E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e Kryetarëve: “Grevistët të lirojnë Parlamentin”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Duket se deputetët grevistë nuk do të qëndrojnë gjatë në ambientet e sallës së Kuvendit të Shqipërisë. Pas një mbledhjeje 3-orëshe Konferenca e Kryetarëve ka rënë dakord që deputetët duhet të gjejnë ambiente të tjera për zhvillimin e grevës së tyre, pasi salla e Parlamentit është për zhvillimin e seancave. Konferenca e Kryetarëve deklaron se në Parlament miratohen reformat e rëndësishme dhe greva e disa deputetëve nuk mund të pengojë zhvillimin e seancave dhe vendin e vetëm të debatit parlamentar. Gjithashtu, Konferenca ka rënë dakord që dy deputetë, demokrati Tritan Shehu dhe socialdemokrati Engjëll Bejtja, të dy anëtarë të Komisionit të Shëndetësisë, të takohen me grevistët. Por mësohet se ky qëndrim i Konferencës së Kryetarëve ka ardhur pas një takimi që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar me katër ambasadorë. Në takimin e kërkuar nga kryeparlamentarja merrnin pjesë kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, deputeti i kësaj partie, Ilir Rusmali, dhe kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, dhe deputeti socialist Fatmir Xhafaj. Edhe për ndërkombëtarët nuk është konsideruar aspak pozitive situata politike në vend. Menjëherë pas qëndrimit të Konferencës së Kryetarëve, ka reaguar kreu i LSI-së, Ilir Meta. Duke e quajtur këtë qëndrim si vendim të dyshes Rama-Berisha, Meta ka deklaruar nga ambientet e grevës se nuk tërhiqen.
Konferenca
“Konferenca shprehu shqetësimin për faktin që grevistët po e zhvillojnë grevën në kushte të papranueshme edhe për shëndetin e tyre, ndaj i fton ata t i bëjnë thirrje arsyes dhe përgjegjshmërisë së tyre politike. Për këtë arsye, Konferenca e Kryetarëve u shpreh se duhet të kërkohen mjedise të tjera të përshtatshme”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit. Konferenca vlerësoi se Parlamenti është institucioni kryesor i kryerjes së reformave dhe se ai është vendi i vetëm i diskutimit dhe i debatit politik. Procesi është ende i hapur në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Në njoftim thuhet më tej se kryetarët e grupeve parlamentare vërejtën se në procesin e reformave është synuar të përfshihen të gjitha forcat poltike dhe se deri tani të gjitha hapat e reformës elektorale janë arritur me konsesusin më të madh të mundshëm. Por procesi nuk mund të pengohet nga askush. Konferenca e Kryetarëve vlerësoi gjithashtu se greva e urisë është një mjet i njohur i sensibilizimit publik, por kurrsesi mjet legjitim për të ushtruar presion politik. “Duke shprehur bindjen se çdo tentativë për të bllokuar funksionimin e Parlamentit është i papranueshëm, Konferenca e Kryetarëve fton deputetët grevistë të respektojnë rregullat e demokracisë, ligjet e shtetit dhe Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë”, - përfundon njoftimi.
Meta
Meta pohoi dje, menjëherë pas Konferencës së Kryetarëve, se nuk do të tërhiqen. “As nuk ka diskutim. Ne jemi në krye të detyrës, ne jemi në gjendje të jashtëzakonshme, që nga momenti që kemi hyrë në grevë, sepse Shqipëria është në një rrezik të jashtëzakonshëm dhe ne si deputetë detyra na ka kërkuar të jemi në krye të parandalimit të skenarit të dhunshëm për të vjedhur votat e shqiptarëve. Se çfarë dëshiron të provokojë Sali Rama me Edi Ramën, ne nuk kemi dëshirë që ta komentojmë shumë sot, sepse provokimet e tyre janë të vazhdueshme, që nga dhunimi që i bënë Kushtetutës më 21 prill, duke hedhur poshtë vullnetin e një milion shqiptarëve në vitin 98. Por ne do të mbrojmë legjitimitetin e Republikës Parlamentare. Dhe për këtë të jeni të sigurt, nuk do ta bëjmë vetëm ne që jemi këtu, por këtë po e bëjnë vazhdimisht edhe shumë kolegë të tjerë, që po na përkrahin dhe do ta bëjnë të gjithë shqiptarët”, - tha Meta. Ky qëndrim është mbështetur dhe nga grevistët e tjerë.
Ky lajm është publikuar: 13/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›