Zhduket Rama, s’guxon të bëjë publike pasurinë e tij dhe atë të partnerëve

Deputeti i PD, Gerti Bogdani denoncoi fshehjen e kyesocialistit nga detyrimi publik për të zbardhur 20 përqindëshat e lejeve të ndërtimit
Partia Demokratike kërkoi dje përgjigje nga Edi Rama në lidhje me akuzat që janë bërë ndaj tij për abuzimet me lejet e ndërtimit. Përmes një deklarate para medias, deputeti demokrat Gerti Bogdani, tha se kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama duhet të japë shpjegime për pasurinë e tij të fshehur dhe për akuzat sipas të cilëve ai ka marrë dhe merr ryshfet dhe përfitime në këmbim të lejeve të ndërtimit. “Jam para jush për t’i kujtuar zotit Rama se ditët po kalojnë dhe ai vazhdon të heshtë dhe të fshihet ndaj akuzave të ndërtuesve mbi 20 për qind që ato janë të detyruar t’i kalojnë Leprit të Ramës për çdo leje ndërtimi. Pas akuzës që ndërtuesi Dodë Doçi i ka bërë Ramës se i ka kërkuar 20 për qind të vlerës për një leje ndërtimi, akuzës së ndërtuesit tjetër të njohur Dine Frashëri, për 20 për qind që është detyruar t’i japë Edvin Ramës për lejen e ndërtimit, akuzës së medias dhe deputetes Vokshi me dokumente e prova se 20 për qind e kontratës së vlerës së ndërtimit tek liqeni është detyruar të kalojë në emrin e Leprit të Ramës, unë dhe qytetarët presim përgjigje. Shqiptarët presin shpjegimet e tij. Por Kryetari i Partisë së Leprit, nuk ndihet i gjallë, nuk dihet ku është, nuk dihet ku fshihet”, u shpreh në deklaratën e tij për shtyp, Bogdani. Deputeti demokrat kërkoi shpjegime për heqjen e Ramës ndërsa solli në vëmendje se kryetari i bashkisë duhet të informojë për numrin e lejeve të ndërtimit gjatë 12 viteve me radhë dhe gjobën përkatëse për secilën prej tyre. “çfarë e mundon kaq rëndë Mr. 20 për qindëshi? Pse i ka ikur zëri? Qytetarët me të drejte pyesin: Sa është numri i lejeve të ndërtimit që Edvin Rama me Leprin e tij kanë dhënë në 12 vite? Sa milion është shitur çdo njëra prej tyre? Sa ka arritur pasuria e grumbulluar në favor të kryetarit të partisë së Leprit? Sa ka kaluar në emër të partnerëve? Fol zoti Rama. Bëhu burrë e jep shpjegime. ‘Carta canta’, Zoti Rama”, përfundoi deklaratën e tij për shtyp, deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.
...