PDK: “Politika t’i përshtatet dimensionit të ri gjeopolitik”
Partia Demokristiane ka kërkuar nga politika shqiptare të ruajë konsensusin me qëllim përshtatjen e gjeopolitikës së re që ka përfshirë Ballkanin. Nënkryetari i Partisë Demokristiane, Vladimir Beja, deklaroi dje gjatë një konference për shtyp, se konsensusi politik i arritur gjatë muajve të fundit mes krahëve të majta dhe të djathta ka sjellë shumë elementë pozitivë, që shteti shqiptar nuk i ka fituar në këto 17 vite. “Tashmë po hyjmë në një epokë të re të politikës shqiptare. Shpallja e pavarësisë së Kosovës, ku edhe Shqipëria ka luajtur rolin e saj të vyer, kërkon që politika shqiptare t’i përshtatet dimensionit të ri gjeopolitik në Ballkan, që tashme natyrshëm i vendos shqiptarët përpara një roli më thelbësor. Kosova fitoi pavarësinë, ndërkohë që jemi gati të ulemi si anëtarë në tryezën e NATO-s. Ky dimension i ri, ku Shqipëria po bëhet pjesë e një strukture politike dhe ushtarake euro-atlantike, kërkon një garanci, që është konsensusi dhe bashkëpunimi politik”, - tha Beja. Në këtë kuadër, Beja shprehu gatishmërinë e PDK-së për të garantuar vazhdimin e komunikimit normal të faktorëve dhe aktorëve politikë në Shqipëri.
25 Shkurt 2008