E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Lulet” e Warholit shiten në internet

Nga Express më 22 korrik 2011 në ora 12:05

Platforma gjermane Artnet, ofroi për shitje vepra të shumta arti në internet. Në ofertë ishte edhe një vepër e Andy Warhol, që konsiderohet ikonë e pop-artit botëror.

Artdashësit kishin kohë deri të mërkurën që të jepnin ofertat e tyre për veprën e Andy Warhol, “Lulet” (Flower), që është pjesë e serisë së tij të njohur me të njëjtin emër, të krijuar në vitin 1978.

Motiv i veprës janë lulet me ngjyrë të kaltër mbi një prapavijë të gjelbër, natyrisht, bashkë me nënshkrimin e autorit. Dhe, çdokush që ishte i gatshëm që për këtë vepër të ndante të paktën një milion euro, mund ta bënte këtë me vetëm një klikim të miut të kompjuterit, sipas parimeve që vlejnë në eBay. Ndërkohë, u njoftua se vepra e Warhol u shit përmes internetit për 1,322,500 euro.

Ndërkohë që internet ankandi i platformës artistike të Berlinit, Artnet, njoftoi se ka në shitje edhe 50 piktura, grafika, skulptura dhe fotografi të tjera.
Ankand i përshtatshëm edhe për ata me “xhepa të cekët”.

Themeluesi dhe drejtori i Artnet, 73-vjeçari Hans Neuendorf, i cili ka kohë që synon të ngjallë ankandet e veprave artistike përmes internetit, sqaron: “Ne nuk i neglizhojmë blerësit tanë, sikurse që bënë eBay. Ne ofrojmë edhe shërbime konsultimi dhe posedojmë ekspertë të cilët paraprakisht e kontrollojnë autenticitetin e veprave, por edhe gjendjen e veprave që ofrohen. Në këtë mënyrë ne garantojmë një kualitet të lartë dhe një siguri më të madhe për blerësit”.

Vizioni i Neuendorf është që punët me vepra artistike t’i bëjë sa më transparente dhe sa më të përshtatshme për të gjithë adhuruesit e artit. Vitin e kaluar Artnet ka shënuar një rritje të numrit të blerësve të rinj për 140 për qind, ndërkaq ky numër sivjet është rritur edhe për 50 për qind. Përparësia e ankandeve përmes internetit është se transaksionet bankare janë më të shpejta dhe më të lira për të gjithë aktorët e përfshirë. Meqenëse nuk ekzistojnë hapësirat e shtrenjta të ekspozimit e as shpenzimet e transportit, rezulton se edhe shpenzimet e përgjithshme për blerësin janë shumë më të ulëta, sqaron Neuendorf.

E meta: Përmes internetit, s’mund të shihet origjinali

Përkundër shitjes së pikturës së Warhol, shumë njohës të kësaj skene shikojnë me skepticizëm ndaj ankandeve përmes internetit. Për shembull, kryesuesi i Shoqatës së Ekspertëve të Artit, Helmut Krause, tërheq vërejtjen për shumë rreziqe që mund të fshihen prapa tregtisë me vepra artistike përmes internetit.

"Ju blini diçka që s’mund të shihni paraprakisht! Objektin e shitjes përmes internetit ju nuk mund ta shihni se si duket në origjinal, por vetëm nëpërmjet fotografisë”,thekson ai. Për Krause, kjo është e papranueshme, dhe krejtësisht e palejueshme. Sepse, sipas tij, nuk mund të verifikohet autenticiteti i veprës që blihet.

Tentimi i parë i Artnet për themelimin e ankandeve në internet, i vitit 1999, nuk doli i suksesshëm. Asokohe interneti nuk kishte shtrirje aq të gjerë si sot. Kështu që Artnet u detyrua të paguante shpallje të shtrenjta nëpër mediat e shkruara me qëllim që të reklamonte ofertën e vetë të re. Drejtori i Artnet, Neuendorf thotë se atëherë ishte shumë herët për një projekt të tillë.

"Sot ne nuk kemi më fare nevojë për media të shkruara, sepse reklamohemi përmes internetit. Në këtë mënyrë i ulim shpenzimet, e, nga ana tjetër, i rrisim gjasat për suksesin tonë”, pohon ai.

Por, sa janë të gatshëm koleksionistët për të ndarë shuma milionëshe për ankandet përmes internetit? rasti i “Luleve” të Warhol jep shpresë. E, nga ana tjetër, Andy Warhol sigurisht që do pëlqente faktin se ishte pikërisht vepra e tij ajo që e nisi suksesshëm një ankand përmes internetit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›