E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy mësime nga presidenti Bush dhe senatori Biden

Nga Fitim Zekthi

Përfundimin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA të gjithë politikanët shqiptarë që patën një kamera përballë (ata që nuk e patën, e kërkuan) e përshëndetën me metafora nga më të zgjedhurat, në disa raste shumë të dobëta dhe të sforcuara. Ishte e qartë se ata asgjë nuk kishin kuptuar nga ato zgjedhje, pavarësisht se thanë se duhet të mësonin prej tyre. Kryeministri i quajti zgjedhjet fitore të jashtëzakonshme, kryetari i opozitës i cilësoi fitore të brezit të ri ndaj të vjetrit. Presidenti tha të merren mësime. Gjinushi tha se do të marrë fund politika e koniukturave që shfrytëzoi Berisha tek administrata ‘Bush’. Ish-kreu i grupit të PS tha se zgjedhjet treguan se ka ardhur koha të shpërndahet pasuria dhe se bota po qaset nga e majta. Në një gazetë dikush tha se dy presidentët Bush janë fajtorë që kanë mbajtur kaq gjatë në politikë Sali Berishën dhe presidenti i ri nuk do ta bëjë këtë gjë. Është e qartë se politikanët në këtë vend nuk kanë asnjë përmasë të modestisë dhe njohjes së masës dhe e kanë lënë veten të rendë më së paku pas keqpërdorimit dhe vjedhjes. Në kapërcyell të gushtit në Konventën e demokratëve në Denver zëvendëspresidenti tashmë i zgjedhur, Joe Biden, mbajti një fjalim të rrallë, ku iu solli të pranishmëve në sallë dhe atyre para ekraneve nënën e tij. Rrudhat e saj, thinjat, trupi pak i kërrusur, vuajtjet e saj në të kaluarën, gëzimet e saj sot ishin atypari, pavarësisht se nëna e tij s’ishte aty. Një dëlirësi e pacak e këtij senatori të vjetër, një modesti e skajshme dhe familjaritet i habitshëm përshkoi ajrin atjepari dhe në shtëpitë e njerëzve që po shihnin televizorin. Biden, pasi foli për nënën, tha se ai thuajse gjithmonë kthehej në shtëpinë e tij në Delawere nga Uashingtoni me tren çdo mbrëmje. Kjo, tha ai, më bën të shoh nga dritaret njerëzit në tryezat e tyre, të shoh shqetësimet e tyre, të dëgjoj madje edhe bisedat e tyre. Senatori tha se kjo ishte cilësia e trenave, ata e çonin në çdo shtëpi amerikane, te çdo fëmijë dhe çdo prind, çdo natë. Kjo ndodh prej 30 vjetësh. Politikanët shqiptarë, të një vendi që nuk ka ilaçe në spitale, ku njerëzit jetojnë me 2 dollarë në ditë, stisin metafora qesharake, bëjnë thirrje për të mësuar nga ato zgjedhje, shfaqin edhe cinizëm. Këta që nuk e kanë përjetuar “virtytin e të udhëtuarit me tren”, këta që kanë neveri për këto sjellje, shfaqin entuziazëm dhe përdorin figuracione mediokre, kinse mezi pritën të fitojë presidenti i ri ose mezi pritën shfaqjen e këtij standardi të ri në zgjedhjet amerikane. Fillimisht duhet të shohin përmasën njerëzore dhe modestinë, që në politikën amerikane është paprerë boshti ku ngjizen vendimet. Nuk ka asnjë nevojë të thuash se fitorja e presidentit Obama ishte hapja e një epoke të re, kur nuk lëviz as qerpikët të dërgosh ilaçe në spitale, kur gjëja e parë që të shkon në mend është si të fyesh kundërshtarin dhe si të dukesh si i ditur në parlament apo gjetkë. Është e vogël dhe krupëndjellëse të thuash se presidenti Bush i përket një brezi të vjetër, kur 20 vjet pas rënies së regjimit komunist nuk ke larguar nga zotërimi politik njerëz që punuan ministra, drejtorë, prokurorë, gjyqtarë dhe xhelatë të atij regjimi. Një qeveri mund të jetë e pasuksesshme në një sektor dhe një opozitë po ashtu mund të bëjë zgjedhje të gabuara, rastet janë të shumta kudo, por besimi duhet të jetë i padiskutueshëm. Askush në Shqipëri nuk beson se ndonjë ministër punon me modesti dhe me përvujtni të bëjë diçka të mirë. Kjo nuk mund thuhet për askënd, që nga ministri i Bujqësisë e deri tek i Financave. Askush nuk beson se kryetarët e partive përvujtnisht rreken të gjejnë atë që është më e mirë për këtë vend. Nga zgjedhjet amerikane kjo duhet parë fillimisht. Presidenti Bush bëri që në 8 vite asnjë fëmijë i infektuar me sida në Afrikë të mos vuajë nga mungesa e ilaçeve. Ky është fakt dhe është i jashtëzakonshëm. Presidenti Bush shkoi e takoi disa refugjatë që i kishin shpëtuar luftës civile në Liberi dhe atje pa një vajzë të vogël, e përqafoi, u përlot dhe tha se SHBA e ka qëllim të sajin mposhtjen e tiranisë. Në shumë kriza humanitare ai edhe mund të ketë qenë i suksesshëm, por besimi qe aty, përunjësia gjithashtu. Kur presidenti Bush po shkonte në Kongres në vitin 2001, vuri re nga limuzina e tij një grua që e shau, ishte e idhnuar për humbjen e Al Gore. Presidenti i tha këshilltarit Towey me dëshpërim se ai do të përpiqej të fitonte besimin e saj. Të tillë shembuj janë të pafund dhe të zakonshëm në politikën amerikane prej vitesh të tëra. Kjo duhet mësuar, kjo lloj modestie dhe ky lloj besimi që këtu nuk janë asfare të pranishme. Prandaj bien pallate dhe vriten fëmijë e gra, prandaj mbyten gjithashtu të rinj. Prandaj nënat tmerrohen, kur afrojnë ditëlindjet e fëmijëve, se nuk iu blejnë dot asgjë. Krenaria pa kuptim dhe shkëputja e plotë nga njerëzorja i kanë bjerrë. Edhe në një vend me shumë probleme si Brazili ka shumë më shumë besim dhe përvujtni. Presidenti Lula tha disa vite më parë natën e zgjedhjes si president se ai kishte vetëm një detyrë: Të bënte që qytetarët e tij pas 4 vitesh të hanin 3 vakte bukë. Të paktën të mbërrihet në këto koordinata dhe mossukseset nuk do të jenë kaq të tmerrshme. Askush nuk është thirrur në këtë botë të jetë i suksesshëm, por është thirrur të jetë besëplotë dhe i përvujtun. Nga SHBA duhet të mësohet fillimisht kjo sjellje dhe jo thjesht të lëbyrin veten në pasqyra amerikane për t’i parë shqiptarët dhe ambasada amerikane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›