Ngjarja, maskat grabitin tre malazezë, u marrin 20 mijë dollarë
LEZHË - Maskat godasin përsëri. Tre shtetas malazezë janë viktimat e radhës, ndërkohë që ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme, në aksin Lezhë-Shkodër, në afërsi të fshatit Kallmet. Personat e maskuar kanë ndaluar makinën me targa të Malit të Zi UL AC 682, duke kërcënuar me armë shtetasit që udhëtonin në të. Mësohet se njëri prej personave të maskuar ka goditur me qytën e pistoletës njërin prej pasagjerëve e më pas i kanë grabitur ata. Personi i plagosur është dërguar menjëherë në Spitalin e Lezhës, ku ka marrë edhe ndihmën e parë. Sipas informacioneve të para mësohet se shtetasit malazezë kishin mbërritur nga SHBA-të në Rinas dhe po ktheheshin në vendin e tyre. Ata po udhëtonin me makinë në drejtim të doganës së Muriqanit. Mësohet se dy grabitësit kanë pasur në kokë skafandër dhe nën kërcënimin e armëve u kanë grabitur shtetasve malazezë, përveç 20 mijë dollarëve, edhe dokumentet amerikane. Policia është vënë në kërkim të autorëve të grabitjes me maska, ndërsa mësohet se aksioni i saj është shtrirë në 3 fshatra të zonës përreth Lezhës. Operacioni është shtrirë në disa prej fshatrave që ndodhen afër zonës ku ndodhi ngjarja e rëndë. Policia ka bërë kontrolle të shumta, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk ka mundur që të identifikojë ndonjë prej maskave që rikthyen frikën në rrugët e vendit, pikërisht në sezonin turistik, ku lëvizja është shumë e madhe.
15 Korrik 2010