Thaçi: “Integriteti territorial i Kosovës, i paprekshëm”
Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i garantuar ndërkombëtarisht. Kjo ka qenë deklarata e kreut të qeverisë kosovare, Hashim Thaçi, drejtuar qytetarëve të vendit.
“Dhuna që po shfaqet në Beograd nuk mund të bartet edhe në Kosovë. Kufijtë e Kosovës janë të garantuar dhe nuk do të ketë dhunë as në veri e as në jug të vendit. Integriteti territorial i Kosovës është i mbrojtur, i garantuar dhe i pacenueshëm, unik dhe i pandashëm. Autoriteti i institucioneve legjitime të Kosovës, i NATO-s dhe i mekanizmave të sigurisë të UNMIK-ut, do të ushtrohet në tërë territorin e Kosovës”, - është shprehur kryeministri Thaçi pas takimit që zhvilloi dje me shefin e Misionit të BE-së në Kosovë, Peter Feith. Sipas mediave të Prishtinës, pas takimit Feith u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të kenë besim te institucionet vendase e ndërkombëtare. Ndërsa duke iu drejtuar serbëve që jetojnë në Kosovë, Feith tha se pakica serbe duhet të integrohet në institucionet legale dhe të bashkëpunojë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët të Kosovës. “Dua t’i siguroj të gjithë banorët e vendit se duhet të kenë besim të plotë në qeverinë e tyre dhe në bashkësinë ndërkombëtare, posaçërisht tek OKB-ja dhe NATO-ja, në angazhimet e tyre, që të sigurojnë integritetin territorial të Kosovës”, - është shprehur Feith për mediat.
25 Shkurt 2008