E Diel, 1 Nëntor 2026

Drogë dhe arsenal armësh, tre të rinj vihen në pranga



Artan CENA
TIRANË - Armët dhe droga kanë çuar në pranga tre persona gjatë orëve të vona të dy ditëve më parë. Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj. Sipas tij, efektivët e luftës Kundër Narkotikeve në Policinë e Tiranës, në orët e vona të dy ditëve më parë, në afërsi të Kinostudios, policia ka vënë në pranga Artan Hysën, Artur Gurzin dhe Albert Durmën, përkatësisht të moshave 27, 26 dhe 25 vjeç, të gjithë nga Tirana. Arrestimet janë bërë gjatë operacionit të koduar “Nissan”. Gjatë arrestimeve policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 kg lëndë narkotike e tipit marijuanë, si dhe një arsenal të vërtetë armësh.
Arrestimet
Tre të prangosurit ishin prej disa kohësh në hetim. Ata mbaheshin në vëzhgimin e policisë. Tre të rinjtë janë kapur në flagrancë në rrugën “Myslym Keta”, në afërsi të Kinostudios në Tiranë. Ata ishin duke udhëtuar në një makinë të llojit “Nissan” (siç ka marrë emrin dhe operacioni) kur janë ndaluar nga policia. Gjatë një kontrollit të imtësishëm të ushtruar në makinë janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 1.5 kilogram lëndë narkotike e dyshuar marijuanë, si dhe 0.5 kilogram farë bime e dyshuar narkotike e llojit Cannabis sativa. Gjithashtu është sekuestruar dhe një arsenal i vërtetë armësh. Kështu, është bllokuar një pistoletë “TT”, model 54, me dy krehra me 14 fishekë dhe 55 fishekë model 54, një automatik model 56 me dy krëhra me nga 30 fishekë. Janë bllokuar dhe 535 fishekë model 56, 13 detonatorë eksplozivi, 4 detonatorë elektrikë, 1 granatë dore difensive së bashku me ndezësen, 8 krehra automatiku. Si prova materiale janë bllokuar dhe 1 peshore elektronike me mbetje lënde narkotike, që shërbente për peshimin e lëndës, 3 telefona celularë, si dhe makina tip “Nissan Primera” me targa të huaja. Nga hetimet e kryera për të arrestuarit dyshohet se janë të implikuar edhe në aktivitete të tjera të kundërligjshme, me tendencë vjedhjet e automjeteve, grabitje me armë, të cilët operonin në zonat e Kinostudios Linzës etj.
Operacionet
Policia e Tiranës tha dje se, gjatë 6 muajve të parë janar-qershor 2010, nga efektivët e Antidrogës ka pasur një sërë operacionesh dhe një rritje të dukshme të të ndaluarve. Më konkretisht: janë goditur 188 raste dhe 261 autorë, e krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë goditur 54 raste më tepër dhe 98 autorë me shumë, ndërsa sasia e lëndës narkotike e sekuestruar është 20 herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Këta tregues kanë ardhur si rezultat i një vlerësimi të treguar nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, në drejtim të Luftës Kundër Krimit të Organizuar.

15 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›