Prishtina prezanton katër pikat për shtrirjen e EULEX
Prishtina zyrtare ka prezantuar katër pikat e saj për shtrirjen e misionit EULEX në Kosovë. Këto pika vijnë si një lloj kundërpërgjigjeje pas një plani prej gjashtë pikash të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, të harmonizuar me Beogradin, të cilin Kosova e ka hedhur poshtë.
Këto qëndrime të Prishtinës i janë prezantuar dhe dorëzuar zëvendës-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, me të cilat Kosova e fton EULEX të fillojë misionin, por duke e respektuar Kushtetutën dhe tërësinë territoriale të saj.
Presidenti Fatmir Sejdiu, i cili i lexoi këto katër pika, tha se qëndrimet e Prishtinës janë të harmonizuara dhe prezantojnë pozicionin e institucioneve, mbi bazën e të cilave misioni i BE mund të fillojë shtrirjen në gjithë territorin e Kosovës.
“Nen 1 - Jemi për vendosjen sa më të shpejtë të EULEX në tërë territorin e Kosovës, sipas mandatit të paraparë me Deklaratën e Pavarësisë, dokumentin e presidentit Ahtisaari, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, aksionin e përbashkët të 4 shkurtit të vitit 2008 dhe ftesën bërë EULEX nga institucionet e Kosovës, të nënshkruar edhe nga presidenti më 17 shkurt dhe 8 gusht të vitit 2008”.
“Nen 2 - Institucionet e Kosovës refuzojnë dokumentin prej gjashtë pikash”.
“Nen 3 - Institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë me EULEX për vendosjen në tërë territorin e Kosovës”.
“Nen 4 - Kosova do të bashkëpunojë ngushtë me SHBA, BE dhe NATO-n”, - tha Sejdiu, duke prezantuar pozicionin e Prishtinës zyrtare.
Qëndrimet e Prishtinës, diplomati amerikan, Daniel Fried, tha se do t’i paraqesë tani në Gjenevë tek autoritetet e Kombeve të Bashkuara. Ai tha se këto pika të Prishtinës janë një platformë e mirë për të vazhduar përpara.
Sidoqoftë, Fried tha se ka ende gjëra që duhen harmonizuar për të parë nëse do të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë, për t’i mundësuar EULEX fillimin e misionit në Kosovë.
“Është mirë që institucionet e Kosovës të punojnë me ne ashtu, siç janë duke bërë, në mënyrë që të forcohet sundimi i ligjit në tërë Kosovën dhe në mënyrë që të zhvillohet bashkëpunimi me SHBA, BE, NATO-n dhe OKB. Kanë qenë dy ditë të mira dhe intensive dhe tani kemi bazat për të ecur përpara”, - tha Daniel Fried.
Në takimin e sotëm ka marrë pjesë edhe shefi i ICO, Pieter Feith, i cili tha se BE pret që të arrihet një marrëveshje, në mënyrë që EULEX të fillojë sa më shpejt me punën e vet në Kosovë.
“Ne, si Bashkim Evropian, mezi po presim vendosjen e shpejtë të EULEX në tërë Kosovën. Jemi të lumtur të dëgjojmë se qeveria është e përkushtuar për të punuar me ne dhe me OKB, për ta mundësuar vendosjen e EULEX”, - tha Feith.
Ndërkaq, kryeministri, Hashim Thaçi, vetëm përsëriti pozicionin e qeverisë së Kosovës për bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, por edhe për shtrirje të EULEX konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“E kemi ftuar dhe i kemi dhënë përkrahje dhe do ta ketë bashkëpunimin tonë të ngushtë EULEX për zgjerimin dhe ushtrimin e autoritetit në tërë territorin e Kosovës, në mënyrë që të funksionojë rendi dhe ligji në të gjithë territorin, në mënyrë që të mos ketë struktura jolegale në asnjë pjesë të territorit të Kosovës”.
“Ky zotim i yni është përfshirë edhe në refuzimin në tërësi të dokumentit plani prej gjashtë pikash”, - theksoi Thaçi.
Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, këto dy ditët e fundit, diplomati amerikan, Daniel Fried, ka takuar edhe opozitën, të cilëve iu ka transmetuar përmbajtjen e aktiviteteve të fundit diplomatike, në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes për EULEX.
Fried thotë se pikëpamjet e Prishtinës do t’ua paraqesë OKB dhe BE, për të parë se cilat janë format e përbashkëta për fillimin e misionit të EULEX në Kosovë, pas kundërshtimit të planit prej gjashtë pikash nga ana e Kosovës, por i cili paraprakisht ishte pranuar nga Serbia.
Sidoqoftë, diplomacia ndërkombëtare është në përpjekje të arritjes së një marrëveshjeje për EULEX deri në fillim të dhjetorit, e cila nuk do të kundërshtohej nga Prishtina, por as nga Beogradi.