E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca ballkanike për mjedisin, Shqipëria organizatorja e radhës

Shqipëria është përzgjedhur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) si organizatore e konferencës për fillimin e procesit të Performancës Mjedisore për vendet e rajonit të Ballkanit, që nisi dy ditë më parë në Tiranë me pjesëmarrjen e 40 përfaqësuesve nga 10 vende të rajonit dhe organizmave ndërkombëtare. Sipas Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Shqipëria është përzgjedhur në bazë të performancës së lartë mjedisore të vendit. Konferenca inicion procesin për përgatitjen dhe publikimin e Vlerësimit të Integruar të Mjedisit për rajonin e Ballkanit dhe sot, në ditën e fundit të punimeve, pjesëmarrësit në të do të japin dhe konkluzionet përkatëse. "Qëllimi i saj është të shërbejë si pikënisje për procesin e përgatitjes së raportit të Performancës Mjedisore dhe Vlerësimit të Integruar Mjedisor të rajonit të Ballkanit, nga i cili pritet një trajtim më i mirë dhe i integruar i çështjeve mjedisore", bënë të ditur specialistë të MMPAU. Shqipëria renditet në vendin e 27- të për sa i përket performancës mjedisore në nivel global me tregues mjedisorë të përmirësuar. "Shqipëria ka arritur të realizojë një progres të konsiderueshëm në 4 vitet e fundit në përafrimin e legjislacionit mjedisor kombëtar me atë të Bashkimit Evropian, në kuadër të procesit të integrimit", konsideron MMPAU. Këto arritje janë vlerësuar edhe në progres-raportin 2008 të publikuar nga Komisioni Evropian.

Email This Klikime: 17

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›