E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS merr në shqyrtim kërkesën për komision hetimor për Gërdecin

Autori i Lajmit: S.T.
Partia Socialiste merr në shqyrtim kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim për ngritjen e një komisioni hetimor, i cili do të hetojë veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes në fushën e sigurisë kombëtare duke pasur për bazë tragjedinë e ndodhur në Gërdec. Menjëherë pas miratimit të kërkesës së Grupit Parlamentar LSI-PDS, socialistët kanë caktuar deputetët që do të shqyrtojnë kërkesën. Gjatë mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentar të selisë rozë është vendosur që Fatmir Xhafaj, Arben Isaraj dhe Besnik Dervishi të shqyrtojnë kërkesën e LSI-së, para se ata të vendosin nëse do të jenë pjesë apo jo e këtij komisioni hetimor. Po dje, deputetët socialistë kanë vendosur të mos pranojnë asnjë diskutim tjetër në Kuvend përveç çështjes së Gërdecit. Pak ditë më parë, PS kundërshtoi kërkesën e LSI-së për një komision hetimor nga Kuvendi i Shqipërisë për ngjarjen e Gërdecit. Deputeti i kësaj force politike, Marko Bello, ka bërë propozimin për ngritjen e një grupi hetimor me ekspertë të pavarur për këtë. Sipas Bellos, është e domosdoshme që të ketë një hetim të tillë, si dhe në të njëjtën kohë në këtë hetim të asistojnë edhe ndërkombëtarë. Ky lajm është publikuar: 27/03/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›