E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikoll Marku: Janullatosi jo në kishën e Fan Nolit

• ELBASAN - At Nikolla Marku, i bashkohet or-todoksëve të Amerikës kundër pranisë së Janullatosit në kishën e Fan Nolit në Boston me rastin e 100-vjetorit të saj.I menjëhershëm ka qenë reagimi i përfaqësuesit të kishës ortodokse në Elbasan ndaj pranisë së kryepeshkopit Anastas Janullatos në kishën Shën Gjergji të themeluar nga Noli. Pikërisht në 100-vjetorin e kësaj kishe dhe meshës së parë në gjuhën shqipe që ka mbajtur Noli më 8 mars 1908, kreu i KOAKSH në Elbasan ka dalë në një konferencë shtypi. Pasi ka përshëndetur ditën e lumturuar të themelimit të katedrales së Shën Gjergjit në Boston, ai e ka cilësuar të papranueshme pjesëmarrjen e Janullatosit në një nga kishat më të vjetra shqiptare. "Kisha e Nolit nuk ka asnjë lidhje me ortodoksinë e Janullatosit, por që është simbol i ortodoksisë shqiptare të pandikuar nga patriarkana greke e Athinës. Pikërisht imzot Theofan Stilian Noli është shqiptari i madh që e bëri të njohur autoqefalinë e kishës shqiptare nga ndikimet greke. Ka qenë kjo arsyeja që greku Janullatos hoqi portretin e Fan Nolit nga personalitetet e themelimit të kësaj kishe shqiptare", deklaroi Marku. Ai pohoi dje se bashkohet me protestën e shqiptarëve të Amerikës dhe shoqatës "Vatra", "që e cilëson poshtërim dhe të papranueshme praninë e Janullatosit në kishën katedrale të Bostonit, themeluar nga njeriu që u bë më pas edhe krijuesi dhe themeluesi edhe i statutit të vërtetë të KOAKSH, të cilën Janullatosi kërkon ta ndryshojë, duke e përdhosur atë". Në nder të themelimit të saj, në kishën "Shën Mëria" do të organizohet një përshpirtje dhe një meshë kushtuar figurës së Fan Nolit. Famullitari At Nikolla Marku ka ftuar të gjithë ortodoksit elbasanas dhe të gjithë qytetarët për të marrë pjesë në një eveniment një shekullor të KOAKSH.                                    a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›