E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dielat e fundmuajve rezervojini për muzeumet



Një herë në muaj monumentet vizitohen falas, por këtë ofertë publiku mund ta përfitojë vetëm të dielën e fundit të çdo muaji, me përjashtim të muajve të sezonit turistik veror (qeshor, korrik dhe gusht). Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Turizmit dhe Kulturës, Olsi Lafe ka konfirmuar lajmin duke bërë të ditur se oferta e vizitave falas vlen si për shqiptarët, edhe për turistët e huaj në çdo muze dhe park arkeologjik të vendit. Një vendim i tillë është marrë për të pasur një vizitueshmëri më të lartë të institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe për të informuar më tepër brezin e ri rreth historisë, traditave e vlerave që përmes artit, shqiptarët i trashëgojnë që nga e kaluara deri në ditët e sotme. Çelja e dyerve të muzeumeve falas për publikun do të bëhet gjithashtu në raste të tjera siç janë 18 maji, Dita Ndërkombëtare e Muzeve, apo Dita e Diversitetit Kulturor (21 maj) etj. Sipas një përllogaritjeje, rreth 20 ditë të këtij viti do t’i gjejnë muzetë pa bileta për publikun.

Cirku i Tiranës nis turin në Shqipëri

Trupa e cirkut të Tiranës çeli dje në Elbasan turin artistik në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i cili do të vijojë edhe në qytetet e tjera të vendit. Në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”, rreth 500 nxënës të shkollave 9-vjecare të qytetit ndoqën pjesë të ndryshme akrobacie, interpretuar nga artistët e rinj të trupës, numra të zgjedhur nga shfaqja e fundit "Lëre shpirtin tënd të fluturojë në cirk”. Vilson Gjoshi prezantuesi i shfaqjes, tha për ATSH-në, se: “Atmosfera që përfshiu Shqipërinë për hyrjen në NATO, na ka nxitur për një projekt shfaqjesh në qytete të ndryshme të Shqipërisë,. i cili starton në Elbasan, një qytet ku prej vitesh cirku interpretonte shfaqje të ndryshme”. Shfaqja e Cirkut të Tiranës në pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” u bë e mundur nga Drejtoria Rajonale e Arsimit dhe Bashkia e Elbasanit. Trupa do të qëndrojë tre ditë në qytetin e Elbasanit, ku të gjitha shkollat e rrethit do të kenë mundësi të argëtohen

22 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›