E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e Kryetarëve miraton kërkesën për komision hetimor

Autori i Lajmit: Suela Topi
Konferenca e Kryetarëve ka miratuar dje kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Gërdecin. Në kërkesën e Grupit Parlamentar LSI-PDS thuhet se komisioni i ngritur nga Kuvendi i Shqipërisë duhet të hetojë veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me zhvillimin e reformave në fushën e mbrojtjes që siguron anëtarësimin në NATO dhe çështjet e sigurisë kombëtare që rrjedhin nga problematika që ka krijuar procesi i çarmatimit të ushtrisë në veçanti. “Bazuar në nenin 77 dhe 78 të Kushtetutës, si dhe në nenet 3 dhe 5 të ligjit 8891 datë 2.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, ju paraqesim këtë kërkesë. Duke qenë se tashmë Republika e Shqipërisë është përfshirë në një proces të rëndësishëm të reformimit të ushtrisë dhe përgatitjes së saj për t’u anëtarësuar në strukturat e NATO-s, është e domosdoshme që Kuvendi të vihet në dijeni lidhur me zbatimin e Strategjisë Kombëtare që ka për këtë qëllim si edhe në ç’fazë ndodhet ky proces aktualisht”, - thuhet në kërkesën e këtij Grupi Parlamentar drejtuar Kryetares së Kuvendit. Aty theksohet më tej se gjithashtu është e domosdoshme që Kuvendi i Shqipërisë, brenda funksioneve që ai kryen, të vihet në dijeni se çfarë hapash konkretë dhe efektivë ka ndërmarrë Qeveria Shqiptare në përgjithësi dhe Ministria e Mbrojtjes në veçanti për përgatitjen e kushteve që do të bëjnë të mundur marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO.

Kërkesa

LSI dhe PDS thotë se, duke qenë se mjaft çështje dhe problematika që trajton Ministria e Mbrojtjes lidhen jo vetëm me modernizimin e ushtrisë në aspektin konceptual, por edhe atë logjistik dhe që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me problemet e sigurisë kombëtare, është e nevojshme që të hetohen këto procedura të modernizimit të ushtrisë në përgjithësi dhe çarmatimin apo eliminimin e armatimit të vjetër të trashëguar. “Ngjarja katastrofike në zonën e Gërdecit, pa dyshim që zbuloi një problematikë të rënduar që lidhet me trajtimin dhe eliminimin e municionit të vjetër. Kuvendi duhet të njihet me faktin se si paraqitet aktualisht gjendja me stokun e armatimit që duhet eliminuar, me rrezikshmërinë që ai paraqet imediatisht, me faktin se si është trajtuar ai deri më sot dhe si mendohet të veprohet në të ardhmen për parandalimin e katastrofave dhe ngjarjeve të rënda”, - thuhet më tej në kërkesë. Aty theksohet se është e domosdoshme që, brenda kompetencave dhe detyrimeve që kanë organet përkatëse, Kuvendi duhet të informohet nëse kanë qenë të rregullta dhe të bazuara në ligj, orientimet, veprimet dhe procedurat e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes ( Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoritë Operative, MEIKO etj ) për operacionet e zhvilluara në drejtim të trajtimit, asgjësimit apo shitblerjes të armatimit dhe të municioneve stok. LSI dhe PDS synojnë që nëpërmjet Komisionit Hetimor të Kuvendit jo vetëm të njohin problematikën, por edhe të bëjnë transparente procedurat e ndjekura nga Qeveria apo nga Ministria e Mbrojtjes. Grupi Parlamentar LSI-PDS kërkesën drejtuar Topallit e ka shoqëruar dhe me projektvendimin ku përcaktohet objekti i komisionit hetimor të kërkuar prej tyre. Në projektvendim sakësohet gjithashtu se komisioni do të përbëhet nga 13 anëtarë, 7 nga shumica parlamentare dhe 6 nga opozita parlamentare, ndërsa kryetar do të jetë një përfaqësues i opozitës. Komisioni Hetimor do të ushtrojë veprimtarinë e tij për një periudhë 3-mujore, duke filluar nga data e miratimit të përbërjes së tij. Ky lajm është publikuar: 27/03/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›