E Diel, 1 Nëntor 2026

Prag përvjetori i pavarësisë, Sejdiu kërkon më shumë njohje



Vetëm disa ditë para përvjetorit të parë të shpalljes së pavarësisë, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kërkoi më shumë njohje nga vendet që nuk e kanë njohur ende shtetin e ri. I pranishëm për herë të parë në Konferencën e Sigurisë së Lartë në Munih, para 350 politikanëve, ushtarakëve dhe ekspertëve nga e gjithë bota, presidenti Sejdiu mbajti një fjalim ku u përqendrua në arritjet e deritanishme të shtetit më të ri në botë. Presidenti theksoi se Kosova tashmë ka Kushtetutën e saj, që është një kushtetutë me parimet planit të Ahtisarit, që i respekton të gjitha të drejtat e njeriut, e posaçërisht të pakicave, dhe Kosova është në rrugë të mbarë për të plotësuar parakushtet dhe ta shkurtojë rrugën për në Unionin Europian. Sejdiu shtoi se pret që të ketë njohje të tjera. ”Këtë e kemi merituar, sepse përkundër dyshimeve të shumë vendeve të tjera kemi treguar veten që jemi në gjendje të mbajmë shtet”, - tha Sejdiu. Një vit më parë, në të njëjtin vend, kishte folur presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Fjalimi i tij vetëm disa ditë para se Kosova të shpallte pavarësinë, u transmetua drejtpërsëdrejti në sallën e mediave dhe mund të dëgjohej kështu nga qindra gazetarët e akredituar nga e gjithë bota.

Bogdanoviç: “Me Kosovën mund të bisedojmë vetëm për status”

Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, deklaroi se Serbia nuk u shmanget bisedimeve me shqiptarët, por vetëm në kuadër të Rezolutës 1244 dhe nga pozicioni i neutralitetit të statusit të Kosovës. “Nuk dëshirojmë të zhvillojmë negociata me përfaqësuesit e institucioneve, që njëanshëm e kanë shpallur pavarësinë”,- tha ministri Bogdanoviç për gazetat beogradase, duke theksuar se “me Prishtinën mund të bisedojmë vetëm për statusin”. Disa ditë më parë, në përvjetorin e partisë që drejton, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, u shpreh se Serbia ishte e gatshme të bisedonte me udhëheqësit kosovarë dhe tashmë jo për statusin, por për çështjet e përditshme që i shqetësojnë dy shtetet fqinje. Megjithatë, autoritetet e tjera serbe vazhdojnë të përsërisin qëndrimin se me Kosovën mund të zhvillohen vetëm bisedime për statusin. Organizatat ndërkombëtare në Kosovë kanë marrë përsipër të ndërmjetësojnë bisedimet indirekte mes dy vendeve për çështje që kanë mbetur ende pa zgjidhur.

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›