Koncerti festiv Kosova gëzon, në skenën e TKOB
Me rastin e dyvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore organizuan koncertin Kosova gëzon. Në këtë koncert interpretoi Grupi i Valleve i Ansamblit Popullor, nën drejtimin e të mirënjohurit Rexhep Çeliku, Grupi Vokal nën drejtimin e Gramoz Burbës, Orkestra e Ansamblit Popullor, nën drejtimin e Vladimir Hasimit. I ftuar në këtë koncert kushtuar pavarësisë së Kosovës ishte dhe grupi polifonik
Kaon i Delvinës. Organizatorët e koncertit kishin hartuar një program të pasur me këngë dhe valle nga e gjithë hapësira shqiptare e në veçanti nga trevat e Kosovës, për të treguar edhe një herë solidaritetin që shqiptarët kanë me njëri-tjetrin. Vallja e shqipeve, Vallja e Bajram Currit, kënga Nanë u nisa për në çetë etj, u sollën në skenë për publikun. Repertori i zgjedhur, me këngë dhe valle popullore nga të gjitha trevat e shqiptare krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe të veçantë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ndërkohë që festa e pavarësisë së Kosovës, në Tiranë por dhe Prishtinë u përcoll me një larmi aktivitetesh, të cilat patën si protagonistë artistë të njohur të skenës shqiptare, si dhe emra të njohur të artit dhe kulturës. Data 17 shkurt e këtij viti shënoi dhe përvjetorin e dytë të pavarësisë së Kosovës dhe e konsideruar si një prej ngjarjeve më të rëndësishme për kombin shqiptar, për të festuar këtë ditë institucionet kulturore në Kosovë kishin organizuar zhvillimin e aktiviteteve dhe veprimtarive të ndryshme kulturore. Kështu dje në Prishtinë veç veprimtarive të tjera, nisën edhe një sërë aktivitetesh me këtë rast. Në orën 10:00 u mbajt mbledhja solemne e Asamblesë Komunale të Fëmijëve të Prishtinës, e në mesditë në Teatrin Dodona nisi programi artistik, përgatitur nga Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës. Në orën 13:30 në Bulevardin "Nëna Terezë" u zhvillua një program artistik për fëmijë, ku morën pjesë grupet artistike të fëmijëve dhe të të rinjve të qytetit. Programi qëndron festiv filloi në orën 20:00, në skenën e vendosur para hotel "Iliria", ku debutuan solistë dhe grupet të ndryshme të muzikës popullore dhe muzikës së lehtë. E ndërkohë që këtë vit përvjetori i dytë i pavarësisë së Kosovës pati dhe shumë aktivitete kulturore nga shqiptarët e diasporës. Një pavarësi e kërkuar nga shqiptarët ndër shekuj, ku për të festuar këtë përvjetor në vendin tonë nga Ministria e Kulturës festimet nisën që dy ditë më parë. Kështu festimeve për datën 17 shkurt, i parapriu promovimi i librit E drejta e Vetëvendosjes, Rasti i Kosovës me autor studiuesin e njohur Enver Bytyçi. Një libër studimor, i cili i kushtohet problemit të Kosovës. Ndërkohë që veç AKKVP ishin dhe një sërë institucionesh të tjera kulturore që festuan këtë datë të shënuar për kombin shqiptar, ku të gjitha aktivitetet kishin në fokus tematikë kombëtare.
Xhaferraj, në Kosovë për festën e pavarësisë
Ministri i Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sportit, Ferdinand Xhaferraj mori pjesë në festimet që u zhvilluan dje në Kosovë. Gjatë vizitës së tij, ai theksoi dëshirën e tij e të qeverisë shqiptare për ti thelluar veprimtaritë e përbashkëta në të gjitha fushat e kulturës shpirtërore e materiale. Ai i tha Presidentit të Kosovës Sejdiu se Shqipëria dhe Kosova, si dhe pjesët e tjera të territoreve shqiptare në rajon, do të bashkërendisin punën e tyre për të përkujtuar këtë vit 100 vjetorin e Lindjes së Nënë Terezës. Më tej ai e informoi kreun e shtetit të Kosovës se qeveria shqiptare e ka shpallur vitin 2010, vitin e Nënë Terezës dhe se me veprimtaritë e përbashkëta kombëtare do të synojnë ngritjen e mëtejshme të imazhit të dy vendeve, duke i përkujtuar dhe njëherë botës së qytetëruar se Nënë Tereza nuk i përket njerëzimit vetëm si model i bamirësisë, por edhe si Nënë e lindur dhe e rritur në një familje shqiptare. Gjatë vizitës së tij në Kosovë ministri Xhaferraj dhe delegacioni që e shoqëron pati takime dhe me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, z.Valter Beqiri si dhe personalitete të tjera të politikës, kulturës e sporti. Në takimin e të dy ministrave u nda i njëjti mendim për rritjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore, si dhe të sportit. Dje në orën 11.00 të ditës së Pavarësisë Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve mori pjesë në një seancë përkujtimore të Parlamentit të Kosovës, ku ka ndjekur të gjitha veprimtaritë e zhvilluara për nder të dy vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Nga Julia Vrapi