E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncert me veprat e klasikëve

Ansambli “Rexho Mulliqi” do të organizojë një koncert me veprat e klasikëve shqiptarë, i cili do të mbahet sonte në Teatrin Kombëtar. Nga Arbër Ymeri më 02 maj 2011 në ora 12:33

Në një konferencë për media, të dielën, përfaqësuesit e Ansamblit “Rexho Mulliqi” bënë shpalosjen e gjithë programit të koncertit, i cili do të mbahet sonte, më 2 maj, në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar.

Tenori Luan Durmishi, i cili njëkohësisht është edhe themelues i Ansamblit “Rexho Mulliqi”, tha se qëllimi i themelimit të këtij ansambli dhe qëllimi i mbajtjes së këtij koncerti është promovimi i veprave të klasikëve shqiptarë, gjegjësisht kompozitorëve që kanë lënë gjurmë në muzikën artistike shqiptare si: Rexho Mulliqi, Çesk Zadeja, Palok Kurti, Lorenc Antoni, Simon Gjoni etj. Ansambli i cili është i përbërë nga 17 instrumentistë, ka si synim kryesor promovimin e vlerave muzikore shqiptare nëpër botë.

Në Ansamblin “Rexho Mulliqi” janë zgjedhur instrumentistët e rinj, me të spikatur dhe me të talentuar kosovarë, ku shumica prej tyre janë anëtarë të Filarmonisë së Kosovës. Solist i koncertit do të jetë vetë themeluesi i këtij koncerti Luan Durmishi dhe mysafire e koncertit do të jetë sopranoja Jeta Çitaku, ndërsa dirigjent Kushtrim Gashi.

“Për të gjitha këto vepra të cilat janë zgjedhur me shumë përpikëri e të cilat do të interpretohen në mbrëmjen e 2 majit, kanë punuar dy kompozitorë të rinj Kushtrim Gashi dhe Drinor Zymberi, të cilët me shumë profesionalizëm i kanë orkestruar ato perla të muzikës shqiptare duke i sjellë ato në një frymë shumë bashkëkohore për secilin instrument dhe duke ruajtur me fanatizëm vijën melodike të vokalit të atyre kompozitorëve të njohur shqiptarë, pra një gërshetim të shkëlqyeshëm mes bashkëkohores dhe klasikes”, tha Durmishi. Ai shtoi se për herë të parë në Kosovë do të ndodh një ngjarje e tillë.

Ndërsa Kushtrim Gashi, dirigjenti i këtij koncerti, shprehet se veprat e këtyre kompozitorëve dëshirojnë t’i sjellin në një mënyrë shumë bashkëkohore.
“Veprat e këtyre kompozitorëve duhet të bëhen ambasadorë të Kosovës në botë”, tha Gashi. Kurse pjesëtari i ansamblit, Shkumbin Bajraktari shprehet se brendapërbrenda është një frymë mjaftë e mirë dhe shpreson që ky ansambël të funksionojë si duhet.
Në anën tjetër, Durmishi njoftoi se koncerti planifikohet të mbahet edhe jashtë kufijve të Kosovës. Ai gjithashtu i dha disa arsye se përse ansambli quhet “Rexho Mulliqi”.

“Rexho Mulliqi është themeluesi i muzikës artistike në Kosovë. Ai është përfaqësues i identitetit kulturor kombëtar të Kosovës, tek i cili inspirimi nga folklori vërehet të jetë prezent në veprat e tij, por gjithmonë i trajtuar në suazat e hapësirave të tjera krijuese evropiane”, tha Durmishi. Ai shtoi se kompozitori Rexho Mulliqi ishte një nga kompozitorët, i cili në ambientin kosovar angazhimin e tij profesional e realizoi edhe si kompozitor, profesor dhe krijues muzikor, iniciator në formimin e jetës muzikore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›