E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncert i orkestrës etnike të Nanjing në TOB

TIRANË- Pas qytetit bregdetar të Durrësit, Orkestra etnike e Nanjingut (Kinë) ka dhënë mbrëmjen e sotme një shfaqjen për kryeqytetasit në Teatrin e Operas dhe Baletit. Ansambli instrumental kinez interpretoi një sërë pjesësh orkestrale dhe vokale, një pjesë e së cilës e frymëzuar nga muzika folklorike dhe popullore.

Koncerti nisi me pjesën "Festivali jubilar", një vepër instrumentale e gëzuar, e cila u ndoq nga "Kënga e jugut", një pjesë mjaft e njohur në Kinë, e qetë, e hijshme dhe butësisht delikate. Një pjesë e veçantë përshkroi përmes tingujve pikturën e qytetit të lashtë të Nanjingut, vendit nga vjen ansambli muzikor, që do të prezantohet këto dy mbrëmje në skenat shqiptare.

Muzika e një dasme tradicionale kineze, ku kombinohen instrumentat Suona dhe Banhu, erdhi më pas nën interpretimin mjeshtëror të Liu Dongxing dhe Ëang Yu. "Mbrëmje e lumtur” ishte titulli i pjesës që solli një tingull të çuditshëm midis shumëllojshmërisë së instrumentave muzikorë që luajnë së bashku me aftësi të veçanta. Skenat fshatare erdhën përmes melodive të pjesëve "Kali i ri" dhe “Kënga e korrjeve".

Orkestra Etnike e Nanjingut është themeluar në vitin 1986 dhe ka si mision të prezantojë jashtë vendit muzikën etnike kineze. Ajo është përcaktuar nga Ministria Kineze e Kulturës si "një orkestrë kryesore për shkembimet në kulturë me botën e jashtme". Kjo orkestër, ka dhënë një seri koncertesh në më shumë se 20 vende të botës.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›