Migrena, zbulohet aparati për të shpëtuar nga dhimbja e sëmundjes
Disa studiues amerikan kanë zbuluar së fundi një aparat i cili mund të mposhti dhimbjen e kokës që shkaktohet nga migrena. Bëhet e ditur se aparati i ri, i cili lëshon rrymë magnetike në pjesën e prapme të kokës mund të jetë një alternativë e mirë në kurimin e sëmundjes së migrenës. Sipas një lajmi të dhënë në BBC, 40% e të sëmurëve pasi kanë përdorur aparatin nuk kanë pasur dhimbje koke për dy orë. Studimi tregoi se tek kjo metodë nuk shihen efekte anësore. Gjithashtu të sëmurët mund ta përdorin shumë lehtë aparatin edhe në shtëpi. Doktorët pohuan se duhet të bëhen më shumë kërkime dhe punë për të përcaktuar intervalin kohor të dozës. Specialistët nga Kolegji i Mjekësisë “Albert Einstein” në Neë York bënë eksperimente për të vlerësuar sigurinë dhe efektivitetin e aparatit. Eksperimentet e mëparshme përfshinin aparatura të mëdha dhe të shtrenjta të cilat përdoren vetëm në klinika.
Aparati
Aparati i transportueshëm përhap një rrymë të vetme stimulacioni magnetik transkranial që pengon shkëndijat elektrike në tru të cilat bëhen shkak për shenjat e para të migrenës. Aurat janë shqetësimet vizive apo shqisore të cilat krijohen para fillimit të dhimbjes. Këta përfshijnë shenjat vizive si vija në formë zikzaku ose pika drite. Ndërsa shenja tjera janë vështirësi në të folur, mungesë ndjeshmërie dhe ndjesia e pickimeve. Për të kuruar migrenën aura, 200 të sëmurë kanë përdorur aparatin për tre muaj. Gjysmës tjetër të të sëmurëve i është aplikuar kura plasedo. Sipas të dhënave të publikuara në revistën “The Lancet Neurology” tregohet se rryma magnetike e lëshuar nga aparati është më efektive në kurimin e migrenës se kura plasedo. Të sëmurët thanë se 24 ose 48 orë pasi e kanë përdorur aparatin nuk kanë pasur dhimbje për dy orë.
Migrena
Migrena është forma më e përhapur e dhimbjes së kokës. Ajo është një sëmundje neurologjike me dhimbje pulsative të kokës e shoqëruar me marrje mendsh, vjellje, ndjeshmëri ndaj dritës, zërave dhe ndaj aromave. Fillon me simptomë prodromale, gjysmë deri një orë para dhimbjes së kokës, me eufori, depresion, lodhje, puls të shpejtuar, anoreksi. Pastaj vijon dhimbja e fortë e kokës në të shumtën e rasteve vetëm nga njëra anë, por jo gjithnjë. Gjatë aktiviteteve trupore keqësohen simptomat. Shpesh shoqërohet dhimbje koke me marrje mendsh, vjellje, fotofobi dhe fonofobi. Faktorët të cilët ndikojnë dhe shkaktojnë dhimbje koke janë: stresi, ndryshimi i bioritmit, mungesa e gjumit, ushqimi (djathi, çokollata, çaji, bananet, lajthia, arra, bajamja), alkooli, droga, ndryshimi atmosferik si dhe ndryshimi hormonal tek femrat. Shkaqet e shfaqjes së migrenës deri më sot ende nuk janë bërë plotësisht të njohura, edhe pse në botë numri i njerëzve, që vuajnë prej saj, është shumë i madh. Migrena është një formë e veçantë e dhimbjes së kokës, e cila mund të zgjasë nga disa minuta deri për ditë me radhë. Me migrenë nënkuptohen një valë dhimbjesh akute, në një gjysmë të kokës, shpesh të shoqëruara nga të vjella dhe marramendje. Shenjat e para janë shqetësime vizive: fleshe dritash në ajër, shfaqen sidomos tek adoleshentët ose moshat e reja, të cilët janë pjesëtarë familjesh ku është prezente kjo sëmundje edhe tek anëtarët e tjerë, dhe sidomos tek femrat me probleme menstruale. Patogjenezia e migrenës është e lidhur me modifikimin e fluksit të gjakut celebral, shkaktuar nga shqetësime arterioale.
Dhimbja e kokës
Dhimbja kronike e kokës është një çrregullim për miliona njerëz dhe nëse keni më shumë se tri sulme të saj në një muaj dhe nuk e qetësojnë dot as ilaçet, ju duhet të kërkoni ndihmë nga mjeku. Sipas një studimi të fundit, 4% e popullsisë së botës vuan nga dhimbje koke çdo ditë. Vuajnë kryesisht gra, me një raport mesatar prej 4-1 në krahasim me burrat. Në disa raste, një grup dhimbje koke, dhimbja është aq e fortë sa krahasohet me atë të lindjes dhe dhimbjen e veshkave apo të barkut. Por sipas Dr.Piero Barbanti, drejtor i Institutit për Dhimbje Koke, ajo nuk është një sëmundje e vërtetë, porse ka nevojë për një diagnozë të saktë. “Përshkruani frekuencën e sulmeve, vendndodhja, kohëzgjatjen dhe intensitetin e dhimbjes dhe fenomenet shoqëruese janë pikë fillestare për të luftuar problemin. Gjithashtu, mos harroni të pushoni në një dhomë të errët, duke kërkuar heshtje”,- këshillon Dr.Piero Barbanti. Ndër dhimbjet primare të kokës, migrena është më e përhapur në mesin e grave me 18%. Ndërkohë që janë tri lloje të ndryshme dhimbje koke, ku forma më e zakonshme është dhimbja e kokës shkaktuar nga tensioni.
Ilaçet, kura kundër migrenës mund të jetë më e keqe sesa sëmundja
Shumë njerëz që vuajnë nga migrena përdorin barna kundër dhimbjeve. Shkencëtarët thonë se kura kundër migrenës mund të jetë më e keqe sesa sëmundja. Ndër ilaçet që përfshihen për trajtimin e dhimbjeve të kokës që shkaktohen nga migrena janë buta-bital dhe oxy-codone. Por një studim i kohëve të fundit tregon se përdorimi i shpeshtë i ilaçeve kundër dhimbjeve mund ta bëjnë migrenën kronike. Mjekët pranë kolegjit mjekësor “Albert Ajnshtajn” morën në shqyrtim 24 persona që vuanin nga dhimbje të kokës. Gjatë studimit këtë pacientë u pyetën se çfarë ilaçesh merrnin kundër këtyre dhimbjeve. Ata që merrnin ilaçe kundër dhimbjeve të kokës të paktën tetë herë në muaj kishin dy herë më shumë gjasa që brenda një viti këto dhimbje të bëheshin kronike. Gjithashtu, mjekët vunë re se pacientët që merrnin ilaçe josteroidale kundër migrenës si për shembull aspirinë, advil e motrin, nuk ndodheshin në rrezik të madh për t’u prekur nga migrena kronike.
Format e migrenës
Eksitojnë dy lloje kryesore të migrenës: migrena me aurë dhe migrena pa aurë. Aura zgjatë deri më 60 minuta. Ajo paraqitet me halucinacione optike. Tek gratë migrena shpesh është në formë më të zgjatur dhe më intensive. Por nuk përjashtohen mundësitë e shfaqjes së saj edhe te fëmijët, 5 për qind e tyre vuajnë nga kjo sëmundje. Jo gjithmonë ndihma e mjekut mund të çojë në parandalimin e kësaj sëmundjeje tepër shqetësuese për njerëzimin. Shpesh vetëshërbimi mund të jetë shumë më frytdhënës se medikamentet e rekomanduara prej mjekut.
Migrena klasike
Shfaqet zakonisht tek fëmijët, adoleshentët ose të rinjtë. Është me e shpeshtë tek femrat dhe ka karakter familjar. Kriza fillon me çrregullime vizuale (shkëndija ose deformim i objekteve), dhimbje pulsuese vetëm në një gjysmë të kokës (në të majtë ose në të djathtë), të vjella. Vazhdon 2-6 orë dhe përmirësohet pas gjumit.
Migrena e zakonshme
Dhimbje koke unilaterale ose bilaterale, me ndjenjën e të vjellës, por pa të vjellë dhe pa shqetësime vizuale. Më e shpeshtë tek femrat. Kriza fillon gradualisht dhe mund të zgjasë nga disa orë deri në disa ditë.
Migrena “me orar”
Dhimbje koke unilaterale (si djegie), retroorbital (mbrapa syve), shfaqet natën. Më e shpeshtë tek meshkujt e rinj (90 për qind). Kriza fillon rreth 2-4 orë, pasi ka rënë të flejë, ka një intensitet të lartë që të zgjon nga gjumi, i sëmuri loton vetëm nga njëri sy dhe paraqet kongjestion nazal. Zakonisht nuk shoqërohet me probleme vizuale ose të vjella. Kriza vazhdon 20-60 min pastaj pushon menjëherë dhe rishfaqet ditën tjetër në të njëjtën orë për disa javë me radhë. Pastaj mund të pushojë për disa muaj dhe të rishfaqet përsëri.
Të dhëna për sëmundjen
Komplikimet
Migrena kronike: më shumë se 15 ditë në muaj dhimbje koke.
Statuti i migrenës: 72 orë pa ndërprerje të dhimbjes së kokës.
Infarkti i migrenës: dëmtimi i trurit si pasojë e migrenës.
Prevalenca
Nga migrena vuajnë 18 për qind e grave dhe 6 për qind e meshkujve. Ajo manifestohet për herë të parë rreth moshës 25 deri 45-vjeçare. Deri në pubertet vuajnë meshkujt dhe femrat në përmasa 1 me 1, pastaj në moshën e rritur femrat vuajnë tre herë më shumë se meshkujt.
Diagnoza
Diagnoza e migrenës bëhet nga pyetja e saktë e pacientëve si dhe nga studimi i historisë së sëmundjeve të pacientëve. Metoda speciale laboratorike për diagnozën e migrenës nuk ekzistojnë. Pra migrena është sëmundje e cila me mjete të mjekësisë nuk mund të verifikohet pa probleme. Mirëpo me ndihmën e Elektroencephalografisë (EEG), Computertomografisë (CT), Ultrazërit, mund të përjashtohen dhimbjet e shkaktuara nga tumoret, gjakderdhja në tru, etj.
10 Mars 2010