E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kondoleza Rajs: “Serbia të ecë para dhe të njohë Kosovën”

Presidenti rus, Putin: “Pavarësia e Kosovës do të shënojë një precedent të tmerrshëm”. Nënsekretari amerikan i Shtetit, Bërns: “Politika ruse ndaj Kosovës, cinike”
Është koha që Serbia të ecë përpara dhe të njohë Kosovën. Kjo ka qenë deklarata e sekretares amerikane të shtetit, Kondoleza Rajs. Ajo ka shprehur shpresën se zgjidhja e statusit të Kosovës do të fillojë më në fund të lejojë Ballkanin që ta lërë pas historinë e tij të tmerrshme. “Serbia duhet të ecë përpara, Kosova po ashtu. Dhe duhet të lëvizë përpara duke respektuar vlerat demokratike, në një mënyrë që do të lejonte si serbët edhe kosovarët të kenë një perspektivë europiane. Ne duam të kemi marrëdhënie miqësore me popullin serb dhe unë ia thashë këtë presidentit Boris Tadiç”. Duke folur për gazetarët, Rajs ka kritikuar qeverinë serbe për masat e pamjaftueshme të sigurisë ditën kur u sulmua Ambasada amerikane. Si përgjigje ndaj Beogradit, SHBA-të kanë tërhequr stafin e vet diplomatik jo të domosdoshëm, bashkë me familjet e tyre, nga Beogradi. Ajo tha se qeveria serbe konsiderohet përgjegjëse për çdo lloj sulmi ndaj interesave amerikane. Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin është shprehur se pavarësia e Kosovës do të shënojë një precedent të tmerrshëm. Sipas tij, ky hap do të ketë pasoja katastrofike për sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare të krijuar gjatë dekadës së fundit.
Putin ka paralajmëruar shtetet e ndryshme që përveç mbrojtjes dhe përkrahjes ndaj Kosovës të mendojnë edhe për pasojat dhe kjo, sipas tij, është si një thikë me dy presa dhe maja e dytë do t’i godasë këto shtete herët a vonë. Nënsekretari amerikan i Shtetit, Nikolas Bërns, e ka quajtur politikën ruse ndaj Kosovës cinike.
“Ata nuk janë në Kosovë dhe nuk po bëjnë asgjë që të ndihmojnë kosovarët. Pra, këto lloj pengesash nga anash nuk janë të dobishme”, - tha Burns. Ndërkohë, ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, ka reaguar ndaj ngjarjeve të fundit në Beograd. Ai ka akuzuar Shtetet e Bashkuara si fajtoret e vetme për sulmet e ndodhura gjatë kësaj jave. “Shtetet e Bashkuara janë fajtori më i madh i trazirave që nga 17 shkurti, kur Kosova shpalli pavarësinë”, - ka thënë Samarxhiç. Ai ka shtuar se qeveria e Serbisë do të vazhdojë t’i bëjë thirrje SHBA-ve që të marrin përgjegjësinë për dhunimin e ligjit ndërkombëtar, duke copëtuar një pjesë të territorit të Serbisë. SHBA-të pranuan zyrtarisht Kosovën dy ditë pas shpalljes së pavarësisë. Presidenti Xhorxh Bush ka shprehur mbështetjen e tij dhe ka thënë se gjithmonë ka qenë pro pavarësisë së Kosovës.

25 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›