E Diel, 1 Nëntor 2026

Koncesioni i Durrës-Kukës, MPPT po shqyrton ofertat

Burime nga MPPT, megjithëse nuk dhanë detaje se sa kompani kanë paraqitur ofertat ekonomike dhe se kur pritet të përfundojë procesi i përzgjedhjes së kompanisë fituese, thanë se komisioni i vlerësimit të ofertave është duke shqyrtuar ofertat e paraqitura.

Pranë ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, paraqitën interes për pjesmarrjen në tender 5 kompani ndërkombëtare konkretisht, Strabag&Intertoll Consortium, J&P-Avax&Egis Consortium, Hochtief PPP Solution GMBH, Autostrada Brescia-Verona-Vicensa-Padova, Vinci Concessions SAS-Aktor Concessions SP.

Në kërkesë parashikohet që koncesionari, subjekt i një sërë standardesh performance, do të jetë përgjegjës për operimin dhe mirëmbajtjen e autostradës, duke përfshirë dhe mirëmbajtjen e tunelit të Thirrës, 5.6 km të gjatë, me dy korsi, operimin e një stacioni për mbledhjen e tarifës, dublimin e një segmenti 26 km të gjatë të autostradës si dhe ndërtimin e disa strukturave shtesë. Ministria, në bashkëpunim me konsulentët e saj, ka bërë studimet e duhura për projektin, kopje të së cilit iu u vunë për më shumë se dy muaj në dispozicion ofertuesve. 

Ftesa për oferta u hap nga data 19 dhjetor dhe afati i fundit i pranimit të dokumentave parakualifikuese ishte 27 shkurti.  Autostrada Durrës-Kukës-Morinë u inaugurua në qershor të vitit 2009. Kjo autostradë lidh Durrësin me vendkalimin kufitar me Kosovën, në Morinë, ndërsa kalon nëpër Milot, Rrëshen, Reps, Thirrë, Kalimash e Kukës.

Ajo ka një gjerësi 25-31 metra, gjatësi prej 170 kilometra dhe në të arrihet shpejtësi nga 80–120 km/h. Nga kufiri në Morinë deri në Durrës, rruga ekzistuese që përshkohej për 6 deri 7 orë, është kthyer në një rrugë të shpejtë që mund të kalohet për vetëm 2,5 orë. 

Autostrada afron Kosovën me Shqipërinë dhe bregdetin e Adriatikut, duke u lidhur edhe me një projekt të ngjashëm në Kosovë, autostradën Merdare-Vërmicë, momentalisht në zhvillim e sipër. /Start/

                                                                                             2012-04-22 09:37
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›