AMC, qeveria nxjerr në shitje aksionet shtetërore
Qeveria nxjerr në shtije aksionet e AMC-së që janë ende shtetërore. Bëhet fjalë për 15 për qind të aksioneve të kompanisë së telefonisë celulare AMC, të cilat janë ende në pronësi të shtetit shqiptar. Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për shitjen e aksioneve shtetërore të AMC-së. Kryeministri Berisha tha se qeveria, në kuadrin e politikave të privatizimit, është e vendosur të heqë dorë, nëpërmjet proceseve ligjore transparente, nga pronësitë e sipërmarrjet që duhet të privatizohen dhe nga ajo ç’ka mbetur nga privatizimi. “Shitja e aksioneve që qeveria ka në AMC, - u shpreh Kryeministri, - duhet të shoqërohet me shitjen në mënyrë transparente të aksioneve në të gjitha sipërmarrjet ku ne jemi aksionerë”. Kryeministri Berisha theksoi se ligji që përcakton në një masë të caktuar detyrimin shtetëror për të qenë aksionerë, tashmë është i tejkaluar. “Fryma e këtij ligji u diktua nga përdorimi i mendësisë publike, mendësi e cila tashmë është e tejkaluar. Nuk ka sektor ekonomik në vend, në të cilin sektori privat të jetë më i avancuar. Deri më sot kanë mbetur të tilla pikat, shtyllat e tensionit, aksione dhe puse nafte”. Duke e vlerësuar të suksesshëm procesin e privatizimit, Kryeministri Berisha tha se këtij procesi do t’i nënshtrohen edhe aksionet që qeveria ka në kompani dhe sipërmarrje të ndryshme pas privatizimit të tyre, duke përmbushur në këtë mënyrë zotimin për realizimin e një procesi transparent të privatizimit të sipërmarrjeve publike.
“Privatizimet, - u shpreh Kryeministri, - kanë qenë plotësisht të suksesshme dhe kanë tejkaluar parashikimet në suksesin e tyre. Shpresojmë që edhe INSIG-u, për të cilin është hapur tenderi ndërkombëtar dhe kanë treguar interes të veçantë 8 - 12 kompani, do të privatizohet brenda vitit dhe po kështu aksionet e AMC-së, më pas aksionet e Telekomit, të ARMO-s. Qeveria nuk dëshiron të jetë aksionere. Ajo ka misione e detyra të tjera. Në këtë kontekst, ne realizojmë me sukses të plotë një prej premtimeve më madhore në fushën ekonomike, premtimin e privatizimit transparent të sipërmarrjeve publike”.