Topalli dërgon për shqyrtim dekretet e Presidentit
Pas debateve të shumta në Kuvend për fshehjen e dekreteve të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për emërimet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nga Kryeprokurorja Topalli, kjo e fundit dje ka nxjerrë publikisht dekretet duke ia kaluar ato për shqyrtim Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Ashtu siç kishte deklaruar në shkrimin e saj gazeta "Shqip" pak ditë para se të niste ky debat, në politikën shqiptare, këto dekrete janë depozituar në Kuvend, njëri më datë 12.05.2008 dhe tjetri më 22.05.2008. Në riciklimin e këtyre dekreteve, Kryetarja e Kuvendit firmosi pasi i kërkoi kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, që në komision, të nisë shqyrtimi i tyre bazuar në vendimin nr 2 të Gjykatës Kushtetuese, datë 18.01.2005. Gjithashtu, këto dekrete do t‘i shqyrtojë edhe Këshilli i Legjislacionit e Rregullores. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, në seancën plenare të së hënës, tha se "unë ato dekrete i kam dërguar në Komision të Ligjeve që ditën e premte, pra kanë gjithë fundjavën që rrinë aty dhe kanë qenë deputetët, anëtarë të këtij komisioni, të cilët nuk kanë zhvilluar mbledhjen, duke mos i marrë në shqyrtim. Ndërkaq, anëtarët e Komisionit të Ligjeve e kanë kundërshtuar këtë deklaratë, duke theksuar se këto dekrete nuk kanë mbërritur në tryezën e tyre të punës. Dje, kur dekretet janë nxjerrë nga zyra e Kryetares së Kuvendit, komisioni nuk ka mundur të mblidhet për t‘i shqyrtuar, sepse kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, ndodhet jashtë shtetit, ndërsa nënkryetarit të tij, Fatmir Xhafa, i ka ndodhur një fatkeqësi familjare, gjë që e pengon pjesëmarrjen e tij në mbledhjet e komisionit. Tashmë pritet që të kthehet kryetari i komisionit, Beja, për të shqyrtuar dekretet dhe më pas për t‘ia kaluar ato Kuvendit për votim. Për këtë vonesë të shkaktuar prej më shumë se dy javësh, opozita ka akuzuar Kryetaren Topalli si shkaktare dhe pas debateve të shumta në seancën e së hënës, ata janë larguar nga salla e Kuvendit. Kjo akuzë nuk është pranuar nga Topalli, e cila ka deklaruar se ajo ka marrë çdo vendim në bazë të Kushtetutës dhe të rregullores së Kuvendit.