon mbi bazën e një politike që është me rendiment shumë të lartë, siç nuk ka qenë asnjëherë më parë.

Edhe për audicionet është folur shpesh nga artistët, madje edhe kanë komentuar në shtyp. Këto audicione janë përherë të rregullta dhe të hapura?

Janë të rregullta për çdo vepër. Për shembull dhe tani sapo erdhëm nga jashtë kemi bërë audicione për operën që do të çeli sezonin e ardhshëm siç është “Flauti magjik”. Po punohet për operën “Turrandot” e me radhë, megjithatë përditë ka pasur punë.

Një taktikë e ndjekur nga TKOB është marrja nga jashtë e artistëve të huaj për të qenë pjesë e produksioneve shqiptare. Mbi ç’mënyrë bëhet përzgjedhja e tyre? Nuk ka artistë në Shqipëri që i plotësojnë “kërkesat” dhe kanë nivelin e tyre?

Në asnjë vend nuk ekzistojnë të gjithë llojet e zërave. Në gjithë botën merren artistë nga jashtë. Përzgjedhja e tyre bëhet mbi dy kritere. Ne kemi kontaktet tona me agjenci të artistëve. Zgjedhim ata emra, të cilët i identifikojmë edhe nëpërmjet internetit dhe materialeve që na sjellin: CV-ve, CD-ve, regjistrimeve. Kur është një rast shumë special që vihet një rol për herë të parë artistët kanë ardhur kanë bërë audicione edhe këtu. Pra, është kriteri profesional, sigurisht është edhe kriteri ekonomik për të përballuar ato që ne kemi mundësi t’i përballojmë dhe realizojmë.

Meqenëse përmendët kriterin ekonomik ç’mund të vëreni për anën financiare të TKOB dhe mënyrën se si bëhet në këtë drejtim vlerësimi i artistëve? Mund të flisni veçanërisht për këtë pjesë për artistët e rinj?

Vlerësimi i artistëve bëhet në përputhje me ligjin për artin skenik, i cili i lë në kompetencë bordit artistik që të miratojë tarifat e shpërblimit të artistëve, të cilat pastaj në përputhje me realizimin e tyre shpërndahen brenda kontratave individuale kur artistët janë jashtë teatrit. Pra, shpërblimi bëhet në bazë të roleve dhe pjesëmarrjes.

Ky shpërblim ka ardhur duke u minimizuar?

Kjo bëhet vetëm për artistët e rinj, shpërblimi i të cilëve ka qenë disa herë më i vogël se ai që ka qenë më parë, megjithatë njerëzit janë, vazhdojnë të punojnë.

Nuk mund të them se lundrojmë në para, pasi edhe teatrot e mëdha madje kanë krizë për para.

Për të folur më konkretisht, sa ka qenë buxheti i sivjetmë për TKOB?

Ne kemi marrë buxhetin e rregullt, aq sa ka qenë çdo vit. Shifrat tani e kam të vështirë të t’i them, por për ne si teatër, i vetmi projekt që ka ardhur i vogël ka qenë ai për të rinjtë. Mund të kishim marrë më pak njerëz dhe i paguanim më mirë, por ka qenë zgjedhje e vetë të rinjve me të cilët kemi bërë dhe debat. Ua kemi shpjeguar disa herë dhe thanë se ishin dakord kështu, që të mos i linin shokët e tyre. Por ndërkohë asnjeri nuk i ka penguar të shkojnë e të bëjnë projekte të tjera e të fitojnë, si të gjithë artistët në botë. Nuk ka më artistë me rrogë, ju e dini. Edhe ata që vijnë këtu nuk janë stabël. Një pjesë e tyre bëjnë edhe punë të tjera. Për një fillestar që sapo ka dalë nga bankat e shkollës është një mundësi shumë e madhe, të gjesh një vend të bazuar në një target qoftë jo maksimal dhe të bësh edhe këtë, gjë që nuk e kanë shtetet e tjera.

Ndërkohë një pikë për të cilën disa herë është hedhur hije, shpesh nën zë edhe nga vetë artistët e TKOB, është funksionimi i bordit artistik…

Bordi ka disa atribute ligjore, të cilat janë të kontrollueshme. Edhe ne jemi vazhdimisht objekt auditime. Ka disa mbledhje të caktuara në vit, të cilat duhen respektuar. U ndërrua bordi i vjetër dhe u zgjodh një bord i ri me ligjin e ri. Personalitete të artit, jetës janë mbledhur dhe vazhdojnë të bëjnë shfaqje.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›