E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova drejt Eurovizionit

Më 24 qershor, në Oslo të Norvegjisë, Kosova do të marrë pjesë për herë të parë në një festival ndërkombëtar të organizuar nga EBU (Unioni Radiodifuziv i Europës). Në festivalin Eurovision Young Dancers Kosovën do ta përfaqësojë 15 vjeçarja Tringa Hysa. Nga Alfred Beka më 02 maj 2011 në ora 12:37

Kosovës dalëngadalë po i hapet rruga për të marrë pjesë në Festivalin e këngës Eurovision Song Contest. Kjo pasi që përfaqësuesja e Kosovës është përzgjedhur për të marrë pjesë në festivalin Eurovision Young Dancers që do të mbahen në Oslo më 24 qershor, i cili organizohet nga Unioni Radiodifuziv i Evropës (EBU), që po ashtu është edhe organizator i Eurosong-ut.

Megjithëse Radio Televizioni i Kosovës nuk është anëtar me të drejta të plota i EBU-së, në bazë të përpjekjeve të udhëheqësve të televizionit publik është arritur që në këtë festival të garojë edhe pesëmbëdhjetëvjeçarja Tringa Hysa, e cila do ta përfaqësojë RTK-në dhe Kosovën.

Bekim Hasani, drejtor në RTK, është shprehur për Express se RTK ka dërguar në jurinë e këtij festivali dy nominime prej të cilave, në një konkurrencë tepër të fortë ndërkombëtare, është përzgjedhur valltarja dhe koreografja kosovare Tringa Hysa.

Ai tha se garimi i përfaqësuesve nga Kosova është e drejtë e RTK-së dhe e Kosovës dhe në këtë kontekst, siç u shpreh ai, RTK po bën përpjekje që ta arsyetojë pjesëmarrjen e Kosovës në festivale ndërkombëtare.

“Siç dihet, RTK nuk mund të jetë anëtare me të drejta të plota në EBU për shkak se pesë shtete të Bashkimit Europian nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës. Në këtë kontekst RTK po bën përpjekje të vazhdueshme që të arsyetojë përpara drejtuesve të EBU-së që pjesëmarrja e Kosovës qoftë në Eurosong apo në këtë rast lejimi i garimit të përfaqësuesve së Kosovës në konkurse ndërkombëtare është e drejtë që e ka RTK, është e drejtë që e ka Kosova dhe në këtë kontekst ne jemi shumë optimistë që kemi hasur në mirëkuptim nga ana e drejtuesve të EBU-së, të cilët në këtë rast kanë mundësuar pjesëmarrjen e garuesve të Kosovës në Eurosong Dancing Contest”, tha Hasani.

Ai shtoi se ndihen shumë të lumtur që kanë mundur t’i krijojnë mundësi një ekipi, sidomos vajzës 15 vjeçare, sa është Tringa, që të marrë pjesë në këtë garë ndërkombëtare dhe ta përfaqësojë denjësisht RTK-në dhe Kosovën.

Lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në këtë garë ndërkombëtare ka reaguar Radio Televizioni i Serbisë, duke kërcënuar me largim të Serbisë nga kjo garë. Nëpërmjet një komunikate, RTS ka bërë të ditur se nëse Kosova merr pjesë në “Eurovision Young Dancers”, atëherë Serbia do ta bojkotojë Eurovisionin. Po ashtu, drejtori gjeneral i RTS-së, Aleksander Tijaniq, në një deklaratë për “Kurir”, ka thënë se reagimi i RTS-së është i logjikshëm.

“Ne kemi vetëm një votë në EBU, kështu që nuk mundemi që vetëm të marrim vendime. Për reagimin tonë për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë garë, mjaftueshëm flet fakti që Serbia nuk gjendet në listën e pjesëmarrësve”, thotë Tijaniq.

“Reagimi i tillë nga Serbia është tejet i pakuptueshëm, mirëpo prapë se prapë secilit shtet i mbetet e hapur mundësia të marrë pjesë apo jo”, ka bërë të ditur një zëdhënës i EBU-së.
Sipas “Kurir”, ky rast nuk është për herë të parë. Në gjysmëfinalen e parë të Eurosong-ut 2010 në Oslo, para paraqitjes së përfaqësuesit serb Milan Stankoviq, në panoramën me kontura të Serbisë nuk ka qenë Kosova, por kufijtë e Serbisë kanë qenë të mjegulluara. Kështu që, Kosova ka qenë e pamundur të vërehet.

Justin Ebenek, anëtar i ekipit, i cili ka realizuar Eurosong-un 2010, ka deklaruar atëherë se Norvegjia si nikoqir nuk ka guxuar të paraqesë Kosovën në përbërje të Serbisë, pasi që ky shtet ndër të parët ka njohur pavarësinë e saj.

Rreth bojkotit të RTS-së nga kjo garë, Hasani ka një shpjegim pak më ndryshe.

“Reagimin e televizionit serb e kuptoj si një lloj dëshpërimi nga ana e përfaqësuesve të këtij shteti në këtë garë ndërkombëtare, por e kuptoj natyrisht në kontekstin e të gjitha reagimeve dhe përpjekjeve që po bëhen për ta penguar ose për ta frenuar depërtimin e Kosovës në secilin aspekt në arenën ndërkombëtare”, tha Hasani. Ai shtoi se në këtë garë kanë qenë pothuajse të gjitha shtetet pjesëtare të EBU-së, natyrisht secili shtet ka pasur nga dy konkurrentë dhe një juri profesionale në mesin e dhjetë konkurrentëve ka përzgjedhur edhe konkurrenten nga Kosova.

“Në bazë të informacioneve që i kam nuk e di a ka kaluar ndonjë nga përfaqësueset e Serbisë dhe mendoj se ndoshta edhe fakti se ata nuk janë kualifikuar për të marrë pjesë ka shkaktuar një lloj nervozizmi, një lloj inati pse përfaqësuesja e Kosovës ka arritur të depërtojë në atë garë ndërkombëtare”, shpjegon Hasani. Ai vlerësoi se është momenti final që Kosova dalëngadalë të marrë peshën dhe t’i lejohet pjesëmarrja në Eurosong. Sipas tij, të njëjtat pengesa që i bëhen Kosovës, në këtë rast RTK-së dhe Kosovës, për pjesëmarrjen në këtë festival prestigjioz, janë pengesa krejtësisht politike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›