E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca në Slloveni, Pahor insiston: Thaçi dhe Tadiç, në një tryezë



Blerina Olldashi

Mosmarrëveshjet për konferencën e liderëve të Ballkanit ende nuk janë tejkaluar, megjithatë Hashim Thaçi dhe Boris Tadiç duhet të ulen në një tryezë së bashku me liderët e tjerë të vendeve të Europës Juglindore. Kështu u shpreh kryeministri i Sllovenisë Borut Pahor, gjatë vizitës së tij në Prishtinë. Kjo synohet të arrihet në një takim që pritet të zhvillohet në fund të këtij muaji në Bërdo të Sllovenisë ku do të bisedohet për bashkëpunimin rajonal dhe afrimin e këtij rajoni me BE-së. “Ideja është që të mblidhen së bashku liderët e të gjitha shteteve të rajonit së bashku dhe udhëheqës të BE-së, të flasim për perspektivën europiane të këtyre vendeve në të ardhmen dhe jo vetëm të pyetet se çfarë po bën BE-ja për këto vende të rajonit, por se çfarë i ofrojnë Europës vendet e rajonit”, tha kryeministri Borut Pahor në një konferencë për media. Megjithatë mikpritësi i takimit të Bërdosë nuk ka arritur të zgjidhë të gjitha detajet se si do të përfaqësohen shtetet dhe çfarë mbishkrimi do të mbajnë në tryezë. Kjo për faktin që kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dëshiron që në tryezën e tij të jetë mbishkrimi, Republika e Kosovës, por kjo nuk pranohet nga Serbia dhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. “Unë do të dëshiroja të kem atje presidentin serb Boris Tadiç, një lider shumë i rëndësishëm dhe në të njëjtën kohë dëshiroj që të jetë i pranishëm edhe kryeministri Hashim Thaçi. Akoma nuk kemi arritur të specifikojmë detajet për simbolet dhe mbishkrimet e përfaqësimit, mirëpo jemi duke biseduar për detajet dhe shpresoj se do të arrijmë një zgjidhje”, tha kryeministri slloven Borut Pahor. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, thotë se Kosova do të jetë në krye të përgjegjësive për stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon. “Kosova tashmë ka ndërtuar raporte të shkëlqyeshme edhe me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, duam dhe kemi vullnet si Kosovë për fqinjësi të mirë edhe me Serbinë në mënyrë që të kemi bashkëpunim rajonal të interesave të përbashkëta për vendet tona, tha kryeministri Thaçi. Në takimin e Bërdosë në Slloveni, Serbia ka thënë se Kosova mund të përfaqësohet me mbishkrimin UNMIK-Kosovo, mirëpo kjo është hedhur poshtë nga kryeministri Hashim Thaçi. Në takimin e Bërdosë do të flasë edhe shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanieri, por udhëheqësit kosovarë janë shprehur se Kosovën mund ta përfaqësojnë vetëm udhëheqësit e institucioneve të saj dhe askush tjetër. Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi nuk sqaroi nëse ka paraqitur ndonjë pozicion të prerë të Kosovës lidhur me pjesëmarrjen e saj si shtet i barabartë në këtë konferencë, por i konfirmoi homologut të tij gatishmërinë e Kosovës që të jetë pjesë e të gjitha nismave dhe konferencave rajonale.

10 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›