E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati për panair

Udhëheqësit e Unionit të Botuesve të Kosovës thonë se gjithçka është gati për hapjen e Panairit të Librit “Prishtina 2011”. Nga Alfred Beka më 02 maj 2011 në ora 12:32

Panairi Ndërkombëtar i Librit “Prishtina 2011” do të hapet të martën, më 3 maj në ora 18:00. Kështu kanë deklaruar udhëheqësit e Unionit të Botuesve të Kosovës në një komunikatë për media, e cila është e nënshkruar nga Behxhet Bici, kryetar i këtij unioni.

“Panairi Ndërkombëtar i Librit ‘Prishtina 2011’ do të mbahet më datën 3 deri më 9 maj në pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, nën patronatin e komunës së Prishtinës”, thuhet në këtë komunikatë.

Aty, po ashtu, thuhet se UBK ka kontaktuar me shumë shtëpi botuese dhe me shumë shkrimtarë si në Ballkan ashtu edhe në Evropë, prej të cilëve pjesëmarrjen në panair, përpos botuesve nga trevat shqiptare, e kanë konfirmuar shtëpi botuese të vendeve si Anglia, Gjermania dhe Zvicra.

Në ceremoninë e hapjes do të jenë prezent përfaqësues të qeverisë së Kosovës, Komunës së Prishtinës, akademikë, shkrimtarë dhe dashamirës të librit.

Një ndër aktivitetet më kryesore të panairit është konferenca shkencore letrare që do t’i kushtohet shkrimtarit Agim Gjakova, konferencë kjo që është emërtuar “Agim Gjakova në letrat shqipe”, e cila do të mbahet më pesë maj në sallën e ASK-së në Pallatin e Rinisë në orën 18.00. Po ashtu, gjatë panairit do të bëhen edhe promovime të librave si dhe do të jepen çmime për stendën më të mirë të panairit.

Gjithashtu do të jetë një stendë e nderit me përfaqësues të Komunës së Bujanovcit dhe gjatë panairit do të mblidhen libra për bibliotekën e kësaj komune.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›