Kondi dhe Alibeaj, replika për zgjedhjet në gjykata
Në përfundim të mandatit të tij, kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, ka shpërthyer dje në akuza të ashpra ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Duke shfrytëzuar pjesëmarrjen në konferencën për "Drejtësi të Pavarur", e organizuar nga Universiteti "Marin Barleti", dje paradite në Tiranë, Kondi ka sulmuar procesin e zgjedhjes së kryetarëve të disa gjykatave në vend. "Nuk mund të ketë reformim të gjyqësorit, kur në vend të vlerave promovohet paaftësia dhe antivlera, kur procesi i konkurrimit kthehet në një farsë klienteliste dhe shpërfillet gjykimi i ndershëm dhe profesional. Për fat të keq, ky realitet u shfaq dhe në disa emërime të fundit të kryetarëve të gjykatave nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë", ka deklaruar kryetari i Gjykatës së Lartë. Ai është ndalur në nevojën e përcaktimit të kritereve të drejta për rekrutimin dhe promovimin e gjyqtarëve, çka sipas tij nuk është bërë nga KLD-ja: "Mirëfunksionimi i gjyqësorit nuk mund të arrihet me fushata propagandistike. Në mënyrë të veçantë rekrutimi dhe promovimi në gjyqësor duhet të bëhet në bazë të kritereve të drejta, objektive dhe transparente"
I pranishëm në këtë konferencë, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, është ndaluar në domosdoshmërinë që pavarësia e gjyqësorit duhet të shoqërohet me përgjegjshmërinë e gjyqtarëve. "Pa pavarësi nuk mund të ketë përgjegjshmëri dhe e kundërta përgjegjshmëria është parakusht i nevojshëm dhe i domosdoshëm për pavarësinë gjyqësore. Është e tepërt të sjell në vëmendjen tuaj aksiomën e njohur të pavarësisë nga politika dhe varësinë nga ligji. Thelbi dhe çelësi i suksesit është në kuptimin e dhënies së drejtësisë, jo si privilegj i gjithsej më shumë se 300 njerëzve, por si një shërbim shtetëror i 300 njerëzve ndaj shtetasve të vet", ka thënë Alibeaj. Sipas tij, reforma është shumëdimensionale. Për ministrin e Drejtësisë "është e pamundur dhe nuk duhet që të thjeshtojmë të gjithë punën në çështjen e një apo disa ndryshimeve ligjore. Në radhë besoj se duhet ta konsiderojmë atë si reformë mentalitetesh, mentalitet të të tre pushteteve që duhet të kapërcejnë vështirësitë e çastit dhe të adaptohen me kushtet e Shqipërisë së vitit 2008 dhe sfidat e integrimit të saj evropian".