Borxhi 14 milionë, “Vefa"padit në burg ish-komunarin e Kasharit
TIRANE – Faik Fejza, ish-kryekomunari i burgosur i Kasharit është paditur në Gjykatën e Tiranës për një borxh 14 milionë lekë, që ka përfituar para vitit 1997 nga arka e ish-firmës piramidale “Vefa–Holding”. 56-vjeçari nga Kashari, ish-kryetar i komunës në këtë fshat në vitet 2003–2007, ndodhet në qeli i akuzuar për falsifikime të dokumenteve të pronave gjatë kohës që ka mbajtur këtë post. Padinë ndaj tij e kanë depozituar në gjykatë administratorët e fajdeve, të cilët kërkojnë lëshimin e urdhrit të ekzekutimit të një vendimi që kanë nxjerrë në vitin 1999. objekti i plotë i padisë që mban datën 627, është: “Kërkohet lëshimi i urdhrit të ekzekutimit të vendimit te administratorëve numër 30, datë 31 gusht 1999 mbi shpalljen debitor për Faik Fejzon”. Data e regjistrimit të padisë është 16 janar 2009, ndërsa paditësi kërkues, është administratori i pavarur i ish-shoqërisë “Vefa”, shpk, në administrim. Pas hedhjes së shortit elektronik në gjykatë dosja i është dorëzuar për shqyrtim gjykatëses Elbana Lluri, e cila aktualisht ka zhvilluar vetëm një seancë dy ditë më parë për këtë çështje. Sipas paditësve shuma që ka tërhequr Fejza para vitit 1997 nga arka e ish-firmës piramidale llogaritet në rreth 14.2 milionë lekë të vjetra, të cilat ai duhet t’i kthejë sërish. Kontrata e nënshkruar midis Fejzës dhe ish-funksionarëve të “Vefa”-s konsiderohet nga ligjet aktuale e vlefshme dhe me fuqinë e një vendimi gjyqësor, kështu që veprimet pasuese juridike të saj janë lëshimi i urdhrit të ekzekutimit dhe kalimi i tij në Zyrën e Përmbarimit për t’u ekzekutuar. Aktualisht Fejza ndodhet në paraburgim, pasi një muaj më parë Gjykata e Tiranës e dënoi me gjashtë vjet burg dhe 75 milionë lekë të vjetra gjobë, pasi e gjeti fajtor për tetë akuza, që kanë të bëjnë me falsifikimin e dokumenteve të sipërfaqeve të ndryshme në këtë komunë. Por aplikimi i gjykimit të shkurtuar u bë shkak që Fejza dhe të bashkëpandehurit, të përfitonin ulje të një të tretës së dënimit. Në vendim Gjykata e Faktit e kryeqytetit ka specifikuar se vuajtja e dënimit për Fejzën fillon që nga data një dhjetor 2007, ndërsa detyrohet për të derdhur gjobën 50 milionëshe në llogarinë e Përmbarimit Tiranë, brenda tre viteve nga dita që vendimi do të marrë formë të prerë. fa.ma.