E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova dhe Sllovenia nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi



Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni dhe homologu slloven, Samuel Zhbogar, nënshkruan dje një marrëveshje, e cila pritet të intensifikojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Marrëveshja, përveç të tjerave, parashikon ndihmën e shtetit slloven për zhvillimin e Kosovës. Shefi i diplomacisë sllovene, Samuel Zhbogar, konfirmoi se për Slloveninë liberalizimi i vizave me Ballkanin Perëndimor është me rëndësi, pasi kompanitë sllovene janë aktive në këtë pjesë të Europës, ndërkohë që në Kosovë janë përqendruar investitorët kryesorë. “Ballkani Perëndimor mbetet ndër prioritetet e larta për politikën e jashtme të Sllovenisë. Progresi i kësaj pjesë në afrimin me strukturat euro-atlantike është prioritet, prandaj Sllovenia do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin e këtyre vendeve”,- u shpreh ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zhbogar. Ministri Zhbogar theksoi se marrëveshja e nënshkruar me institucionet e Kosovës, është bazë për ndihmën që shteti slloven do t’i ofrojë Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve të saj qeverisëse dhe administrative.

Rezoluta e PE-së, Kosova, kusht për Serbinë në BE

Parlamenti Europian do të miratojë një rezolutë pozitive për Ballkanin Perëndimor, në të cilën do të kërkojë nga shtetet anëtare të BE-së që të mos frenojnë vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimeve europiane. Nga vendet e rajonit do të kërkohet gjithashtu të zgjidhin kontestet bilaterale, para se të nisin negociatat për anëtarësim në BE. Rrjedhoja direkte nga kjo rezolutë mendohet të ketë edhe për Serbinë në lidhje me Kosovën. Sipas gazetës “Dnevnik”, Serbisë do t’i duhet ta zgjidhë këtë çështje sa më shpejt. Në tekstin e rezolutës së PE-së paralajmërohen shtetet e Ballkanit Perëndimor se nuk do të mund të fusin në BE problemet e tyre bilaterale dhe të shfrytëzojnë BE-në për zgjidhjen e tyre. Kjo praktikisht do të thotë, se edhe Serbia nuk do të mund të hyjë në BE dhe pastaj të bllokojë hyrjen e fqinjëve të saj, në mesin e të cilave hyn edhe Kosova. Kjo do të thotë se njëfarë zgjidhje me Kosovën duhet të gjendet para fillimit të negociatave që do të zhvillohen në vitin 2012.

22 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›