E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca në Munih, SHBA-të prezantojnë politikën e jashtme

Bajden: “SHBA-të do të bëjnë më shumë për aleatët, por dhe do të kërkojnë më shumë”. Qeveria e re do të vërë theksin te diplomacia, dhe jo te forca ushtarake

Blerina Olldashi
Marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me botën do të ndryshojnë me ardhjen në pushtet të presidentit Barak Obama. Kështu është shprehur zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, në fjalimin e tij të mbajtur në Konferencën për Sigurinë në Munih. Udhëheqësit e vendeve pjesëmarrëse janë njohur me përparësitë e presidentit Obama në fushën e politikës së jashtme dhe Bajden tha se Amerika do të bënte më shumë për aleatët e saj, por dhe do të kërkonte më shumë prej tyre në këmbim. Sipas zëvendëspresidentit Bajden, administrata do të përfshihej, dëgjonte dhe konsultonte, por do të priste nga aleatët që ata të tregonin më shumë gatishmëri për të përdorur forcën për të përballuar kërcënimet globale nëse gjithçka tjetër do të dështonte. Ai po ashtu foli për marrëdhënie të reja me Rusinë dhe këmbënguli se Amerika do të vazhdonte përpjekjet për të ndërtuar një sistem mbrojtës antiraketor. Bajden premtoi një Amerikë që do të dëgjojë, më konsensuale, por me një çmim. Sipas tij, Amerika do të bëjë më shumë në të ardhmen, por edhe aleatët duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Zëvendëspresidenti i SHBA-ve premtoi se do të dëgjonte mendimin e aleatëve për një sërë problemesh, nga Afganistani, deri në Lindjen e Mesme. “Ne do të përfshihemi, do të dëgjojmë, do të konsultohemi. Amerikës i duhet bota, po aq sa botës i duhet Amerika”, - tha ai. Por ai kërkoi më shumë ndihmë, qoftë në pranimin e të burgosurve të Guantanamos, qoftë në përballimin e kërcënimeve të përbashkëta në fushën e sigurisë. Z. Bajden tha se ndërsa Amerika do t’i rikushtohej diplomacisë, europianët duhet të rishqyrtonin ngurrimin e tyre për të përdorur forcë. Por ai shtoi se Uashingtoni nuk do të ngurrojë të mbrojë interesat e tij përmes forcës nëse kjo do të kërkohet. Nënpresidenti tha se shpreson që vendet e NATO-s të shtojnë kontributin në Afganistan.
Ky ishte fjalimi i parë i rëndësishëm për politikën e jashtme dhe i pari jashtë Shteteve të Bashkuara që mban një zyrtar i lartë i administratës “Obama”, që nga inaugurimi i presidentit të ri muajin e kaluar. Zoti Bajden tha se ka ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të riparojnë marrëdhëniet me Rusinë, aspekt ku sipas tij ka pasur një “shkarje të rrezikshme”. Ai tha se dy vendet mund të kenë ende mosmarrëveshje për disa gjëra, por mund të punojnë së bashku aty ku interesat e tyre përputhen.

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›