“Koncesionet, janë të ligjshme, akuzat e opozitës - histori shpifjesh”

Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti
Ministri i ekonomisë dhe energjetikës Dritan Prifti ka deklaruar dje se koncesionet e hidrocentraleve të dhëna për bashkëjetuesin e deputetes së PD-së Albana Vokshi, janë të rregullta dhe të ligjshme. Sipas Priftit, për këto vendime ka dokumentacion të plotë dhe të rregullt dhe kushdo që dëshiron mund ta shikojë vendimmarrjen. Sipas ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Arian Tartari ka marrë gjithçka konform ligjit të shtetit.
Duke ju referuar dy hidrocentraleve në Kardhiq, Prifti tha se ka dokumentacion të plotë se procedura ka nisur që në vitin 2007 dhe ka përfunduar në vitin 2009.
“Kam dalë përpara jush për t’i dhënë medias kopjen e kontratës meqë opozita kërkoi transparencë. Do të shpërndahet menjëherë për të gjitha mediat kopja e plotë e kontratës së koncesionit e cila është firmosur në këtë ministri në 10 shtator 2009, një kontratë e lidhur me disa kompani: ‘Albania Alba Energy Plus’, ‘Impuls 95’ sh. a., ‘Placific Petrolium’, ‘Albania’ sh. p. k., ‘Art Construcsion’ sh. p. k. Pra, ka qenë një bashkim i katër kompanive që ka konkurruar për koncesionin e hidrocentraleve mbi kaskadën e lumit të Kardhiqit, çdo gjë për hir të së vërtetës është ligjore dhe është një proces i cili ka zgjatur rreth dy. Unë në syrin jo vetëm të politikanit, por dhe të një eksperti, nuk shoh absolutisht as një nxitim nuk shoh as një shkelje ligji në këtë kontratë, nuk shoh as edhe një problem, përkundrazi është një nga kontratë e cila është përpunuar dhe negociuar për një kohë shumë më të gjatë se sa dhe shumë kontrata të tjera në Ministrinë e Ekonomisë”, garantoi Prifti.
Deklaratat e ministrit vijnë në përgjigje të akuzave të Partisë Socialiste sipas të cilës bashkëjetuesi i deputetes së PD-së ka fituar gjashtë koncesione HEC-esh brenda një dite.
Ministri i Ekonomisë u shpreh i gatshëm t’i verë në dispozicion opozitës të gjitha kopjet e kontratave koncensionare që kjo Ministri ka lidhur gjatë këtij viti.
“Sot i kam dhënë një urdhër me shkrim Sekretarit të Përgjithshëm, ku i them në çdo rast që opozita apo kushdo qoftë, kërkon të ketë kopje të kontratave koncesionare të lidhura nga kjo Ministri në çfarëdo periudhe t’i vihen asaj menjëherë në dispozicion, sepse realisht nuk kemi gjë për të fshehur. Të gjitha kontratat që janë bërë janë bërë në një mënyrë ligjore duke respektuar gjithë institucionet e shtetit dhe janë negociuar këtu ku janë aprovuar nga APP si dhe janë konsultuar me ministritë e tjera, është konsultuar me avokatin e shtetit, pra e gjithë procedura që ka ligji i koncesionit dhe ligji i prokurimeve është zbatuar deri në një”, tha ministri i Ekonomisë.
Prifti kujtoi se akuzat që vijnë nga PS s’duhen marrë për bazë pasi ato janë thjesht histori shpifjesh.
“Mua më vjen keq që Partia Socialiste vazhdon me një politikë ekzagjerimesh dhe shpifjesh. Filluan shpifjet me mua duke sajuar histori te ndryshme për pasurinë time, pastaj vazhduan me Albana Vokshin dhe nuk dihet me kë do vazhdojnë më tej. Nuk është meritë të manipulosh të vërtetën pasi nuk bëhet politikë duke manipuluar të vërtetën dhe duke shpifur. Shpif, shpif se diçka do të mbetet përsëri nuk është politikë që duhet ta ketë primare opozita jonë duke nxjerrë 5 veta në ditë që përsërisin të njëjtën gjë, që shpifin të njëjtën. Prandaj dola vetë sot; t’ju jap kontratën e Kardhiqit dhe ta shohin të gjithë. është një kontratë standarde, tip, pothuajse e njëjta kontratë që është firmosur me 100 e disa koncesionarë të tjerë pa asnjë lëshim të veçantë pa dhënie të asnjë të drejte që se kanë marrë dhe koncesionarët e tjerë”, deklaroi më tej ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti.