E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferenca e PD-së

Tiranë -Është çelur sot, konferenca e degës së Partisë Demokratike për Tiranën, për zgjedhjen e kreut të kësaj dege. Në fjalën e rastit, kryeministri Sali Berisha u shpreh i sigurt në fitoren e zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen më 28 qershor. “28 qershori do shembë murin e korrupsionit të ndërtuar me lejet e ndërtimit. Tirana e 28 qershorit, përsa i përket votës do të jetë si Tirana e 92”- deklaroi Berisha.

Ndërsa kryetari aktual i degës së PD-së të Tiranës, Sokol Olldashi, në fjalën e tij e cilësoi këtë moment "një ngjarje të rëndësishme politike jo vetëm për PD-në, por për gjithë vendin". "2005-2009 është periudha më intensive në jetën politike të kryeqytetit. Dega e Tiranës ka dhënë një kontribut të qenësishëm në realizimin e premtimeve tona elektorale të vitit 2005, duke vënë në dispozicion të qeverisjes së Shqipërisë burimet njerëzore", tha Olldashi.

Prej disa muajsh, tha ai, "ne kemi hyrë në procesin e riorganizimit statutor të degës dhe i gjithë ky proces dëshmon se PD mbetet në mënyrë të padiskutueshme një forcë e rëndësishme politike në vend. Janë 5 mijë qytetarë që gjatë procesit të ristrukturimit janë anëtarësuar në PD, ku 30 % janë zonja, ndërsa 2304 janë të rinj që i bashkohen PD së Tiranës".

Konferenca e sotme do të zgjedhë kryetarin e ri të kësaj dege, midis tre kandidatëve, ish-ministrin e Drejtësisë Aldo Bumçi, Gjergj Bojaxhi dhe deputeten Lajla Pernaska.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›