E Diel, 1 Nëntor 2026

"Presioni ndaj Topit, produkt i ndryshimeve kushtetuese"

Konflikti i fundit mes Kuvendit dhe Presidentit po dëshmon për vërtetësinë e alarmit që jep Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës. Ky ishte konkluzioni i bërë publik dje nga grupi nismëtar sipas të cilëve ngërçi në marrëdhëniet mes Topallit dhe Topit ka për bazë hapësirën që japin nenet e ndryshuara të Kushtetutës.

Deklarata

Më datën 5 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t‘i japë përgjigje kërkesës së bërë nga Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës. Kjo konsiston në hapjen e procedurave lidhur me organizimin e një referendumi për abrogimin e ligjit që ndryshoi Kushtetutën e Republikës më 21 prill. Në deklaratën për median u vu në dukje kërcënimi i Kryeministrit Berisha për shpërndarjen e Kuvendit (në rast thellimi të mosmarrëveshjes me Presidentin e Republikës lidhur me dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë). Kjo duke përdorur si armë një nga amendamentet e kundërshtuara. "Po konfirmojnë jo vetëm drejtësinë e alarmit të KMK për rrezikshmërinë që amendamentet pa legjitimitet moral të 21 prillit paraqesin për demokracinë në Shqipëri", thuhet në deklaratë. Ndërsa flitet edhe për mundësinë e rritjes së presionit politik mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të imponuar një vendimmarrje të kundërligjshme lidhur me referendumin. Këto probleme, si dhe ai i detyrimit ligjor të KQZ-së për t‘i dorëzuar Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës formularin tip që do të mundësojë mbledhjen nga qytetarët të firmave për referendum, do të jenë objekti konferencës.

Vendimi

Komunikimi i sotëm me median i grupit nismëtar për referendumin vjen një ditë para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të japë vendimin lidhur me kërkesën e paraqitur. Në orën 10:00 të ditës së nesërme, siç është njoftuar do të shqyrtohet kërkesa për fillimin e procedurave për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm me objekt "Shfuqizimi i nenit 5, 7 dhe 8 të ligjit nr.9904, datë 21.04.2008". Kjo kërkesë është firmosur nga grupi nismëtar i Komitetit për Mbrojtjes e Kushtetutës, por ka dhe disa firma të cilësuara si prestigjioze. Aty figurojnë emrat e ish-presidentëve Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu. Në shenjë solidariteti, nga lëvizja MJAFT!, ka firmosur zonjusha Erisa Spiropali. Lista vijon me kreun e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehu, deputetët Taulant Dedja, Ëngjëll Bejtaj, Petro Koçi, Paskal Milo, Neritan Ceka, si dhe analistin Fatos Lubonja. Grupi nismëtar ka vënë theksin te firmat e dy ish-presidentëve, zotit Meidanit dhe zotit Moisiu, të cilët në një hark kohor pothuajse dhjetëvjeçar kanë qenë garantët e Kushtetutës e unitetit popullor, e ligjshmërisë në Republikën e Shqipërisë. LSI-ja mendon se ata kanë zhvilluar karrierën e tyre presidenciale e janë larguar nga pozicioni presidencial pa as më të voglën përfolje, me prestigjin e dy presidentëve të nderuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›