E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderat e 31 dhjetorit(!)

Në ditën e fundit të vitit, në orët e fundit të vitit, midis shumë çudirave të tjera, qeveria shqiptare ka rezervuar për publikun e gjerë edhe një tjetër marrëzi nga më të rrallat. Pikërisht më 31 dhjetor, janë parashikuar të zhvillohen një sërë tenderash(!) Aferim! Kështu, komuna Katund i Ri, Durrës, pritet të zhvillojë tenderin për një rrugë, “Rikonstruksion Sukth-Lapidar”, me një fond limit prej 11.666.666. lekësh. Dhe data e zhvillimit të këtij tenderi, është 31.12.2008, ora 10.00. Edhe bashkia Vorë zhvillon tenderin “Rikonstruksion dhe asfaltim i rrugëve të brendshme të qytetit Vorë”, me një fond limit prej 58.619.614 lekësh. Data e zhvillimit të këtij tenderi, është gjithashtu 31.12.2008. Madje, këtu është menduar mirë edhe ora...15.00(!) Merret me mend se si punon administrata në ditën e fundit të dhjetorit, në orën 15.00 të drekës. Një tjetër tender “tridhjetenjësh” e zhvillon bashkia Rrogozhinë, por kjo për“Blerje Autoveture” dhe me një fond limit prej 2.250.000 lekësh. Data e zhvillimit të garës, po ajo: 31.12.2008(!) Drejtoria Zonale Gjirokastër, gjithashtu na zhvillokërka një tender për “Organizimi i shërbimit për ruajtjen e objekteve me roje private”. Fondi limit në dispozicion: 20.926.464 lekë. Data e zhvillimit të tenderit: 31.12.2008, ora 10.00(!)

Nuk po zgjatemi më tej, se tenderat vetëm paratë i kanë të mira; lajmërimet dhe gjithçka tjetër e tyre, është e mërzitshme. Dhe qeverisë nuk i vjen mirë të mos vlerësosh...vullnetin e saj për punë. Është e kuptueshme edhe përpjekja për të konsumuar deri në fund fondet e planifikuara, paçka se dështimin e kësaj gurguleje, qeveria e ka shpallur këtu e një muaj përpara, (kur i ndau paratë e investimeve si dhurata për Vitin e Ri). Ani! Fundja, këto të shkretë tendera, hollë-hollë duhej të ishin gara të ndershme, ku biznesi dhe qytetarët të konkurronin për të fituar një punë. Me kë e ke?! Fakte të shumta nga jeta e përditshme, kanë treguar se bërja e tenderave është një kopil-llëk i madh. Na vjen turp ta themi, por në një takim të madh me biznesmenë gjermanë, këtu në Tiranë, një ministër i tyre është ankuar sheshit se kompanitë nga vendi i tij nuk kanë qenë asnjëherë të përzgjedhura. (Konferenca sektoriale shqiptaro-gjermane 2008, me temë “Perspektivat e tregut në Shqipëri Energjia - Mjedisi - Ndërtimi”. Ankesa u formulua nga z. Hartmut Schauerte, Sekretar Shteti pranë Ministrisë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë.)

Por le ta lemë mënjanë atë çështje delikate. Dhe le të kthehemi në mjedisin tonë ndyrësisht të pastër. Kemi parë (në Hudënisht të Pogradecit, në mos gabohem), se si ndërtesa ishte përfunduar, kurse firmat e ndërtimit qenë mbledhur për të...konkurruar. Dhe në këto rrethana (më shumë se komike), i zoti i kompanisë që kishte fituar tenderin me kohë e ma vakt, u shpërndau pjesëmarrësve të tjerë ca tufa me lekë, sa për të mos u kthyer edhe ata duarbosh. Të shkretat para të taksapaguesve shqiptarë! Kemi parë...E ç’nuk kemi parë! Atje në Durrës-Kukës, ka shkuar kilometri miliona euro. Mirëpo, po të kërkosh nga pak transparencë, të sulen e të thonë që s’je patriot, je kundër rrugës, të kesh turp, si guxon...Dhe gjepura të tjera këso. Ose është një kompani që na shet energji elektrike dhe që quhet Rudnap. Kjo, or mik, nuk ka lënë tender pa fituar. Flitet se në këtë kompani, një nga aksionerët kryesorë është ai miku i Kryeministrit, Fazlliu, a si i thonë. Po sa firma të tjera të biznesit “demokrat” kanë fituar tendera dhe, patjetër, mirënjohës i janë partisë!

Dhe ja, tani, në fund të këtij viti të suksesshëm, në ditët dhe orët e fundit të tij, gjendemi sërish përpara...tenderash dhe gëzimesh e lumturish të tjera për ca pak individë të lidhur shëndetërisht me shtetin. Më shumë se sa një realitet qesharak, kjo është një shfaqje demagogjie pa fre. Shikoni, qorra! Kaq shumë punon kjo qeveri e kjo administratë, sa që nuk mund të tërhiqen nga veprimtaritë as edhe në ditën e fundit të vitit. E vërteta (në terma zyrtarë) është që 31 dhjetori konsiderohet ditë pune. Por të gjithë e dimë se çfarë pune është kjo e orëve të fundit të vitit. Njerëzit janë shpërqendruar prej ditësh dhe një pjesë e madhe e zyrtarëve ia kanë mbathur jashtë shtetit apo nëpër miq. Shkrehja është deri diku e justifikuar. Por jo. E kundërshton këtë qeveria e sukseseve të papara, qeveria që e ka renditur këtë vend të parin në rajon, bile edhe në Evropë. Jo, në Evropë jemi të dytët. Pas Suedisë. (Mund t’ia kalonim edhe asaj, por e kemi lënë një copë herë përpara, sa për të mos marrë sy...)

Kështu tamam. Në qeveri kanë të tjera perceptime. Jo vetëm që punojnë deri në ditën e fundit të vitit, deri në orët e fundit të vitit, por tamam në ditën e fundit të vitit, në orët e fundit të vitit, organizojnë edhe tendera. Merret me mend se si “lagen” këto tendera në prag të Vitit të Ri. Dhe kjo është të vësh duart në kokë. Sikur të mos mjaftonin 365 ditët e vitit, edhe në atë çastin e fundit fare, shansi për abuzime dhe vjedhje sheshit, mbetet i hapur.

Lum si ne për këtë administratë! Lum si ajo për këtë popull! Lumi na marrtë të gjithëve...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›