E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta në Mitrovicë, zyrtarët e BE-së zhvendosen përkohësisht

Edhe gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar protestat në Mitrovicë, në veri të Kosovës, kundër pavarësisë. Rreth 2000 serbë, që mbanin flamuj serbë dhe rusë, kanë protestuar nën thirrjet “Kosova është Serbi”. Forcat policore të OKB-së kanë rrethuar protestuesit në urën kryesore të këtij qyteti, që ndan pjesën serbe nga ajo shqiptare. Ndërkohë, përfaqësuesit e misionit europian EULEX kanë braktisur zyrat në Mitrovicën Veriore dhe janë zhvendosur në jug të këtij qyteti. Serbët kanë përfituar nga kjo situatë dhe kanë ngritur flamurin në godinën bosh të BE-së me thirrjet: “BE-ja nuk mund të qeverisë në Veri”. Kreu i EULEX-it, Piter Feith, ka konfirmuar këtë lajm dhe ka sqaruar se kjo është një zhvendosje e përkohshme e detyruar nga tensionet e ditëve të fundit në Mitrovicë. Ai u ka bërë thirrje serbëve të jenë më zemërgjerë dhe të bashkëpunojnë me misionin e BE-së, i cili ka për detyrë të mbrojë edhe pakicat serbe. “Ne e kemi tërhequr përkohësisht personelin tonë, por do ta mbajmë zyrën tonë në Veri”, - është shprehur Feith. “Dëshiroj t’i bëj thirrje komunitetit serb të tregohet zemërgjerë, të kthejë faqen e librit të historisë dhe të shikojë përpara për të bashkëpunuar me ne”, - tha Feith për gazetarët në Prizren. Zyrtarët e BE-së, detyra e të cilëve është krijimi i terrenit për misionin e BE-së, EULEX, janë zhvendosur nga zyra e tyre në veri të Mitrovicës drejt pjesës jugore nga frika e sulmeve. Zyra e tyre tashmë është zënë nga serbë, të cilët kanë vënë flamurin që valëvitet. Kreu i Misionit të BE-së, Piter Feith, para pak ditësh është shprehur se misioni i tij do të shtrihej në të gjithë Kosovën, përfshirë këtu edhe veriun e Mitrovicës. Feith do të drejtojë një grup prej rreth 2000 trupash policore dhe gjyqësore. Frika që ekziston tashmë është mundësia e një ndarjeje të veriut të Kosovës, e cila është e banuar kryesisht nga serbët me një numër prej 120 mijë banorësh.

25 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›