Superioriteti i moralit demokratik
Në vitet ‘30-‘40 nëpër rrugët e Tiranës ndeshje tek-tuk njerëz të ditur, të arsimuar kryesisht në Austri, Itali, Francë e Gjermani, të cilët herëpashere e gjenin njëri-tjetrin në baret me emër në qendër të kryeqytetit. Nevoja e bisedave nën frymën e kulturës së shkollave e shoqërive që kishin frekuentuar dhe realitetit që jetonin përditë i shtynte që nëpër biseda të tilla mbrëmjeve të diskutonin harrueshëm në lartësi idesh që frymëzonin një jetë më të mirë edhe në këtë vendin e tyre të vogël. Popujt janë njësoj në etjen për dije e mirëqenie, të ndryshëm në arritjen e këtij qëllimi i bëjnë ata që i drejtojnë.
Situata e tyre shpirtërore ishte krejt tjetër, kur në fuqi mbas lufte erdhën pretenduesit e sjelljes së një morali të ri proletar, të zbritur nga malet, dhe psikologjikisht filluan të jetojnë me ankthin e së nesërmes. Jo vetëm dalloheshin për diferencën arsimore e kulturore, por ishin edhe të kamur njëfarësoj ekonomikisht, gjë që i ekspozonte xhelozisht akoma më shumë në sytë e fitimtarëve. Vegjëlia ishte ajo që i kishte për zemër, i ndjente më afër ndjenjave dhe interesave shpirtërore duke iu dhënë edhe statusin e modelit shoqëror që duhej ndjekur. Paradoksalisht ndjehej në atmosferën shoqërore superioriteti i tyre moral bazuar në një kulturë solide dhe sens human formimi botëkuptimor, ndërkohë që duhej të ndodhte e kundërta sipas kohës që jetohej - qenia nga ana e fitimtarëve e superioritet moral human. Ata vinin nga shoqëri, të cilat moralin demokratik e preknin çdo ditë në një kuptim krejt tjetër nga ai moral i diktaturës së proletariatit që po instalohej dhe që po merrte jetë njerëzish të pafajshëm e që përpara jetëve u kish marrë pronën.
Kështu, në takimet e tyre e vetmja prani që iu ndryshonte humorin e frikësuar ishte ardhja e poetit, në mbiemrin e të cilit simbolizohej një qytet i tërë.
Ai ulej në një nga kolltukët anës tavolinës ku kishin zënë vend miqtë e tij e duke u ngulur vështrimin u përcillte me një zë pak të ulët, sikur këndonte vargjet në gjermanisht të poetit që të gjithë e kishin për zemër: “Djalli edhe si dashnor është i ftohtë, por jo i shëmtuar, sepse merr të gjitha format e mundshme”. Vërtetësinë e këtyre fjalëve e pamë dhe e hoqëm në kurriz për 50 vjet. E pamë djallin me fytyrën shprehëse të të mallëngjyerit për shokët e rënë në luftë. E pamë me fytyrën e atij që nuk lejon glorifikim të unit dhe që për hir të unit sakrifikon një popull të tërë. E pamë me fytyrën e patriotit legjendar, por që patriotët e vërtetë i sakatoi. E pamë me fytyrën e arsimdashësit të përkushtuar, por arsimim jo për të gjithë e kështu me radhë. E shikojmë ditëve të sotme të tranzicionit me fytyrën e mashtruesit qeveritar, me fytyrën e uzurpuesit të votës, me fytyrën e bosit të drogës në pushtet, me atë të mbledhësit të parave nga tregtia e mishit të bardhë dhe investuesit biznesmen të pastrimit të këtyre parave. Tipikja e shoqërisë sonë me këtë shumëfytyrësi është shprehja aktuale e deformimeve karakteriale që pësoi njeriu shqiptar në vite. Shoqëria jonë vuan të jetuarit në bashkësi në harmoni interesash. E prita që ta shihja me fytyrën e djallit hakmarrës te të dënuarit politikë pas viteve ‘90, por ata qëndruan superiorë në moralin e tyre.
Me domethënien e kësaj shprehjeje të djallit me shumë forma në mendje përpiqem të arsyetoj fushatën e fundit për president në Amerikë dhe vendimin e shumicës votuese, si dhe atë që do fillojë së shpejti në këtë vendin tonë të zbukuruar me ornamentet fjalëshuma të progresit. Morali i shoqërisë është dominuar nga morali shtetëror, i cili për çdo javë na sjell deklaratën e njohur për ngritjen e një komisioni, inspektorati për mbrojtjen e popullatës pas ndodhisë së fatkeqësisë së radhës.
Amerika është një shtet i ri krahasuar me ato evropiane dhe me një moral shoqëror që ndez debat në Evropë. Vjetërsia e Evropës përbën një vlerë bazë të historisë botërore, por qenia shumë më e re e Amerikës nuk lë shteg për t’u ndjerë adoleshente në këtë histori. Shteti gjigant i përtejoqeanit e kapi kohën nëpërmjet konsolidimit të moralit shoqëror, nëpërmjet dëshmimit në jetën e përditshme, se funksionon sipas principeve të lirisë.
U mbartën bashkë me njerëzit e ardhur nga Evropa edhe mësimet e pësimeve evropiane, kultura e saj, si dhe, u shtrua imperative ndërtimi i mekanizmave shoqërore për të bërë të mundur bashkëjetesën normale të njerëzve me kombësi, ngjyra e kultura të ndryshme. U desh një kohë e gjatë deri në ndërtimin e moralit antiracist si një mënyrë organizmi shoqëror me të drejta të barabarta njerëzore.
Linkolni iu përmendte qytetarëve të tij: “Puna është më e para se kapitali, ndaj meriton më tepër vlerësim e kjo do të thotë që shteti e shoqëria vlerësimin e kapitalit duhet ta bëjë te fillesa e rritjes së tij, te puna. Për këtë gjithë qytetarëve iu duhet krijuar e barabartë mundësia për pasurim. Gara e konkurrimit duhet të nisë nga e njëjta vijë për të gjithë e përcaktuar kjo prej Kushtetutës”.
Mentaliteti në evoluim bëri që deklaratat e shpallura në Evropë për të drejtat e njeriut të gjenin në Amerikë një vlerësim të ri, më realist, më të prekshëm e të ndjeshëm në përditshmërinë e njerëzve. Deri në atë pikë sa sot mësuesit amerikanë mund t’iu thonë fëmijëve në shkolla dhe prindërit nëpër shtëpi, se barazia e mundësive është e njëjtë realisht, nuk përbën më një ëndërr apo moralitet gojëlarës. Dhe fakti është para syve të të gjithëve. Amerika nuk shpiku të drejtat njerëzore në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Të drejtat njerëzore shpikën dhe zhvillojnë Amerikën.
Fitoi përkrahjen e shumicës presidenti i ri me ngjyrë, sepse përgjatë gjithë ecurisë së fushatës i ndërtoi fjalimet përpara njerëzve sipas një logjike të thjeshtë, por mjaft funksionale. Me vërtetësi, në formë tregimi, elokuent, iu fliste njerëzve nëpër mitingje për tri stade të ecurisë së shoqërisë: ku kemi qenë, ku jemi dhe ku synojmë të arrijmë. Ishte kjo platformë elektorale që bindi në mënyrë kolegjiale partinë e tij për ta selektuar si të vetmin kandidat të mundshëm. Me gjithë vlerat individuale që mbartte rivali shumë më i moshuar, ai dhe stafi i tij nuk arritën të ndërtonin dot një platformë bindëse për votuesit edhe për arsyen e thjeshtë se pasqyronin tek e fundit pjesën e asaj partie që me lidershipin e saj në pushtet shihej si shkaktarja e krizës ekonomike. Kandidati i mundur fitoi madhështi morale në sytë e gjithë popullit amerikan me thënien: Nuk dështuat ju, dështova unë. Pohoi madhështinë e një vlere të moralit të vërtetë demokratik – Përgjegjësia morale e individit zyrtar për ta shikuar të vërtetën në sy, për ta mbajtur atë në shpatulla, pa iu shmangur asaj.
Kjo ndjenjë morali detyre e shtynte presidentin Truman që mbi tavolinën e punës të mbante të shkruara e të lexueshme për këdo që hynte në zyrë fjalët mbi çdo gabim që mund të ndodhte në punët e shtetit: Përgjegjësia është këtu.
Në emër të përgjegjësisë së detyrës imponuar nga virtytet njerëzore gjenerali Ajzenhauer përpara nisjes për sulm në Normandi u shpreh me fytyrë nga të pranishmit: Okej, le të nisemi. Në është bërë ndonjë faj a gabim përllogaritjeje, përgjegjësia është e imja.
Ky moral i konsoliduar dhe survejuar nga struktura të caktuara shoqërore ka maturuar edhe një sjellje zotërinjsh të kandidatëve përkatës ndaj njëri-tjetrit. Theksohet ndjeshëm jashtë Amerike përshëndetja prej xhentëllmeni e rivalit të mundur ndaj fituesit dhe bën përshtypje nëpër kombe të tjerë, në një kohë që kalon si një moment krejt i zakonshëm, si një shprehje etike morali normale për rivalizuesit, kandidatët për drejtuesin e vendit më të fuqishëm të globit.
Kandidati i mundur iu bëri thirrje përkrahësve për të ndihmuar presidentin e ri nën mësimin e madh të moralit demokratik – Dallimet tona janë te politikat, harmonia jonë shoqërore është ndërtuar mbi parimin demokratik të barazisë së njerëzve. Bazuar në fakte, insistimi historikisht në një moral bindës demokratik, mbështetja nga strukturat shtetërore me një mekanizëm të konsoliduar tashmë, përbën garancinë qetësuese të njerëzve amerikanë se vota do shkojë dhe vlerësohet maksimalisht në atë drejtim që e ka gjykuar votuesi.
Votuesi amerikan është në marrëveshje me Kushtetutën dhe, sikur garancia që ajo jep për barazinë e së drejtës për t’u zgjedhur, garancia e vërtetuar në jetë për sistemin zgjedhor të kontrolluar nga njerëz të lirë, të mos funksiononte e hapur para syve të tyre, atëherë nuk do ishin mbledhur si asnjëherë tjetër në raste të tilla njerëz të të gjitha ngjyrave, racave, moshave, në sheshin e parkut të madh në Çikago për të përshëndetur njeriun me ngjyrë, si të parin në historinë e vendit, për t’i udhëhequr në katër vitet e ardhshme.
Harmonia e interesave të përbashkëta i bënte të shfaqnin gëzimin e së Vërtetës – atë të vërtetë për të cilën u deklaron Kushtetuta – barazia për t’u gjykuar nga gjykatat në mënyrë të pavarur, për t’u zgjedhur në instancat më të larta shtetërore pa favorizuar njërin apo tjetrin në varësi nga raca, ngjyra e lëkurës apo bindjet personale, barazia për të gjithë për të mos lejuar individë me bindje regresive shoqërore që të arrijë ngjitjen e shkallëve të hierarkisë zyrtare duke dëmtuar interesat e individëve dhe mirëqenien e tyre.
Grabitja e votës dhe korrupsioni politik kanë prirjen e organizimit të përsosur drejt një mekanizmi ku bashkohen në një – grabitja dhe kërcënimi. Korrupsioni bëhet pushtet brenda shtetit duke të treguar dy rrugë: o bashkëpunëtor, o viktimë. Historia ua ka dhënë këtë mësim, prandaj dhe në çdo hap që hedhin e ballafaqojnë veprimin e zyrtarëve në emër të ligjeve me të drejtat që iu jep Kushtetuta.
Qëndrimi ndëshkues apo vlerësues ndaj veprimeve që bëhen nga individë të veshur me pushtet, të cilët kryejnë fajin e abuzimit me të drejtën që iu është dhënë më ligj, është një e vërtetë bindëse, e prekur nga njerëzit e thjeshtë, e shikuar nga sytë e tyre, e transmetuar si porosi për të mos cenuar Integritetin e Besimit që njerëzit duhet të kenë te shtyllat morale e ligjore të shtetit. Morali i besimit demokratik fitoi edhe një javë para zgjedhjeve me ndëshkimin e senatorit Ted Stevens që për 35 vjet përfaqësonte Alaskën në Kongres. Arsyeja e ndëshkimit – abuzim me shuma parash për rimodelimin e shtëpisë së tij.
Besimi se mekanizmat rregullues shtetërorë dhe ato kontrollues funksionojnë në shërbim të drejtësisë së barazisë për të drejtat njerëzore dhe mirëqenies së shoqërisë ishte leva lëvizëse e pjesëmarrjes së pashembullt në votim dhe e manifestimit të rezultatit në formën më të mundshme njerëzore. Shteti nëpërmjet forcave të rendit nuk dukej në atë manifestim, pasi gëzimi që shfaqej në fytyrat e njerëzve të pranishëm, besimi që ata kanë vënë në lirinë e votës dhe zgjedhjes, qëndronte më fuqishëm, me sigurinë që garanton morali njerëzor, sigurinë që jep vlera e së vërtetës që, edhe në këtë rast mbizotëroi fushatën zgjedhore dhe verdiktin e saj.
Shoqëria amerikane sot më thekshëm i thotë Evropës dhe botës se vlerat morale njerëzore janë ato që duhet të dominojnë sjelljet e shoqërisë. Amerika dëshmon një të vërtetë të madhe se, ka ngritur në një nivel shumë më të lartë vlerat e nocionit liri, duke u mbështetur në parimin se - nëse liri do të thotë diçka e rëndësishme, atëherë ajo nënkupton të drejtën për t’iu thënë njerëzve gjëra të cilat nuk duan që të dëgjojnë.
Qëndron si bazë e moralit gjykues të veprimeve në jetën e shtetit shprehja e Linkolnit: “Të gjykuarit dhe të vepruarit si demokratë nuk konceptohen dot pa një ndërgjegje historike. Ndërgjegjja historike është ndërlidhësja që e bën të mundur interpretimin e së kaluarës, kuptimin e së tashmes, si dhe projektimin e perspektivës të së ardhmes”.