E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesionet për gratë

Kur sekretarja juaj më ftoi të vija këtu, më tha se shoqata juaj merret me punësimin e grave dhe më sugjeroi t‘u tregoja diçka rreth përvojave të mia profesionale. Është e vërtetë që unë jam një grua e punësuar, por ç‘përvoja personale kam pasur? Vështirë ta thuash! Profesioni im është letërsia, dhe, për gratë në këtë profesion, ka më pak përvoja se në çdo profesion tjetër, me përjashtim të disa pak paraardhëseve të mia. Dua të them se këto profesione janë të rralla dhe jo të zakonshme për gratë. Rruga e këtij profesioni për ne gratë është shkurtuar dhe lehtësuar shumë vite më parë nga Fanny Burney, Aphra Bhen, Harriet Martineau, Jane Austen, George Eliot. Pra, janë shumë gra të famshme, pa përmendur shumë më tepër të panjohura apo të harruara. Të gjitha këto e kanë pasuruar dhe lëmuar rrugën tonë, dhe janë pikërisht ato, që më kanë shoqëruar në çdo hap timin. Kështu, kur fillova të shkruaj, kishte shumë pak pengesa materiale në rrugën time. Pianot dhe modelet, Parisi, Vjena dhe Berlini, apo shoqëria mondane me zotërinjtë apo të dashurat e burrave të martuar, nuk janë kushte të domosdoshme për t‘u bërë shkrimtare. Fakti që letra dhe boja e shkrimit është e lirë në treg është, sigurisht, arsyeja pse gratë ecin më përpara si shkrimtare, se në profesionet e tjera.

Por, le t‘ju tregoj historinë time - është e thjeshtë. Juve ju duhet vetëm të imagjinoni një vajzë, vetëm në dhomë, me penën e saj. Asaj i duhej vetëm ta lëvizë atë penë, nga ora dhjetë deri në një. Më pas, i duhej të bënte gjënë më të thjeshtë, e, mbi të gjitha, më të lirën - të vendoste ca nga ato faqe brenda një zarfi, të ngjiste në cep të tij një pullë një peni dhe ta hidhte atë zarf te kutia e kuqe postare në kthesë të rrugës. Kështu, u bëra gazetare, dhe mundi im u shpërblye që ditën e parë të muajit pasardhës. Ishte një ditë e lavdishme për mua. E bëri të tillë letra e një redaktori, që kishte brenda dhe një çek prej një paundi, dhjetë shilingash e gjashtë pensësh.

Por, po ju tregoj sa pak e meritoja atëherë të quhesha grua profesioniste, sa pak dija rreth vështirësive dhe pengesave, më duhet ta pranoj që, në vend që ta shpenzoja atë shumë parash për bukë e gjalpë, qira, këpucë e geta, ose për faturat e kasapit, dola e bleva një mace të bukur persiane, por që shumë shpejt më futi në mosmarrëveshje e sherre me fqinjët.

A kishte gjë më të thjeshtë se të shkruaje artikuj, dhe, me përfitimet e tyre të blije mace persiane? Por, prit një çast. Artikujt duhej të kishin një bosht, duhej të argumentonin një ide. I imi, mbaj mend, ishte rreth një novele të shkruar nga një burrë i famshëm. Por, ndërsa shkruaja, zbulova se nëse do të jepja opinionin tim të vërtetë dhe të sinqertë, duhet të bëja një luftë, një betejë të vërtetë me një fantazmë të sigurt, reale.

Dhe fantazma ishte një grua, të cilën, kur e njoha mirë, e quajta "Engjëlli i shtëpisë", që ishte heroina e një poeme të famshme, shumë të njohur për të gjithë. Unë shkruaja, por ajo nuk më ndahej; rrinte midis meje dhe letrës sime. Më shqetësonte, më rrëmbente orë të tëra, më shpenzonte kohën time, edhe kur isha duke shkruar, edhe kur bëja punë të tjera, apo pushoja. Shkurt, më torturonte, gjersa, më në fund, më torturoi aq shumë sa e vrava.

Ju, që vini nga një brez i ri dhe më i lumtur, mund të mos keni dëgjuar rreth saj, mund të mos më kuptoni fare ç‘dua të them për "Engjëllin e shtëpisë". Unë do ta përshkruaj sa më shkurt të mundem. Ajo ishte e mësuar dhe e kalitur dhe nuk kërkonte asgjë për vete; asnjë dëshirë nuk shprehte po të ishte për të. Preferonte gjithmonë të dëgjonte mendimet e të tjerëve dhe të luftonte për të plotësuar vetëm dëshirat e tyre. Mbi të gjitha, më duket e tepërt ta them - ajo ishte e pastër, e papërlyer. Kjo cilësi, mesa dukej, përbënte dhe thelbin e bukurisë së saj - skuqja e faqeve, përulësia e madhe. Engjëll i vërtetë. Në kohën e mbretëreshës Viktoria, çdo shtëpi kishte engjëllin e saj, shembullin që duhej të ndiqte dhe imitonte.

Këto janë arsyet, që kur fillova të shkruaja artikullin tim, engjëllin fillova ta dëgjoj dhe të jetoja me të, me imazhin dhe hijen e saj, që në fjalët e para. Hija e krahëve të saj ra mbi faqen time; nëpër dhomë dëgjoja zhurmën e fundit të saj. Për një çast, dua ta theksoj këtë, doja të shkëputesha nga imazhi i saj. Mora penën në dorë dhe doja të hidhja në letër mendimin tim, personal, mbi novelën e burrit të famshëm. Por, ajo, rrëshqiti lehtas pas meje dhe më pëshpëriti: "E dashura ime, ti je një vajzë e re. A e kupton mirë se ç‘do të thotë të shkruash rreth një libri të shkruar nga një burrë? Ji e dëgjueshme në ato që shkruan; e përulur. Ji femër. Jep vetëm kënaqësi dhe dashuri. Artin e të qenurit femër dhe përkëdhelitë karakteristike të gjinisë sonë, përdori me vendosmëri për të mos lënë askënd të zbulojë mendimet e tua dhe se ke një mendim tëndin. Mbi të gjitha, ji e papërlyer". Dhe ajo arriti atëherë ta drejtonte penën time.

Tani, unë shkruaj vetëm për ato ngjarje e veprime, të cilave u besoj dhe për të cilat kam bindje personale. Gjithsesi, këtë besim në veten time unë ua dedikoj edhe disa paraardhësve të mi të shkëlqyer. Ata më lanë një shumë parash - le të themi pesëqind paund në vit, kështu që, për mua nuk ishte e nevojshme që, për të jetuar, të varesha vetëm "nga sytë e bukur", nga pamja e jashtme.

Tanimë, e sigurt dhe e bindur, u ktheva nga "Engjëlli" dhe e kapa për fyti. Bëra gjithçka për ta vrarë. Shfajësimi im, nëse do të më akuzonin në gjyq, do të ishte se veprova për vetëmbrojtje. Nëse nuk do ta kisha vrarë unë atë, do të më vriste ajo mua. Ajo do më shkulte zemrën, do të nxirrte jashtë shkrimeve të mia dhe ato që ishin pa zemër.

Tani, menjëherë sa vura penën mbi letër, se si m‘u duk. Nuk duhet të shkruani as edhe një tregim a novelë të vetme pa pasur një mendim krejt tuajin rreth asaj që do të shkruani, pa shprehur mendimin tuaj personal dhe të lirë rreth marrëdhënieve njerëzore, moralit apo seksit.

Por, sipas "Engjëllit të shtëpisë", asgjë nga këto probleme nuk mundet dhe nuk duhen trajtuar me lirshmëri e hapur me gratë. Sipas "Engjëllit", ato duhet të qëndrojnë të tërhequra, të fshehura. Thënë troç, ato duhet të thonë gënjeshtra nëse duan të ecin përpara.

Kështu pra, edhe më vonë, sapo ndieja ndopak hijen e krahut të "Engjëllit" mbi kokën time, merrja bojën e shkrimit dhe e spërkasja atë.

Është shumë më e vështirë të vrasësh një fantazmë se dikë të vërtetë. Edhe pse e qetësoja veten për të disatën herë se e kisha vrarë "Engjëllin", nuk ishte plotësisht e vërtetë. Lufta me të ishte shumë e rëndë dhe e mundimshme.

Veç të tjerash, më mori edhe shumë kohë, që do të ishte shumë më mirë ta kisha shpenzuar për të mësuar gramatikën e gjuhës greke; ose në kërkim të aventurave.

…Por ishte një eksperiencë e vërtetë; ishte një përvojë që do të ndodhte, me siguri të gjitha shkrimtareve në atë kohë.

Por, le të vazhdoj historinë time. Engjëlli vdiq; çfarë mbeti? Ju mund të thoni se ajo që mbeti ishte një objekt i thjeshtë dhe i zakonshëm - një vajzë e re, në një dhomë me letrën dhe bojën e shkrimit përpara. Me fjalë të tjera, tani që e kishte çliruar veten nga mbrojtësja e saj e gënjeshtërt, asaj vajze të re i duhej të ishte dhe të mbetej gjithmonë vetvetja. Ah, por ç‘është vetvetja? Dua të them, ç‘është një grua? Ju siguroj që nuk e di. Nuk besoj që edhe ju ta dini. Nuk besoj se dikush mund ta dijë deri në çastin kur ajo, gruaja, ta shfaqë veten në letërsi, në të gjitha artet dhe në të gjitha profesionet e hapura ndaj aftësisë njerëzore. Në të vërtetë, kjo është një nga arsyet pse kam ardhur këtu. Unë kam shumë respekt për ju, por unë po ju pyes: cila nga ju mund të thotë ç‘është gruaja? Ǒështë një grua? Dhe kjo, sigurisht, nisur nga sukseset e dëshirat e njerëzve, nga përvoja e secilës.

Por, le të vazhdojmë me historinë e përvojave të mia profesionale. Fitova një paund, dhjetë shilinga e gjashtë pens nga botimi im i parë dhe bleva një mace persiane. Më pas, u bëra ambicioze. Një mace perse është shumë mirë, mendova, por ajo është e pamjaftueshme. Tani më duhet një makinë. Dhe kështu vazhdova të punoj dhe u bëra noveliste. Është vërtet diçka e çuditshme, mendoja, që njerëzit të japin një makinë thjesht nëse u tregon një histori. Por, më dukej akoma më e çuditshme, kur mendoja se nuk ka kënaqësi më të madhe se të thuash këtë histori.

Dhe, akoma më tej, nëse do t‘i bindem deri në fund sekretares suaj dhe të tregoj më shumë rreth përvojave të mia profesionale, duhet t‘ju tregoj një përvojë të çuditshme që përjetova si noveliste. Por, për ta kuptuar si duhet atë, ju, fillimisht, duhet të përfytyroni gjendjen psikologjike dhe emocionale të një novelisteje.

Nuk mendoj se jam duke thënë ndonjë sekret të madh profesional, po t‘ju them se dëshira kryesore e një novelisti, e një shkrimtari është që, në momentet që shkruan, të vihet në një gjendje sa më të përqendruar rreth asaj që shkruan. Shkrimtarit i duhet që, në njëfarë mënyre, ta detyrojë veten për t‘u vënë në këtë shkallë të lartë përqendrimi, një angazhim maksimal, jo vetëm i ndërgjegjes, por edhe i nënndërgjegjes. Ndërsa shkruan, shkrimtari kërkon qetësi maksimale përreth dhe jeta të rrjedhë me rregullsinë më të madhe të mundshme. Kështu që, asgjë të mos mund t‘ia thyejë iluzionin, në të cilin po jeton, të mos e bezdisë e të mos e pengojë hetimin e tij special e misterioz dhe zbulimet e papritura të shpirtit dhe të imagjinatës së tij. Dyshoj, nëse kjo gjendje është e njëjtë, si për meshkujt ashtu dhe për femrat.

Pavarësisht kësaj, kam dëshirë që, për një çast të më përfytyroni në pritje të kësaj gjendjeje të pavetëdijshme. Dua të imagjinoni një vajzë të ulur pranë tavolinës, me një penë në dorë, e cila për minuta, e madje për orë të tëra, nuk mundet të zhytet dot në bojën e shkrimit, të mbërthehet pas letrës e të fillojë të shkruajë. Imazhi që më vjen tani ndërmend, kur mendoj për këtë vajzë, është ai i një peshkatari të zhytur në ëndrra, në breg të një liqeni të thellë, me një grep të hedhur në ujë. Vajza po e linte fantazinë e saj të kalonte në mënyrë të pavetëdijshme rreth çdo shkëmbi dhe të çare të botës, që gjendet në thellësitë e qenies sonë të pavetëdijshme.

Dhe tani, besoj, erdhi përvoja që është më e zakonshme dhe më e veçantë te shkrimtaret femra, se tek ata meshkuj. Pena në dorën e vajzës lëvizi dhe rreshti në letër, kaloi nxitimthi mes gishtave të saj. Imagjinata e vajzës iku larg. Kërkoi zonat me dritë, thellësitë, vendet e errëta ku përqendrohej peshku i madh. E aty, pati një thyerje. Aty ndodhi një shpërthim. Aty pati turbullirë, konfuzion. Imagjinata shkoi me shpejtësi drejt diçkaje të keqe. Vajza u zgjua nga ëndrra. Me siguri duhet të ketë qenë në gjendje mërzie të madhe dhe të vështirë. Të flasim pa dorashka: ajo kishte menduar për diçka; diçka rreth trupit të saj, rreth pasioneve të saj, por që, për të si femër, ishte e ndaluar t‘i thoshte. Burrat, mendoj, që do të tronditeshin po t‘u tregoja atë që përfytyrova, që pashë dhe ndjeva. Mendimi, se ç‘do të thoshin burrat për një grua që thotë të vërtetën rreth pasioneve të saj, e zgjoi vajzën nga gjendja e pavetëdijes së artistes. Ajo nuk mund të shkruante më tej. Pavetëdija mbaroi. Imagjinata e saj nuk mund të punonte më.

Pra, kjo, mendoj është një përvojë e zakonshme për shkrimtaret femra. Ato pengohen nga mendimi ekstrem, tradicional i seksit tjetër. Ndërkaq, meshkujt, në mënyrë inteligjente, i lejojnë vetes liri të madhe në këtë aspekt. Dyshoj, se ata, jo vetëm e kuptojnë, por edhe duan ta kontrollojnë, ta pengojnë e ta dënojnë lirinë e të shkruarit te femrat.

Këto kanë qenë më vonë, dy përvojat e mia më të sinqerta. Këto qenë dy aventurat e jetës sime profesionale. E para: të vrisja "Engjëllin e shtëpisë" - mendoj se e zgjidha. Ai vdiq. Por, të dytën, të thosha të gjitha të vërtetat rreth eksperiencave të mia trupore, nuk mendoj se e zgjidha. Dyshoj ende në e ka zgjidhur ndonjë grua. Pengesat kundër saj janë ende shumë të mëdha - dhe akoma më të mëdha e më të vështira për t‘u përcaktuar. Pa këto, a ka gjë më të lehtë se të shkruash libra? Cilat janë pengesat e tjera që ekzistojnë për një grua, në krahasim me një burrë? Gruaja ka ende shumë fantazma, me të cilat duhet të luftojë, shumë paragjykime për të mundur.

Mendoj se një grua, që t‘ia dalë mbanë për të shkruar një libër, duhet që, para se të ulet për të shkruar të gjejë e ta vrasë fantazmën e ta godasë fort e ta copëtojë atë shkëmb që e pengon. Dhe, nëse kjo është në profesionin e ne grave që merremi me letërsinë, si është vallë liria e profesioneve të tjera për gratë? Si është në profesionet e tjera, ku ju po hyni për herë të parë? Ja, këto janë pyetjet që, po të kisha kohë, do të doja të dëgjoja përgjigjet tuaja. Dhe, në të vërtetë, nëse e vura theksin në ato përvoja të miat profesionale për të cilat ju fola, besoj se, edhe pse në forma të ndryshme, janë gjithashtu edhe tuajat. Edhe nëse, në pamje të jashtme, duket sikur nuk ka asgjë që ta ndalojë një grua të bëhet mjeke, avokate, punonjëse sociale, ka shumë fantazma dhe pengesa, besoj që mjegullojnë rrugën e saj.

Mendoj se këto mund të diskutohen për të gjetur rrugën e kalimit të vështirësive. Por, edhe arritjet, të cilat nuk mendoj se mund të merren si të vërteta të përjetshme dhe universal. Ato duhet të studiohen me shumë kujdes dhe për një kohë të gjatë. Mendoj se ka një interes dhe rëndësi të jashtëzakonshme gjë që po ndodh këtu, në këtë sallë të mbushur me gra që, për herë të parë në histori, po studiojnë dhe praktikohen, s‘di në sa profesione. Ju keni fituar dhomat tuaja, në shtëpinë, deri më sot, ekskluzivisht vetëm pronë e burrave. Jeni të afta që, sigurisht, me punë e me mund të madh, të paguani qiranë. Ju po fitoni pesëqind paundet tuaja në vit.

Por, kjo liri është vetëm fillimi. Dhoma, vërtet është e juaja, por ende bosh. Duhet të mobilohet, duhet të zbukurohet, duhet të ndahet me të tjerët. Si do ta mobiloni, si do ta zbukuroni, si do ta ndani dhe nën çfarë kushtesh kontrate?

Këto, mendoj unë, janë pyetjet e interesit dhe rëndësisë më të madhe. Për herë të parë në histori, ju jeni të afta të vendosni cilat do të jenë përgjigjet për veten tuaj. Me kënaqësi do të qëndroja dhe do të diskutoja rreth atyre pyetjeve dhe përgjigjeve, por jo sonte. Koha që kisha në dispozicion mbaroi dhe më duhet ta mbyll këtu.

Ah, por ç‘është vetvetja? Dua të them, ç‘është një grua? Ju siguroj që nuk e di. Nuk besoj që edhe ju ta dini. Nuk besoj se dikush mund ta dijë deri në çastin kur ajo, gruaja, ta shfaqë veten në letërsi, në të gjitha artet dhe në të gjitha profesionet e hapura ndaj aftësisë njerëzore.

Fitova një paund, dhjetë shilinga e gjashtë pens nga botimi im i parë, dhe bleva një mace persiane. Më pas, u bëra ambicioze. Një mace perse është shumë mirë, mendova, por ajo është e pamjaftueshme. Tani më duhet një makinë. Dhe, kështu, vazhdova të punoj dhe u bëra noveliste...

Ndërsa shkruan, shkrimtari kërkon qetësi maksimale përreth dhe jeta të rrjedhë me rregullsinë më të madhe të mundshme. Kështu që, asgjë të mos mund t‘ia thyejë iluzionin, në të cilin po jeton, të mos e bezdisë e të mos e pengojë hetimin e tij special e misterioz dhe zbulimet e papritura të shpirtit dhe të imagjinatës së tij. Dyshoj, nëse kjo gjendje është e njëjtë, si për meshkujt, ashtu dhe për femrat

Shkrimtaret femra pengohen nga mendimi ekstrem, tradicional i seksit tjetër. Ndërkaq, meshkujt, në mënyrë inteligjente, i lejojnë vetes liri të madhe në këtë aspekt. Dyshoj, se ata, jo vetëm e kuptojnë, por edhe duan ta kontrollojnë, ta pengojnë e ta dënojnë lirinë e të shkruarit te femrat

Adeline Virginia Woolf (1882-1941) konsiderohet si një prej shkrimtareve më në zë të shekullit XX. Ajo nuk ishte vetëm një grua, që në kohën e saj ushtronte një profesion të paragjykuar, që kryesisht i shkonte meshkujve, por ishte tepër e impenjuar edhe në betejën për barazinë e të drejtave mes dy sekseve. E tillë është edhe letra që shkrimtarja britanike i ka dërguar "Shoqatës së shërbimit të grave", në të cilën ajo rrëfen fillesat e saj në një profesion që paragjykohej fort, si një profesion burrash, flet për suksesin, luftën e brendshme për të shprehur ndjesitë e saj të vërteta, në një botë ku për gruan nuk ishte shumë e lejueshme... "Cilat janë pengesat që ekzistojnë për një grua, në krahasim me një burrë? Gruaja ka ende shumë fantazma, me të cilat duhet të luftojë, shumë paragjykime për të mundur", shkruan Woolf. A vazhdon ende e njëjta situatë? A paragjykohen ende gratë që zgjedhin të kryejnë të njëjtat profesione njësoj si edhe burrat? "Ajo kishte menduar për diçka; diçka rreth trupit të saj, rreth pasioneve të saj, por që, për të si femër, ishte e ndaluar t‘i thoshte. Burrat, mendoj, që do të tronditeshin po t‘u tregoja atë që përfytyrova, që pashë dhe ndjeva. Mendimi, se ç‘do të thoshin burrat për një grua që thotë të vërtetën rreth pasioneve të saj, e zgjoi vajzën nga gjendja e pavetëdijes së artistes. Ajo nuk mund të shkruante më tej. Pavetëdija mbaroi. Imagjinata e saj nuk mund të punonte më...", thotë më tej Virginia. A vjen aktuale letra e shkruar në një shekull tjetër, prej shkrimtares Virginia Woolf? Ndjesitë i përkasin lexuesit, ajo, shkrimtarja britanike, "luftëtarja e emancipimit", merr përsipër të rrëfejë eksperiencën e saj, të flasë për veten. Kush dëshiron, kush e lë veten të lirë, le të nxjerrë mësimet përkatëse...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›