E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programet që kërkojnë mesatare e pikë të larta

22/07/2011   Mbetësit mund të japin provimet gjatë sezonit të vjeshtës por janë të përjashtuar nga konkurrimi në publik

Programet më të kërkuara mund të përzgjidhen vetëm nga kandidatët me mesatare mbi tetë

Pranvera Kola

Për të mos rrezikuar ndjekjen e studimeve të larta në fakultetet publike gjatë këtij viti akademik, maturantët duhet të shikojnë me kujdes të gjithë treguesit që i dërgojnë ata drejt degëve fituese. Për këtë ata duhet të vënë balancën e duhur ndërmjet pikëve të grumbulluara, mesatares së shkollës së mesme dhe kërkesës për çdo degë studimore. Duke iu referuar të dhënave të bëra publike gjatë maturave të fundit, ka rezultuar se për një sërë degësh, të cilat rezultojnë të jenë ndër më të kërkuarat në rang vendi, mund të konkurrojnë vetëm një kategori e caktuar maturantësh. Konkretisht bëhet fjalë për ata nxënës që krahas rezultateve të larta të marra në provimet e maturës kanë edhe një mesatare të lartë të shkollës së mesme. Kjo pasi për programet më të kërkuara, ku përfshihen degët si stomatologji, mjekësi, farmaci, drejtësi, inxhinieri ndërtimi, financë, psikologji apo shkenca politike, inxhinieri elektronike apo informatike, ka rezultuar që fituesit e fundit të pranuar krahas totalit të lartë të pikëve të grumbulluara nga matura kanë pasur edhe mesatare të lartë të shkollës së mesme, përkatësisht mbi notën 8. Kështu, nëse një maturant që ka notë mesatare rreth 6, apo pak më shumë se kaq, si dhe rezultatet të provimeve në këtë nivel, nuk duhet kurrsesi të vërë në preferencat e tij të para degët që gjenden në tabelën përbri shkrimit, pasi mundësitë për t’u shpallur fitues janë tepër të vogla. Në këto kushte, ata do të rrezikonin edhe të drejtën për të qenë ndërmjet listave fitues. Një tjetër çelës kyç në renditjen e 10 preferencave që kanë probabilitetin më të lartë për t’u bërë fitues është edhe respektimi i profilit të shkollës së mesme që maturanti ka kryer. Kjo do të thotë se në rast të përzgjedhjes së degëve që janë të ngjashme me profilin e shkollës së mesme të kryer si dhe lëndëve me zgjedhje të dhëna, mundësia për të mbledhur më shumë pikë nga procesi i maturës është shumë herë më i lartë. Llogaritjet kanë treguar se nxënësit që zgjedhin degë të kundërta me llojin e shkollës së mesme që kanë kryer mund të rrezikojnë të humbasin 500 deri në 1000 pikë, pasi koeficientet që do të përfshihen në procesin e llogaritjes do të jenë më të ulët sesa do të ndodhte për degët që janë të ngjashme. Duke nisur nga dita e sotme, fillon zyrtarisht edhe plotësimi i formularit të preferencave A-2.

Një ndër këshillat më të rëndësishme që japin ekspertët e maturës është rishikimi me kujdes i të gjitha programeve studimore, krahasimi i tyre me fituesit e fundit të pranuar një vit më parë dhe vetëm më pas të bëhet renditja e degëve që mund t’u bëjnë fitues. Për këtë fillimisht maturanti duhet të ushtrohet në fotokopje të formularit dhe vetëm pasi të jetë bindur për të gjitha degët mund të bëjë plotësimin e kopjes origjinale në prezencën e mësuesit kujdestar dhe drejtorit të shkollës, i cili gjithashtu ndihmon në hedhjen e të dhënave. Për këtë vit akademik pritet të konkurrojnë rreth 40 mijë maturantë të rinj e të vjetër. Ndërkohë që të drejtën e studimit do të mund ta gëzojnë vetëm gjysma e tyre, pasi kaq është numri i kuotave të aprovuara nga qeveria për vitin akademik 2011-2012.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›