E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti me FSK-në, qeveria refuzon ti kërkojë falje KFOR-it



Edhe pse Forca e Sigurisë së Kosovës deklaroi se mosmarrëveshja me KFOR-in ishte një çështje e tejkaluar, raportet mes dy forcave ende nuk janë qartësuar plotësisht. Disa ditë më parë, komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, ngriu raportet me FSK-në, për shkak se Garda e armatosur e FSK-së mori pjesë në manifestimin Epopeja e UÇK-së. Sipas KFOR-it, kjo nuk ka përkuar me statusin jo ushtarak të FSK-së. Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se institucionet e Kosovës nuk do të kërkojnë falje për praninë e Gardës së armatosur më 5 mars, veprim ky i cilësuar si incident nga ana e KFOR-it. Takime të niveleve të ndryshme mes institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, për t’i kapërcyer mosmarrëveshjet, janë zhvilluar edhe dje. Ndërsa, KFOR-i ka sinjalizuar se diskutimet mund të prodhojnë diçka. Ndërkohë, partitë opozitare në Kosovë i kanë sugjeruar Qeverisë që t’i kërkojë falje KFOR-it në lidhje me këtë mosmarrëveshje. Por, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka hedhur poshtë një mundësi të tillë, duke vazhduar të mbrojë paraqitjen e Gardës së armatosur më 5 mars. “Ky kërkim i faljes është ritual religjioz. Ata që shkojnë në xhami apo kishë, kanë nevojë të kërkojnë falje. Në këtë rast, nuk mendoj se është ndonjë arsye për të kërkuar falje. Është një arsye për sqarime të domosdoshme. Ne i kemi pasur sqarimet e duhura, do t’i bëjmë edhe tjerat. Kosova është shtet, i ka institucionet e veta. Do ta respektojmë çdo njeri, qoftë vendor ose ndërkombëtar, që ka dhënë kontribut për lirinë dhe pavarësinë tonë. Por, askush në këtë botë nuk mund të kërkojë nga ne që të mos i respektojmë heronjtë tanë”, ka thënë Hajredin Kuçi.

10 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›