Jashtë sallës, familjarët dhe punonjës të Taçit
TIRANË- Në kohën që brenda sallës së gjyqit të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, po vazhdonte seanca gjyqësor për verifikimin dhe komunikimin e masës së sigurisë "arrest me burg" dhënë në mungesë ndaj Rezart Taçit, jashtë dyerve të kësaj gjykate ishin mbledhur një grup njerëzish, familjar, miq dhe punonjës të firmës së të arrestuarit. Gjatë gjithë kohës, që nga ora 11:30 minuta e deri në 14:00 të pasdites kur ka mbaruar seanca gjyqësore, këta persona prisnin jashtë dyerve të gjykatës, duke u bërë edhe pengesë për kameramanët e medieve, të cilët nuk i lejuan që nga afër të filmon daljen nga gjykata të agresorit të gazetarit Baze. Me çadrat që kishin ndër duar, ata u munduan të mbyllnin pamjen nga ku mund të regjistronin kamerat televizive të arrestuarin Taçi me pranga ndër duar. Ndërkohë, seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura, edhe pse kryetari i kësaj gjykate Artan Zeneli i kërkoi gjyqtares së çështjes Fahri Budo që seanca të mbahej me dyer të hapura për media.