Ranieri: Barcelona nuk arrihet

26/12/2004 Klaudio Ranieri dhe Valencia e tij janë rikthyer tek buzëqeshja. Skuadra e teknikut italian e ka marrë veten pas një fillimi të vështirë të kampionatit dhe tani gëzon momente të mira forme: "Është e vërtetë. Në fillim, çdo gjë ishte e vështirë për ne. Rezultatet nuk po vinin dhe ndjeja gjithmonë e më shumë përgjegjësinë më të madhe. Isha pothuajse çdo ditë në faqet e para të gazetave dhe sigurisht, që kjo ka qenë një periudhë shumë negative. Por, rendimenti i skuadrës filloi të rritej dhe rezultatet vinin duke u përmirësuar. Mendoj se e kemi mbyllur 2004-ën në një nga mënyrat më të mira". Shumë kritika për një Valencia "alla italiane" pas blerjeve të Fiores dhe Koradit. "Sinqerisht asnjëherë nuk kam qenë dakord për një Valencia italiane. Kemi blerë dy futbollistë të rëndësishëm si Koradi dhe Fiore, të cilët vinin nga një kampionat shumë ndryshe nga ky në Spanjë, dhe që tani janë përshtatur mjaft mirë me skuadrën". Një koment i Ranierit për këtë pjesë të sezonit: "Sinqerisht, nuk e kisha menduar kurrë se Barcelona do të krijonte një diferencë kaq të madhe. Personalisht, nuk kam asnjë dyshim se ata do të jenë kampionët e ardhshëm të Spanjës. Janë duke dominuar si me lojë ashtu edhe me rezultat. Nuk mendoj absolutisht se kjo skuadër do ta lëshojë vendin e parë". Po Valencia ? "Duhet të besojmë deri në fund, por edhe vendi i dytë nuk do të ishte keq. Do të thotë të futesh në Ligën e Kampioneve pa luajtur ndeshjet paraeleminatore". Kriza e Real Madrid: "Madrilenët janë duke kaluar momente të vështira, të ngjashme me ato që kemi kaluar ne në fillim të sezonit. Mendoj se së shpejti do të kthehen në një skuadër që bindin me lojë dhe rezultate". Cila skuadër e ka impresionuar më shumë Ranierin? "Ndjek me shumë interes kampionatin italian dhe atë anglez, gjithmonë kur kam kohë në dispozicion. Më ka befasuar ish-skuadra ime, Çelsi. Murinjo është duke bërë një punë të jashtëzakonshme. Gjithashtu, më pëlqen loja e Arsenalit dhe shpejtësia e Mançesterit. Ndërsa në Itali, Juventusi dhe Milani do të luftojnë me njëri-tjetrin deri në fund të sezonit. Bardhezinjtë janë një skuadër shumë praktike, megjithëse për momentin kuqezinjtë kanë diçka më shumë".