Mustafaj, Berishës: Topi nuk është më vartësi yt
Vazhdojnë polemikat brenda Partisë Demokratike pas përplasjes institucionale Presidencë-Kuvend për çështjen e dekreteve të Gjykatës së Lartë. Ish-ministri i Jashtëm dhe njëkohësisht anëtar i Kryesisë së PD-së, Besnik Mustafaj, kritikon qëndrimin e Kryeministrit ndaj kreut të shtetit, duke i kujtuar Berishës se Bamir Topi tashmë është President dhe jo nënkryetar i PD-së. "Berisha, si kryetar i mazhorancës, e ka ditur me kohë se kur skadonte afati i këtyre gjyqtarëve dhe se kur fillonte procesi i përzgjedhjes së tyre dhe ai duhet ta kuptojë qartë tashmë se Bamir Topi është President i Republikës dhe nuk është më nënkryetar i PD-së", tha Mustafaj. Sipas tij, nuk ka asnjë arsye që Kryeministri Berisha të veprojë në këtë mënyrë dhe nëse sipas gjykimit të Kryeministrit Berisha, kreu i shtetit ka gabuar në dekretimin e gjyqtarëve, atëherë, deputeti Mustafaj u shpreh se "Berisha duhet t‘i kërkonte takim dhe të diskutonin për kandidaturat eventuale dhe të këshilloheshin". Ish-anëtari i kabinetit "Berisha", ka nënkuptuar në fjalën e tij se Bamir Topi nuk është zëvendësi i Berishës, por është më lart se ai. "Berisha ka mandatin e kryetarit të grupit parlamentar, ka mandatin e Partisë Demokratike dhe duhet të shkonte te kryetari i shtetit, sepse ai nuk është më nënkryetar i PD-së, por kryetar shtetit. Berisha duhet të shkonte tek ai dhe të bënte të gjithë ato punë që atij i nevojitej. Kjo për mua do të thotë se në të dyja anët nuk ka ecur diçka mirë", tha Mustafaj. Përplasjet mes Presidentit dhe Kryeministrit në të vërtetë e kanë zanafillën më herët. Ndryshimet kushtetuese duket se nuk lanë një shije të mirë te kreu i shtetit, duke u "hakmarrë" me kthimin e ligjit të legalizimeve. Tashmë epopeja e përplasjes vazhdon të thellohet mes dy institucioneve më të rëndësishme të vendit, duke futur në lojë edhe Kuvendin, i cili po vonon dekretet për Gjykatën e Lartë, në një kohë që puna në këtë institucion është drejt paralizës. Deputeti Bujar Leskaj ka bërë me dije një ditë më parë se negociatat e PD-së me Presidentin Topi duhet të jenë të matura dhe të bëhen me qetësi. Në mbrojtje të Kuvendit, nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, shprehet se "do të respektojmë Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i drejtë do të ishte që dy institucionet ta zgjidhnin me konsensus çështjen. Ky është thelbi i Gjykatës Kushtetuese". Ditët në vijim pas kthimit të Presidentit Topi nga Italia do të pasohen nga takimet mes Patozit dhe Topit. Ndërkohë, vlen të theksohet se modalitetet e takimit janë caktuar nëpërmjet telefonit mes ish-kreut të grupit të PD-së dhe kreut aktual të këtij grupi. Dera e Presidencës deri dje ka qenë e hapur për të gjithë kryetarët e partive të majta dhe të djathta, ndërkohë që duhet të presim mesin e javës për të kuptuar nëse kjo derë do të vazhdojë të qëndrojë e hapur për numrin dy të PD-së.