E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi“Vështirësitë në veri do të zgjidhen me kalimin e kohës”

Autori i Lajmit: Red.
Në pjesën veriore të Kosovës do të ketë vështirësi, por ato vështirësi, me kalimin e kohës, do të zgjidhen në favor të tërësisë territoriale të Kosovës, ka deklaruar në një intervistë për radion “Evropa e Lirë”, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Thirrjet e fundit ruse për vazhdimin e bisedimeve për Kosovën, Krasniqi i ka cilësuar si shantazh që i bëhet jo vetëm Kosovës, por gjithë botës demokratike, ndërkaq ka thënë se procesi i Kosovës ka hyrë në fazën finale dhe se vala tjetër e njohjes nga vendet e botës do të vazhdojë dhe është në rrugë të mirë. I pyetur për mundësinë e dualizmit të misioneve në Kosovë, mes atij të BE-së dhe atij të OKB-së, sidomos në veri të Kosovës, Krasniqi ka thënë se një gjë e tillë mund të ndodhë, mirëpo ai beson se këto dy organizma do të merren vesh me njëra-tjetrën. “Mund të ketë, por unë besoj që BE-ja dhe OKB-ja do ta gjejnë mënyrën më të mirë të kombinimit të përgjegjësive të tyre. Përndryshe, për institucionet e Kosovës është e qartë se përgjegjësia e tyre është pas 15 qershorit”, - ka thënë ai. Sidoqoftë, Krasniqi ka shtuar se, sigurisht në pjesën veriore, do të ketë vështirësi, por ato vështirësi, sipas tij, me kalimin e kohës, do të zgjidhen dhe do të zgjidhen në favor të tërësisë territoriale të Kosovës.
Ky lajm është publikuar: 17/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›