E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncertet e Pranverës, mbrëmje në Akademinë e Arteve me sopranot Evis Mula dhe Sindi Mamaqi



Pasditen e sotme, talentet e reja të muzikës rikthejnë në skenën shqiptare klasikët botërorë. Për shfaqjen e radhës të Stinës Koncertore të Pranverës në Akademinë e Arteve, në kryeqytet, janë zgjedhur artistët e rinj, të talentuar të kantos dhe të pianos, të cilët do të ngjiten në skenë për të interpretuar pjesë nga repertori i zgjedhur i kompozitorëve të njohur botërorë si Puçini, Shubert, List, Hajden, Verdi, Mozart, Brahms etj. Sopranot e përzgjedhura nga drejtori artistik prof. Sokol Shupo dhe dirigjenti i njohur Alqi Lepuri, të cilat do të shfaqen në këtë mbrëmje koncertore janë Evis Mula dhe Sindi Mamaqi. Gjithashtu, do të këndojë edhe tenori Solen Alla, ndërkohë që do të shoqërojnë në piano Silvana Skënderi dhe Vojsava Mane. Programi ende nuk na jepet me detaje, por bëhet e ditur nga organizatorët se këto pjesë janë zgjedhur për dy arsye; në radhë të parë pasi janë kryevepra të kompozitorëve më të shquar dhe shumë të njohura për publikun dhe gjithashtu, paraqesin një nivel vështirësie që kërkon përgatitje dhe profesionalizëm për t’i realizuar me sukses. Dy sopranot, sidomos Evisi, tashmë është e njohur për të gjithë për pjesëmarrjet e saj nëpër festivale, apo edhe për rolin e prezantueses siç është shfaqur para publikut në të kaluarën. Sa i përket Stinës Koncertore të Pranverës, ajo ka filluar në Akademinë e Arteve në kryeqytetet javën e dytë të muajit të kaluar, (10 mars) dhe do të vijojë me shfaqjet koncertore deri në fundin e gjysmës së parë të qershorit. Stina koncertore ka ngjitur gjithashtu në skenën e Akademisë pedagogë dhe studentë të tjerë të talentuar, për të arritur deri te grupet e huaja nga e gjithë Europa, të cilat kanë ardhur me performancat e tyre të ndryshme, si të ftuar të Stinës Koncertore “Klasik 2009”

22 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›