Topalli mbron Mediun, akuzon Shtabin
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka nisur dje një letër zyrtare Kryeprokurores Ina Rama, në të cilën merr hapur në mbrojtje ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, dhe sulmon Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Në letrën prej tri faqesh, me numër protokolli 1990, datë 03.06.2008, kreu i legjislativit shprehet se "Kuvendi është i angazhuar t‘i japë të gjithë mbështetjen e nevojshme institucionale organit të prokurorisë në procesin e hetimit të tragjedisë së Gërdecit, në të cilën gjetën vdekjen 26 vetë e pati të tjerë të plagosur". Në letrën e saj, Topalli vë në dijeni zyrtarisht Kryeprokuroren Ina Rama se dosja e paraqitur në Kuvend për heqjen e imunitetit të deputetit Mediu, nga të gjithë deputetët, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, është konsideruar e mangët për të faktuar pretendimet e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme. "Këto vlerësime të anëtarëve të këshillit u shprehën publikisht në media. Në mënyrë të veçantë jo i bazuar është gjetur pretendimi juaj se në proces nuk janë përshirë Forcat e Armatosura", thekson Topalli në shkresën e saj drejtuar Kryeprokurores së Republikës. Më tej, Topalli i kujton Ina Ramës se në mbledhjen e këshillit deputeti Mediu ka deklaruar që janë rreth 30 dokumente zyrtare, të cilat faktojnë se çdo gjë është e miratuar, e përcaktuar nga autoritetet ushtarake të të gjitha niveleve sipas detyrës. Në shkresë theksohet se shumë nga këto dokumente janë botuar në organet e shtypit, ose paraqitur në mediat elektronike. "Është në detyrën tuaj t‘i paraqisni Parlamentit dokumentet e plota, të cilat faktojnë pretendimin tuaj për mospërfshirjen e Forcave të Armatosura në këtë proces, në mënyrë që ky Parlament të gjykojë e të marrë vendimin që duhet", thekson më tej në letrën e saj Kryetarja e Kuvendit. Duke marrë në mënyrë të hapur në mbrojtje deputetin Mediu dhe duke ngritur akuza ndaj autoriteteve ushtarake, Kryeparlamentarja thekson në letrën e saj se "në media janë botuar dokumente që vërtetojnë katërcipërisht se autoritetet ushtarake janë të përfshira në çdo etapë të këtij procesi, nga fillimi deri në momentin e eksplozionit katastrofik. Këto autoritete janë hartuesit e vendimit 138 të qeverisë, të urdhrave dhe udhëzimeve, të përzgjedhjes së vendit, të çmontimit në përgjithësi dhe predhave të kalibrave të mëdha në veçanti, në ruajtjen e tij, si dhe në transportin e municioneve". Për të shmangur çdo lloj keqkuptimi për njëanësi, sipas Topallit, prokuroria duhet të sjellë çdo dokument për këtë çështje në Kuvend dhe të faktojë ku është shmangur autoriteti ushtarak, meqë në përzgjedhjen e vendit, në transportin e qindra tonë predhave në ditë, të të gjithë kalibrave, me vizitat në vendngjarje, në ruajtjen e vendit, e deri në dërgimin e fadromave e kontejnerëve, dokumentet e bëra publike në media provojnë se në këtë çështje janë përfshirë- duke pasur dijeni e firmosur në të gjitha dokumentet që përbëjnë bazën e procesit që solli atë katastrofë -autoritetet ushtarake të të gjitha niveleve të vendit. Gjithashtu, për t‘i ardhur në "ndihmë" organit të akuzës, Topalli ka renditur nëntë kërkesa, shkresat e të cilave plotësojnë dosjen e kërkuar nga deputetët për imunitetin e kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu.
Ambasadori amerikan takohet me Ina Ramën: Të shqyrtohet urgjent imuniteti i Mediut
Uidhers: SHBA, e zhgënjyer ndaj presionit mbi prokuroren
Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dhënë një "shuplakë" të fuqishme kreut të legjislativit, Jozefina Topallit, vetëm pak orë pas letrës së saj drejtuar Kryeprokurores Ina Rama, ku i kërkonte dokumente shtesë për shqyrtimin e heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers, ka zhvilluar dje një vizitë në zyrën e Prokurores së Përgjithshme, ku përveç se i ka dhënë një mbështetje të fuqishme të qeverisë që ai përfaqëson (pra të shtetit më të fuqishëm të botës), ka goditur ashpër Topallin, por edhe drejtuesit e tjerë të mazhorancës, që po vonojnë heqjen e deputetit të Mediut, por edhe kanë sulmuar Kryeprokuroren, duke kërkuar gjithashtu trajtimin e menjëhershëm të imunitetit të ish-ministrit Mediu. Në një deklaratë për shtyp të ambasadës amerikane në Tiranë, bëhet e ditur se kryediplomati i SHBA-së në Shqipëri, Xhon Uidhers, ka deklaruar se "qeveria dhe populli amerikan do të jenë thellësisht të shqetësuar nëse ndonjë faktor, parti, apo udhëheqës politik bën deklarata apo ndërmerr veprime që në ndonjë mënyrë do të përfshinin ndonjë axhendë politike në çka duhet të jetë një hetim i paanshëm dhe i pavarur, bazuar mbi sundimin e ligjit". Pikërisht në kohën kur po zvarriten procedurat parlamentare për lejimin e hetimeve ndaj deputetit Mediu, ambasadori amerikan ka zhvilluar një takim me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, ku kjo e fundit e informoi ambasadorin mbi aspektet publike të një serie hetimesh në vazhdim, në mënyrë specifike atë të Gërdecit. Sipas deklaratës për shtyp të ambasadës së SHBA, "ambasadori e siguroi Prokuroren e Përgjithshme se qeveria e Shteteve të Bashkuara mbetet në mënyrë të përhershme e përkushtuar ndaj një hetimi të paanshëm e të gjithanshëm, të bazuar plotësisht mbi fakte ligjore. Qeveria e SHBA nuk do të paragjykojë përfundimin e ndonjë procedimi ligjor, por pret që vetëm faktet do të jenë përbërësi kritik për të përcaktuar gamën dhe natyrën e hetimit. Qeveria amerikane do të shihte e zhgënjyer dhe e alarmuar çfarëdo përpjekje për t‘ia nënshtruar këtë hetim kujtdo ndikimi të jashtëm. Është detyra kushtetuese e Prokurores së Përgjithshme dhe jo ajo e ndonjë organi tjetër të qeverisjes, që të kryejë punën e saj pa pasur ndërhyrje. Që të ndodhë kjo, është e domosdoshme që Parlamenti të trajtojë në mënyrë të menjëhershme çështjen e imunitetit parlamentar".