Shqip në Sarajevë
Në Festivalin e Filmit në Sarajevë do të marrin pjesë dy filma shqiptarë dhe një projekt dokumentar shqiptaro-boshnjak. Filmi “Amnistia”, i Bujar Alimanit, do të jetë pjesë e konkurrencën zyrtare, ndërkaq filmi “Falja e gjakut”, i regjisorit amerikan Joshua Marston, e konkurrencës jozyrtare të Festivalit të Filmit në Sarajevë, që fillon më 22 korrik.
Gjithashtu, pjesë e edicionit të 17 të festivalit do të jetë edhe filmi dokumentar “1395 Ditë pa të Kuqe”, një bashkëpunim ky i artistes boshnjake, Sejla Kameric, dhe artistit shqiptar, Anri Sala, i cili do të shfaqet si premierë.
Festivali filmik në Sarajevë, që u themelua më 1995, është më i madhi në Ballkan dhe ndër më të mëdhenjtë në Evropë. Festivali që ka për qëllim të nxisë zhvillimin e kinematografisë rajonale përfundon më 30 korrik.